BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Kultura

Agim Sulaj vjen me ekspozitën “Rrënjët 4”, me 60 punime në pikturë dhe vizatime

Agim Sulaj vjen me ekspozitën “Rrënjët 4”, me 60

Piktori i njohur Agim Sulaj këtë muaj të fundit të vitit vjen për publikun me ekspozitën personale “Rrënjët 4”. Një ekspozitë, që hapet çdo vit me punime të ndryshme, këtë herë është e katërta që vjen për publikun. Ekspozita përmban 60 vepra, 30 janë tablo pikture dhe 30 janë vizatime, ku një pjesë e këtyre punëve prezantohen për herë të parë për publikun. I njohur në botë me krijimtarinë e tij, piktori Agim Sulaj vjen përsëri këtë vit në Shqipëri, ku prezanton pikturat në vaj, mbresa udhëtimesh dhe tema historike. Një penelatë e shkathët në stilin e këtij viti, pasuron me larmi sallën e hotel “Plaza”, aty ku çdo vit prezantohen punët e tij. Gjatë këtij viti piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehet se për ekspozitën në Tiranë këtë muaj të fundit të vitit më datë 12 dhjetor, ka kohë që e ka menduar. “Kam kohë që heq nga një pikturë mënjanë për idenë e ekspozitës në Tiranë. Unë vij me shumë dëshirë te artdashësit e mi dhe sjell me kërshëri veprat e reja. Janë rreth 30 tablo në vaj dhe 30 janë vizatime ndër vite”, pohon piktori i njohur Agim Sulaj. Ekspozita me piktura dhe vizatime “Rrënjët 4” këtë vit është ndarë në dy kate. Piktori tregon se në piktura janë peizazhe të qyteteve si Tiranë, Durrës etj. “Në katin e parë janë pikturat dhe në katin e tretë do të ekspozohen vizatimet e viteve të rinisë kohës së liceut dhe Akademisë. Janë peizazhe Tiranë, Durrës, Berat si dhe etyde me penë e gjilpërë të thatë të ambienteve ku artisti kam jetuar dhe punuar”, pohon piktori Agim Sulaj për ekspozitën, që do të çelet pas disa ditësh për publikun.

Krijimtaria e piktorit

Te vizatimet piktorit Agim Sulaj shohim detajin e objektit dhe pasurinë e formës dhe pse në gjetje të thjeshta, rrugica të Tiranës e Beratit plot diell e nostalgji. Momente intime të jetës, në familje si portretet e gjyshes, etj. Një vlerë e veçante në këto vizatime është dhe fakti, që shumica e tyre prezantojnë objekte e rrugica, që tani nuk ekzistojnë më, pasi sistemi urbanistik ka ndryshuar. Në pikturë, autori Agim Sulaj i kthehet përsëri figurës së Ali Pashë Tepelenës para Sulltanit, por këtë variant ai e sheh këtë herë në mënyrë më hiperealiste me mesazh me modern e domethënës. Disa tablo vijnë për herë të parë dhe kanë qenë pjesë e ekspozitave në muzeun Meam Barcelona si dhe Galeria arte libre Saragoza, Spanjë. Po ashtu piktori ka detajuar me dashuri peisazhe nga Venecia, Vlora, etj. Këtë vit është sponsorizuar dhe një katalog për ekspozitën, nga Canadian Institute of Technolgy në Tiranë. Pak javë më parë, artisti i njohur Agim Sulaj fitoi “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga "Hosteni". Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te "Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj.

Nga Julia Vrapi