BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Ajet Nallbani: Ndal dorës së krimit ndaj monumenteve, konceptin e konservimit e kanë zëvendësuar me rindërtim

Ajet Nallbani: Ndal dorës së krimit ndaj monumenteve, konceptin e

Monumentet e kulturës përballen me probleme nga më të ndryshmet, ku për dëmtimet sipas specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore përgjegjësia është e institucioneve. Në reagimet e tyre ata shprehen se dhe në kohën kur po flitet për zhvillimin e turizmit, po kalojnë caqet me sllogane që po dëmtojnë rëndë trashëgiminë kulturore në vend. Specialisti Ajet Nallbani shprehet krimi ndaj monumenteve duhet ndalur dhe se me dashje po dëmtohet trashëgimia kulturore. “Ndal dorës së krimit ndaj monumenteve. Velantura e turizmit, po i hedh shaminë e zezë trashëgimisë. Ka kohë që nën moton e zhvillimit të turizmit, duke bërë zhurmë të madhe për "Industrinë e turizmit", si i vetmi faktor që mund të sjell zhvillim dhe rritje të ekonomisë shqiptare, po i kalon caqet me slogane, që me dashje apo pa dashje po dëmtojnë rëndë trashëgimin kulturore, aq e vyer për ndjenjat tona dhe për ekonominë shqiptare”, shprehet në reagimin e tij Nallbani. Për specialistin e trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani, ideator të ndryshëm, funksionar, pushtetar lokal apo qendror, pseudospecialistë të trashëgimisë, që i njohin mirë ligjet dhe kartat ndërkombëtare të trashëgimisë, shpesh janë promotor të projekteve për vënien në shfrytëzim të monumenteve në favor të turizmit. “Në pamje të parë kjo duket pozitive dhe çdo kundërshtim të bënë fajtor, konservator, jashtë kohe etj. Vërtet është shumë me vlerë ti japësh jetë monumentit, sidomos ato të braktisura, sepse siç thotë populli godinën e mban fryma gjallë. Por kur me këto parime të nevojshme abuzohet dhe nga mbajtje gjallë kalohet në super shfrytëzim, që do të thotë për specialistët nga konservim, maksimumi deri në restaurim të ndonjë elementi të degraduar, tashmë është zëvendësuar me rindërtim, plotësim kushtesh për funksionin e ri, më shkurt shkatërrim”, thotë Nallbani. Duke shprehur shqetësimin se çfarë po ndodh sot me trashëgiminë kulturore në vend, specialisti Nallbani vijon se nëse vijon kjo gjendje nuk do të kemi më trashëgimi dhe as turizëm. “Në se do vazhdohet kështu momentalisht mund të gënjejmë veten me shërbim të turizmit, por mbas ca vjetësh kur me ritmet e tanishme çdo gjë do jetë transformuar do shohim se nuk do kemi më trashëgimi dhe si rrjedhim as turizëm. Atëherë do ta shohim veten në varfëri të plotë”, shprehet ai.

Mbrojtja e trashëgimisë, për të ardhur keq

Specialisti i trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani thotë më tej se për këtë gjendje shkaqet janë të shumta. Për specialistin, tranzicioni i gjatë nuk mund të kontrollojë situatat e rënda që krijohen herë pas here. “Vlerësimi nga autoritetet vendore dhe qendrore, gjykatat dhe gjithë levat që duhet të funksionojnë për mbrojtjen e trashëgimisë janë për të ardhur keq. Më e keqja është te ata, që ia dinë rëndësinë, se kanë punuar dhjetëra vjet dhe janë specialistë të mirëfilltë dhe çuditërisht, asgjë nga vlera e tyre nuk ka mbetur te projektet që bëjnë, por dominon porositësi, i cili nuk do t'ia dijë për monumentin, mjaft që realizohet objektivi i tij, "se ai ka paranë". Pse nuk dënohet një projektues, kur ai mban qëndrim negativ me kërkesat e kartave ndërkombëtare të restaurimit, apo ata, që i aprovojnë këto lloj projekte?”, shprehet Nallbani. Në reagimin e tij, specialisti i njohur shton më tej se përballë kësaj gjendje me probleme edhe konceptin konservim ka raste, që e kanë zëvendësuar me rindërtim. Si specialist, Ajet Nallbani thotë se kjo është për të ardhur keq sot. “Çuditërisht, janë pajisur me licenca njerëz që nuk kanë punuar kurrë me monumentet, apo që njohin kartat dhe materialet shkencore të koservimit, dhe konceptin konservim e kanë zëvendësuar me një rindërtim që për syrin e injorancës është një "mrekulli", por për vlerat e trashëgimisë është krim i rëndë. Për të ardhur keq, këta lloj kanë aftësinë të marrin tenderat që nga syrtarët”, pohon Nallbani. Problemet vazhdojnë në monumentet e ndryshme të kulturës në vend dhe për specialistin Nallbani kjo praktikë shkatërruese duhet të marrë fund për trashëgiminë kulturore. Sipas tij, nëse një monument rindërtohet nuk ka më vlerë. “Do dëshiroja të marri fund kjo praktikë shkatërruese, nëse duam të trashëgohet te brezat e ardhshëm kjo pasuri që na ka vlerësuar si popull me trashëgimi të pasur. Rrugët janë të kollajshme, komisionet e aprovimit të projekteve të jenë shkencore dhe të pavarur dhe të hiqet e drejta e projektimit të gjithë atyre që kanë shkelur kriteret. Në të kundërt, do kemi përgjegjësi të rëndë para brezit të ri për këtë katastrofë që nuk rregullohet më. Monumenti po u rindërtua nuk ka vlerë më, ai ka vlerë sa një bust i një të vdekuri”, vijon Nallbani. Në fund të reagimit të tij, specialisti Ajet Nallbani thotë se fton kolegët me të gjithë potencialin e tyre mendor të bashkohen në frenimin e kësaj katastrofe.