Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Adriana Tolka, Ermira Gjata dhe Eni Jani, në skenë me komedinë “Presidentet”

Postuar: 15/05/2019 - 07:42

Komedia e zezë "Presidentet" erdhi për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me interpretimin e tre aktoreve të njohura. Kjo komedi shkruar nga Werner Schawab u soll në skenë nga regjisorja austriake Sabine Mitterecrek me interpretimin e aktoreve Adriana Tolka, Ermira Gjata dhe Eni Jani. “Presidentet” është historia e tri grave, jeta e të cilave nuk shkon përtej ekranit të televizorit, fanatizmit fetar, punës poshtëruese dhe rikujtimit të ngjarjeve të së kaluarës. Gjithsesi personazhet e veprës janë plot gjallëri në degradimin, poshtërsinë e neveritshme dhe budallallëkun, shkëmbimi i të cilave prodhon vetëm dhimbje dhe zemërim. Presidentet e Werner Schawab janë dy pensioniste me të ardhura minimale dhe një pastruese tualetesh me iluzione fetare.

Ato nuk i bien në qafë askujt, nuk shërbejnë më për të ardhura ekonomike dhe janë të paafta për të lindur trashëgimtarë. Ato veçse frymojnë dhe kënaqësia e tyre vjen duke u shtuar nga të folurit, të dërdëlliturit në çdo frymëmarrje, që ndërpret agoninë e dhimbjes së heshtur. Bota e tre personazheve endet rreth tavolinës së një kuzhine dhe vetëm një racion mishi u jep atyre shijen e jetës së mirë. Erna, Grete dhe Marile janë të venitura dhe as nuk duan t’ia dinë që i mëshirojnë. Në materialin e veprës thuhet se triumfi i tyre qëndron vetëm tek të ekzistuarit. “Ajo ekzistencë nuk frymëzon mençurinë e të nënshtruarve, të cilët mund ta paramendojnë botën e ardhshme, çka ato thonë është po aq e gabuar, sa dhe kushtet e ekzistencës së tyre. Çdo fjali, me fjalë të rrumbullakosura në gjuhën e tyre, u jep atyre pushtet dhe për këtë duhet luftuar me bindje, truk e dredhi deri edhe me vrasje dhe goditje vdekjeprurëse. Ashtu siç bëjnë edhe presidentët dhe presidentet në botën e madhe. Por ekziston edhe nostalgjia për diçka krejt tjetër. Jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për t´u bërë i dallueshëm në veçantinë e vet, pangatrrueshmërinë e vet”, thuhet për shfaqjen, që erdhi në skenë për publikun në sallën Moliere të Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Puna për komedinë

Mënyra e të shkruarit e autorit Werner Schwab (1958-1994), që në kohërat kur ai jetoi jo gjatë, ishte një sensacion. Me forcën dhe poezinë e teksteve të tij, ai ndryshoi teatrin, si asnjë autor gjermanishtfolës, asnjë autore gjermanishtfolëse tjetër pas tij. Regjisorja austriake Sabine Mitterecker e ka përshkruar punën e saj për realizimin e shfaqjes, që përveç lodhjes i ka falur dhe kënaqësi nga bashkëpunimi me tre artistet shqiptare. “Janë tre zonja shumë të veçanta. Nuk ishte e lehtë për mua të punoja në një gjuhë të huaj, por përveç lodhjes çdo gjë e kam bërë me kënaqësi shumë të madhe”, ka treguar mbi komedinë dhe punën me aktoret regjisorja austriake Sabine Mitterecker. Autori Werner Schwab te komedia “Presidentet” e paraqet së prapthi etikën e krishterë të vuajtjes, sepse e konsideron atë diçka serioze. Ai shkon tek më banalja dhe më e imta. Regjisorja thotë se është kujdesur që të gjitha botëkuptimet të marrin nga një goditje të vogël, jo vetëm katolikët dhe ortodoksët, por edhe maçot dhe myslimanët. Ky bashkëpunim për të sjellë këtë shfaqje në skenë me një regjisore të huaj vjen në vijim dhe të tjera veprave, që kanë angazhuar regjisorë të huaj në Teatrin Eksperimental. Në këtë teatër janë angazhuar me veprat teatrore regjisorë grekë, francezë, italianë etj. Ndërkaq që mbrëmë në sallën Moliere të këtij teatri ishte radha e komedisë së zezë “Presidentet”, e realizuar për në skenë nga regjisorja austriake fituese e disa çmimeve Sabine Mitterecrek.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, volumi 1 nga autorët Ylli Merja dhe Erjola Braçi është botimi më i ri, që vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Mor

Postuar: 18/07/2019 - 07:31

Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh.

Postuar: 18/07/2019 - 07:30

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendr

Postuar: 18/07/2019 - 07:29

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë përballet sot jo vetëm me probleme financiare, por dhe me një

Postuar: 17/07/2019 - 07:30

Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 196

Postuar: 17/07/2019 - 07:29

Ekspozita “Phos” vjen përmes fotografive nga Emira Zenelaj në galerinë FAB.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst