Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agim Krajka: Kam alergji nga RTSH, çuditem si vazhdon ta drejtojë një i paaftë si Petrit Beci

Agim Krajka: Kam alergji nga RTSH, çuditem si vazhdon ta drejtojë një i paaftë si Petrit Beci

Postuar: 16/04/2013 - 11:33

Agim Krajka është kompozitori i cili ka merituar një vend nderi në muzikën shqiptare. Me dekada krijimtari muzikore, këngët dhe veprat muzikore të mjeshtrit të madh Agim Krajka kanë mbetur të pavdekshme. Për kompozitorin e njohur, bazë në frymëzimin e tij ka qenë dhe folklori shqiptar, dhe tregon se sot i vjen keq që ka humbur kjo traditë në krijimtarinë muzikore. Pjesëmarrës në Festivalet e Këngës në RTSH që në fillimet e tij dhe për të vijuar dekada më pas, kompozitori Agim Krajka tregon se ka punuar shumë për këngët e tij, por sot fatkeqësisht ai shprehet se ndihet i pavlerësuar nga RTSH. Kompozitori tregon se çështja e së drejtës së autorit mbetet ende një problem shumë i qenësishëm për artistët shqiptarë. Në intervistën dhënë për gazetën, ai pohon se është i lodhur dhe i zhgënjyer nga mungesa e rregullave ligjore apo më saktë nga moszbatimi i tyre në RTSH. Përballë kësaj situate Krajka flet dhe për media të tjera që abuzojnë me të drejtën e autorit, dhe aq më keq tregon ai kur RTSH çfarë nuk ka bërë me krijimtarinë e artistëve shqiptarë, dhe ata nuk kanë marrë 100 lekë. Për situatën që ka sot me RTSH, ku krijimtaria para viteve ’90 sa i takon të drejtës së autorit iu është mohuar shumë kompozitorëve, Krajka tregon se përgjegjës për këtë janë drejtues të tij. I njohur për kompozimet e tij, që nga ato të parat, që nisin me këngën “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961, më pas me “Gjyshe”, “Djaloshi dhe Shiu”, “Nuk e harroj”(kënduar nga motrat Libohova), etj, kompozitori Krajka shprehet se nuk ka shpresë që ai, por edhe shumë artistë të tjerë do të marrin atë që u takon.
 
-Jeni një prej emrave më të njohur në krijimtarinë muzikore shqiptare dhe për dekada keni qenë pranë RTSH me aktivitetet që mbanin emrin e këtij televizioni ndër vite. Keni pohuar se RTSH iu ka mohuar të drejtën e autorit mbi krijimtarinë. Kur e keni kërkuar atë?

Edhe ta organizosh me dorë një pisllëk të tillë, ti vësh qëllim vetes për ta bërë këtë në lidhje me të drejtën e autorit, nuk do të kishte ardhur deri në atë gradë që është sot. Jam autor muzike i shtatë filmave, që shfaqen në media të ndryshme televizive, jam autor i 20 çmimeve në Festivalet e Këngës në RTSH, 17 çmime të dytë, dy të treta dhe një çmim të parë, pra janë vite të tëra krijimtari. Nuk po përmend këtu balete, valle, etj, që unë kam shkruar për Ansamblin e Shtetit, muzikë instrumentale, etj, dhe nuk marr asgjë nga e drejta e autorit, ku kryesor për këtë abuzim është RTSH. Kur u ktheva nga Amerika në vitin 2007, gjëja e parë që bëra ishte që ngjita shkallët e RTSH, këtë e bëra sepse mu duk vetja se atje isha rritur. Unë aty e kam filluar krijimtarinë muzikore dhe aty e kam lënë në vitin 1990 kur u largova. Më bëri përshtypje të tmerrshme ai takim aty, sa dhe sot nuk e besoj dot se si ndodhi. Takoj atë kohë drejtorin e RTSH, Petrit Beci, dhe i them: “zoti drejtor, si je më tha zoti Agim? Të lutem i thashë,- a ka mundësi që unë të marr diçka nga arkiva, që unë i kam kushtuar gjatë gjithë jetës sime RTSH”. Unë kisha 16 vjet në Amerikë dhe doja të merrja disa nga këngët e mia. Unë këngët për festivalet e RTSH i kam shkruar. Por përgjigja që mora ishte: “Zoti Agim, deri në 1993 e poshtë nuk japim, ndërsa pas 1993 e lart po”. U habita dhe i them: “ Në 1991 unë jam larguar në Amerikë, pse nuk kam unë të drejtë që kam 33 vjet krijimtari në RTSH”. Ky ka qenë prezantimi i parë me mua i drejtorit Beci, që unë nuk arrij dot ta kuptoj se si vazhdon të qëndrojë akoma ai njeri në RTSH, me paditurinë e tij për të drejtuar një televizion të tillë siç është RTSH. Më vjen keq se RTSH kujt nuk ia ka dhënë krijimtarinë jo vetëm timen por të gjithë gjeneratës sime, ndërsa mua asgjë. Të gjithë mediat televizive që janë si Tv Klan, etj, ne i dëgjojmë krijimtaritë tona me nostalgji, sepse nuk i gjejmë dot kurrë, ose mund ti gjejmë me ndonjë CD që mund të jetë me këngë të Vaçe Zelës.

-Pra sipas jush RTSH bën padrejtësi që krijimtarinë tuaj dhe gjeneratës suaj, ua jep dhe medieve të tjera, ndërsa ju si autorë nuk përfitoni asgjë?

RTSH ua jep krijimtarinë të gjithë institucioneve, që kanë interes me njëri-tjetrin, mediave televizive dhe ne autorëve na lë me gisht në gojë. Nuk ka pasur RTSH vetëm këngët e festivaleve, sepse ne dhe muzikën e filmave atje e incizonim me Orkestrës e RTSH. A duhet të përgjigjet njeri sot për këtë, se çfarë bëhet me krijimtarinë e gjeneratës sime? Si është e mundur që as ato ekrane të tjera nuk na dhanë as dhe njëqind lekë, aq më keq RTSH që ka të gjithë pasurinë tonë? Për mua drejtori në RTSH ka qenë një mashtrues në marrëdhëniet me mua. Ka fyerje më të madhe që na bën sot RTSH neve krijuesve, kur ne i shikojmë ato që janë krijimet tona edhe në media të tjera, dhe sigurisht që kanë qenë në arkivin e RTSH. Në këtë televizion sot mua nuk më afrojnë fare, sepse iu bie kokës për çdo problem, dhe është një vërtetësi sepse i takon popullit tim të ketë këngën e bukur shqiptare dhe jo pseudokëngë siç po shfaq RTSH. Kjo që po ndodh sot me krijimtarinë tonë muzikore është një hajdutllëk klasik. Kjo nuk ka të bëjë me qeverinë, por ka të bëjë me strukturat drejtuese që janë në RTSH. Çfarë ka qenë para viteve ’90 për të gjithë gjeneratën time dhe për mua, asnjë cent nuk na është dhënë. RTSH ka 40 vjet krijimtari dhe nuk janë pak. E theksoj edhe sikur grupe të organizuar të ishin për të dhunuar të drejtën e autorit, sërish do të na jepnin ndonjë lek, por kjo s’i falet RTSH, krijimtaria jonë është shumë fitimprurëse nga ata që përdoret sot. Nuk është vetëm djersa ime, por është djersa e brezave, qofshin poetë, kompozitorë, këngëtarë.

-Ju thatë që RTSH ju ka larguar, si ndiheni nga kjo?

RTSH nuk na thërret fare, me përjashtim që kur u bë festivali i fundit në RTSH u përmend emri im nga spikeri Enkel Demi, të cilin e falënderoj se më thirri dhe në një emision që bën ai, por nga RTSH me programacionin e tij nuk jemi thirrur.

-Ju thatë që RTSH falë krijimtarisë suaj ndër vite por dhe shumë emrave të tjerë në muzikë ka një arkiv shumë të pasur. Por sot pothuajse asgjë nga ai arkiv nuk shfaqet. A duhet të jetë dhe në ekran?

Mendoj se nuk mundet ta shfaqë, sepse kudo ka klane. Të dëgjosh këngë të bukura të Çesk Zadesë, Aleksandër Lalos, etj, është një gjeneratë e tërë që është rritur me këtë krijimtari dhe mbush dhe sytë me lot kur dëgjon këngët tona, por RTSH e mohon këtë. RTSH sot bën pseudofestivale. Më thoni, kë ngacmoi festivali i fundit që u bë në RTSH? Më thuaj një njeri që di të këndojë këngët e festivalit sot? Asnjë nuk i di. Kjo sepse janë pisllëqe të organizuara nga vetë drejtuesit.

-Po flisni për festivalet, ku keni qenë pjesëmarrës që në edicionet e para të tij dhe keni vijuar dhe për disa dekada më pas, por kaq për të dëshiruar lë dhe niveli i kompozitorëve sot?

Edhe një këngë që bëhet e quajnë veten kompozitorë, por nuk mund të bëhesh dot. Nuk mundet dot që pa shkollë ti japësh vetes titullin kompozitor. Janë turma të organizuara, i japin paratë atij që duhet, ai i merr këto para dhe më pas i lejon dhe të hyjnë në festivale. Më vjen keq vetëm për popullin tim nga kjo që shikon sot. Ne jemi një popull me një trashëgimi shumë të pasur.

- Sot sa e shikoni RTSH?

Çfarë ti shikoj sot RTSH? Mund të ketë spikere, por s’ka gjë tjetër që ia vlen ta vlerësosh nga niveli artistik. Ja pashë dhe festivalin e këngës, por kur e pashë thosha: “si ka mundësi? Mirë këta njerëz që dalin dhe këndojnë kështu, por nuk ka njeri të ndërgjegjshëm që ti thotë që nuk është këngë për shqiptarët”. Nga pesë festivalet e fundit më thoni se çfarë niveli kanë pasur këngët? Në kohën tonë nuk të linte njeri të shkruaje këngë vetëm se kishe një piano në shtëpi. Duhet të shkoje në shkollë dhe të merrje diplomën, më pas në juri kisha profesorin tim Çesk Zadenë dhe nuk mund të shkruaja në përgjithësi muzikën dhe ta orkestroja. Me këtë që shikoj sot, mos ma zini më në gojë RTSH, më duket sikur kam alergji. Nuk kam asgjë për njerëzit që punojnë aty dhe nuk kanë funksion drejtues, por të fillosh nga drejtuesit dhe ndihmësit e drejtuesve lënë për të dëshiruar. E patë festivalin e Sanremos, ishte 100 për qind muzikë italiane, por dhe Franca nuk të lejon që të shkelësh mbi kulturën e saj apo dhe shtete të tjera vetëm për hir të globalizmit, që ne nuk dimë se nga na ka ardhur dhe nuk dinë se si ta kapërcejmë? Shikoni sot këngën ruse, bullgare, serbe, etj, kanë kujdes për kulturën e tyre kombëtarë, investojnë për krijimtarinë e tyre, por fatkeqësisht ec e merre vesh se ç’po bëjnë me këngën tonë.
Intervistoi: Julia Vrapi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/01/2019 - 07:59

Kompozitori i mirënjohur, prof. Kozma Lara u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare. Homazhet në nder të tij u zhvilluan në Universitetin e Arteve.

Postuar: 20/01/2019 - 07:57

Teatri Metropol ka nisur këtë vit artistik me shfaqjen “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervi

Postuar: 20/01/2019 - 07:56

Viti që ka nisur e gjen aktorin Genci Fuga në punë për një tjetër projekt teatror.

Postuar: 19/01/2019 - 12:11

Një varr bosh gjendet e në oborrin e Ministrisë së Kulturës në Kinostudio.

Postuar: 19/01/2019 - 11:59

Jonida Beqo rikthehet në krye të drejtimit të Qendrës Kulturore Tirana dhe Teatrit të Metropolit

Postuar: 19/01/2019 - 07:42

 Mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës komedia "Boeing Boeing" pret publikun në sall

Postuar: 19/01/2019 - 07:41

 Dy artistët e njohur Helidon Gjergji dhe Fatos Qerimaj për publikun u prezantuan me perform