BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Akademia e Shkencave, konferencë shkencore kushtuar veprës së Shaban Demirajt

Akademia e Shkencave, konferencë shkencore kushtuar veprës së

Akademia e Shkencave do të zhvillojë një konferencë shkencore kushtuar veprës së Shaban Demirajt, që përkon dhe me 100 vjetorin e lindjes së akademikut. Akademia bën me dije se konferenca do të zhvillohet në mjediset e jashtme të saj, në datën 30 shtator. “Konferencë shkencore in honorem. Vepra e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve”, bën me dije ASH për këtë konferencë, që do të zhvillohet pas disa ditësh. Shaban Demiraj (Vlorë, 1 janar 1920 - Tiranë, 30 gusht 2014) ka qenë gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 - 1997. Kreu medresenë në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetvete rekord të këndshëm. Është njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, etj. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989). I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm. Kohëzgjatja në këtë funksion flet vetë. Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendës-dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai do të mbetet në historinë e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe të Universitetit të Tiranës si drejtues që u shqua për punë të pakursyer dhe të një cilësie të lartë. Prof. Demiraj është i njohur në botën shkencore ballkanike dhe evropiane me kumtimet e tij në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare e me artikuj.