BREAKING NEWS

Bien rastet e reja! Më shumë të shëruar se të infektuar, ja si paraqitet sot situata epidemiologjike në Shqipëri në 24 orët e fundit

Bien rastet e reja! Më shumë të shëruar se të
x

Kultura

Agim Janina: Abuzimet me veprat e artit, në Shqipëri të shmangen monumentet që nuk japin mesazh dhe nuk kanë estetikë

Agim Janina: Abuzimet me veprat e artit, në Shqipëri të shmangen

Artistë dhe studiues të ndryshëm shprehen se problemet me veprat e artit janë prej vitesh, ndërsa sipas tyre përgjegjësi kanë edhe institucionet. Ajo që ndodhi me shtatoren e Heroit Kombëtar Skënderbeu dhe komandantit legjendar Adem Jashari në Prizren bëri që nga komuniteti artistik dhe më gjerë të kishte shumë reagimi. Por për studiuesin e artit Agim Janina edhe më parë janë bërë punime nga autorë, që kanë ngjallur diskutime. Studiuesi thotë se në Kosovë, por edhe në Shqipëri duhet të shmangen monumentet, që nuk japin mesazh dhe nuk kanë estetikë. Në një reagim të tij studiuesi Agim Janina duke folur për rastin në Prizren thotë se në Kosovë është vënë re ajo që ai e quan si shtatoremania. “Ajo që ndodh sot sidomos me skulpturat shqiptare në tërësi në trevat jo vetë brenda terrenit shtetëror, është një problem i madh i mangësive të shumta të ngritjes së tyre. Problemi është që te ngritja e këtyre monumenteve, shtatoreve, busteve dhe kokave të këtyre luftëtarëve ato janë bërë në mënyrë të papërgjegjshme nga autorë të pakualifikuar, shpeshherë dhe diletantë siç është rasti i shtatores së Adem Jasharit në Prizren. Kjo për mua është shfaqur si një shtatoremani, pra të ngremë sa më shumë skulptura për ti nderuar këta njerëz”, thotë ai. Për studiuesin e artit Agim Janina kur flitet për vepra arti veçse i dedikohet një e personazhi ajo ka dhe një përgjegjësi të vlerës artistike. Sipas tij, problemi është që çfarë do të thuash me këtë figurë, sa ajo shpërfaq vlera artistike. “Flitet për skulptura, që kanë mangësi në formim, në konceptim, që nuk janë të ndërtuara në mashtabin ose përmasat e duhura, ku proporcionet nuk ruhen. Nuk është problemi që janë bërë me qëllim, por është mangësi e skulptorit, që nuk arrin dot ta bëjë një vepër të tillë realiste”, thotë më tej ai. Për studiuesin Agim Janina konkursi me veprat është një domosdoshmëri. Por sipas tij problemi vazhdon, sepse vendosen pa një komision, pa një juri dhe vlerësim paraprak, pa një ndjekje të punës. “Nuk po flasim vetëm për Prizrenin, por edhe në Shqipëri ka ndodhur kjo ku kanë mbirë më shumë si iniciativa private ose si iniciativa po private nga x kryetar bashkie, që vendos të ngrejë një monument pa pyetur fare, pa konkurs. Por konkursi në veprat e artit është një domosdoshmëri. E dyta, krijimi i komisioneve është një domosdoshmëri pa të cilën nuk mundet dot të ngrihet një vepër arti. Një shtatore ka nevojë  për një bashkëpunim edhe të një arkitekti dhe urbanisti për arsye se në vetvete mund të jetë bukur, por nuk lidhet me urbanistikën dhe arkitekturën e sheshit, ku do vendoset”, thotë Janina.

Vepra në Tiranë 

Në reagimin e tij studiuesi Agim Janina shprehet se dhe në Shqipëri ka pasur raste kur ka ndodhur abuzim me veprat e artit. Ai flet dhe për problemin me veprën e Ismail Qemalit apo dhe shtatoren e Sulejman Pashës, ku kjo e fundit sipas tij duhet hequr. “Ne kemi raste në Tiranë. Shtatorja e punuar me mjeshtëri nga Odhise Paskali për ambient të mbyllur të Muzeun Historik Kombëtar, por që e morën dhe vendosën në lulishte, që është një vepër dinjitoze por nuk lidhet me mjedisin ku është vendosur. Kemi një shtatore të atij, që me pa të drejtë për mua është quajtur themeluesi i Tiranës, Sulejman Pasha një shtatore që në fillim u vendos në kryqëzim të rrugës si polic trafiku, i cili nuk e nderon Tiranën që është shumë më e vjetër se pasha. Ajo vepër duhet hequr, sepse nga pikëpamja ideore është njeri i veshur me qyrkyn e sulltanit, në dorë ka ferman që vjen këtu me urdhër të padishahut për të themeluar kryeqytetin. Edhe në Shqipëri ka abuzime me veprat, ke monumente që janë kitsch, që nuk qëndrojnë, që nuk japin mesazh, nuk kanë estetikë dhe të vjen keq”, thotë Agim Janina. Sipas studiuesit shembuj të mirë në vend kemi në veprat e skulptorëve të njohur si Odhise Paskali, Hektor Dule, Perikli Çuli, monument të grupit skulpturor siç është “Nëna Shqipëri” bërë me tre autorë, kemi të Janaq Paços dhe të tjerë autorë që nderojnë.