BREAKING NEWS

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja cilit koalicion do t’i bashkohet për zgjedhjet e 25 prillit

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja
x

Kultura

Adrian Devolli: Arti ka mbetur në opinione tavolinash, mungon kritika dhe një ekspozitë kombëtare, GKA të ndalë talljet dhe të respektojë punën e artistëve

Adrian Devolli: Arti ka mbetur në opinione tavolinash, mungon kritika dhe

 Piktori Adrian Devolli është një nga emrat e njohur me aktivitetin e tij në pikturë. Piktori Devolli me veprat e tij është prezantuar herë pas here para publikut në ekspozita të ndryshme, por shprehet se problem është që tek ne mungon kritika artistike. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Adrian Devolli thotë se një pjesë e artit ka mbetur në opinione tavolinash, sepse vlerat nuk kanë ku të përplasen dhe nga institucionet nuk kemi një ekspozitë kombëtare për artistët me punët e tyre. Piktori Devolli shprehet me kritika dhe për ekspozitën me veprat e arkivit në GKA, ku sipas tij duhej të ishin vendosur më mirë veprat e prezantuara. Por për piktorin Adrian Devolli GKA vazhdon të jetë një institucion jo mikpritëse për artistët. Ai thotë se duhet të ketë më shumë vlerësim për autorët e njohur shqiptarë. Adrian Devolli piktor dhe restaurues, përfundoi liceun "Jordan Misja" në vitin 1976 dhe në vitin 1979 u diplomua në Akademia e Arteve në Tiranë.

 -Ju keni vërejtje për ekspozitën “Arkivi i hapur” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pse?

Fyerje më e madhe, që mund ti bëhet artistëve me atë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk mund të ketë. Një vepër arti në skulpturë, duke qenë 3 dimensionale në volumet kur e punon autori që i del shpirti mundohet që ta shohë në 3 dimensione, dhe burimi i dritës të jetë në intensitetin e duhur. Duke mos qenë kjo Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ketë të paktën respektin për çdo lloj vepre kur e ekspozon, të ketë një ndriçim të personalizuar, me fluksin dhe këndin e dritës, që të dalin vlerat, psikologjia, plastika, emocioni, etj. Por kur këtë vepër e hedh në dysheme dhe e ekspozon si inerte kjo është fyerje. Ti si Galeri Kombëtare e Arteve e ke vrarë atë krijues. Unë turp më të madh se kjo gjë nuk kam parë. Turpet vijnë duke u thelluar dhe jo duke u rregulluar.

-Ka vërejtje por artistët dhe kanë pohuar herë pas here, që veprat e arkivit duhet të ekspozohen...

Unë kam vërejtje për mënyrën se si u ekspozuan ato vepra, që janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Nuk mund të ekspozohet një autor shqiptar ashtu. Sepse kur është titullar një drejtor që nuk ka bërë gjë në jetën e tij, kjo krijon kompleks inferioriteti dhe ka pasoja. Kompleksi i inferioritetit do të mos bëhet më asgjë, dhe ajo që është të minimizohet. Duhet të bëhet e qartë që drejtor nuk mund të vihet kushdo, por drejtor në Galerinë Kombëtare të Arteve duhet të vihet një njeri që ka vlera. Për çfarë vlerash e kanë marrë këtë, që e vunë në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve?

-Edhe në muajin e parë të këtij viti një nga autorët e njohur në vend u shpreh me kritika, sepse në GKA nuk ishte pranuar që ai të hapte ekspozitë me veprat e tij në pikturë. Refuzimi që iu bëhet autorëve për ekspozita në GKA për ju sa është shqetësuese?

Galeria Kombëtare e Arteve është kthyer si personale. Aty ka autorë që janë të huaj apo dhe nga Kosova dhe kanë qëndruar me muaj në GKA dhe askush nuk ndjehet. Por tek ne nuk ka komunitete artistësh. Njerëzit rrinë dhe tulaten. Dhe vihet një njeri askush në krye të GKA dhe bën çfarë do. Ministria e Kulturës ndërkohë është një institucion de jure. Ministria e Kulturës nuk ka bërë një takim të pyesë artistët si i kanë problemet dhe hallet. Nuk është organizuar asnjë takim për këtë prej disa vitesh, por ata atje janë njerëz që thjesht vegjetojnë. Një drejtor që është në GKA i ka shkruar dikur dhe piktori Hasan Nallbani, që është një personalitet i pikturës shqiptare, por që ta takojë këtë njeri duhet ti çojë disa email. Këto janë forma, që këtu nuk duhet të bëhet asgjë. Por në GKA nëse shkon piktori Hasan Nallbani, unë apo dhe të tjerë artistë që kanë dhënë një kontribut në artin figurativ duhet të na hapin dyert dhe të thonë dhe mirëserdhët. Por kur ne jemi në këtë situatë sot, të tjerat janë fjalë kot dhe dihet gjendja e atij institucioni. Unë vetë nuk hyj më në atë institucion.

-Pse nuk shkoni më në GKA?

Unë nuk hyj më në Galerinë Kombëtare të Arteve, sepse nuk më intereson më. Një institucion, që nuk është mikpritës për krijuesit gjë që e kam thënë dhe më parë te një intervistë tjetër është si një Ministri e Brendshme e dikurshme. Ndaj mua nuk më intereson më të hyj në atë institucion.

-Grupe artistësh janë bërë bashkë dhe kanë zhvilluar ekspozita ndër vite si “Nëntori” apo “PranverArt”. Ata janë shprehur se nga Ministria e Kulturës ka munguar vëmendja për ti mbështetur në aktivitetin e tyre krijues. Ju si pjesë e komunitetit të artistëve, çfarë mund të na thoni?

Bëhet një tallje e madhe për artistët. Në ekspozitën “Nëntori” janë një grup artistësh të njohur 30 veta, dhe këtyre iu thuhet që nuk kemi para as për të paguar 40 mijë lekë të reja për sallën. Kur të arrihet te kjo pikë, je tallur me këta njerëz. Por nuk i bën më përshtypje këtyre. Në atë Ministri Kulture ka drejtorë të artit dhe kulturës, që kur bëhet një ekspozitë e një artisti të njohur shqiptar që ka një kontribut, ata nuk shkojnë ta shohin punën e tij. As për hipokrizi nuk vijnë në ekspozitë, as dhjetë minuta sa të shihen të paktën aty, kjo do të thotë që ky është një shtet që nuk do t’ia dijë për artin figurativ.

-Galeria Kombëtare e Arteve për artistët nuk ka pasuruar fondin me vepra prej disa vitesh, sipas tyre kjo është shqetësuese. Ju keni vepra në fondin e GKA që janë aty prej dekadash, por këtë problem si e shikoni?

Një politikë shumë e ndyrë kjo që po bëhet. Nuk e di çfarë po bëjnë, vazhdon tallja në nëntekstin që nuk kemi para. GKA gjithë këtë periudhë nuk është pasuruar me vepra arti. Përderisa ata nuk kanë bërë një kolanë të atyre njerëzve që themeluan Galerinë Kombëtare të Arteve, çfarë pret prej tyre?

-Ju dhe të tjerë piktorë shpreheni herë pas here se dikur kishte aktivitete për artistët e artit figurativ nga institucionet, por sot jo më. Çfarë ka ndodhur sipas jush?

Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka pasur disa ekspozita, ka pasur aktivitete dhe kishte disa komisione që pavarësisht ideologjisë nëse nuk kishte nivel nuk të pranonte. Por kur nuk ka sot kritikë, kur nuk ka një institucion kritike bëhet gallatë. Kritikën në artin figurativ duhet ta bëjnë ata që janë kritikë. Por tek ne nuk ekziston asgjë. Por atje në Ministri të Kulturës nuk i bie në mend se çfarë bëhet për këtë punë.

-Pandemia i ka përballur me shumë vështirësi edhe artistët, si do të vijojë aktiviteti juaj për këtë vit me artin?

Unë kam planet e mia në fushën e artit. Nuk dua ti zbuloj për momentin, por në projekte ne kemi dhe një ekspozitë të përbashkët me një grup piktorësh. Grupi jonë i piktorëve quhet “Muri”, sepse arti dhe jeta është çdo njeri do jetë tullë që bëhet një mur, kjo është simbolika. Kjo është një pikë. Pika e dytë është që meqë në Shqipëri ekzistojnë vlera tavolinash, vlera të rreme, njerëzit duhet të përballen tek muri. Pra duhet të përballen me ekspozita të përbashkëta, duhet të përballen me një ekspozitë kombëtare, gjë që tek ne nuk bëhet. Një pjesë e artit tek ne ka mbetur në opinione tavolinash, sepse mungon elementi që quhet kritika artistike, dhe kështu që krijohen imazhe iluzive tavolinore. Ka mbetur në opinione tavolinash, sepse mungon një ekspozitë kombëtare që duhet të organizohet nga institucionet tona. Një ekspozitë kombëtare nga institucionet, ku të shpalosen veprat e artit dhe të ketë një komision e të flitet për këtë. Ky grup që ne kemi krijuar ka emrin “Muri” dhe e ka domethënien të dy kuptimtë, përplasje vlerash dhe që nuk jemi vetëm ne. Arti nuk ka filluar me ne, por është tullë- tullë bëhet mur. Kur të jetë përmirësuar situata nga pandemia, ne mendojmë që ekspozita jonë të jetë dhe një homazh për piktorin shumë të njohur Mustafa Arapi.

-Ju ishit një nga miqtë e piktorit Mustafa Arapi. Çfarë solli me artin e tij?

Mustafa Arapi ishte një nga piktorët më të shquar shqiptarë. Vepra e tij është një arritje shumë e madhe në zhvillimin e pikturës shqiptare të disa zhanreve, si në atë të peisazhit që e ka lëvruar, si në zhanrin grafik. Grafika të dimensioneve të mëdha nga dy metra me teknika të shkëlqyera, në zhanrin simbolist. Mustafa Arapi një piktor i dimensioneve të mëdha, shumë i kompletuar dhe tmerrësisht pak i vlerësuar në këtë vend nga institucionet tona. Mustafa Arapi ka qenë edhe një restaurator i dimensioneve të mëdha.

- Ju keni punuar për vite me radhë dhe si restaurator i veprave të artit. Trashëgimia kulturore në vendin tonë çdo ditë ndeshet me probleme të ndryshme. Përballë kësaj situate zëri kritik i specialistëve nuk mungon. Ju e keni konsideruar emergjente situatën e restaurimit të monumenteve të kulturës. Çfarë po ndodh sipas jush?

Tek ne po bie afresku në kisha, por kur nuk kuptojnë në institucione. Situata e restaurimit është emergjente. Restaurimi ndahet në dy elementë kryesorë, konservim dhe restaurim. Konservim është ruajtja. Por, duhet të formohen dy-tre brigada që të bëjnë vetëm konservimin, ruajtjen e këtyre afreskeve, sepse po shkatërrohen dhe nuk do t’i kemi më. Në kohën tonë u ngritën brigada emergjence për shpëtimin e veprave të artit, që të shkonin cep më cep të vendit. Punët bëheshin seriozisht. Është fatkeqësi e madhe, që po humbim afreske.