Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Rikthehen telashet për Berishën, të mërkurën rihapet gjyqi i Izet Haxhisë, thirren dëshmitarët e parë për vrasjen e Hajdarit

Rikthehen telashet për Berishën, të mërkurën rihapet
x

Kultura

Akademia e Shkencave nderon Aleks Budën, ish kryetari i parë i saj

Akademia e Shkencave nderon Aleks Budën, ish kryetari i parë i saj

Akademia e Shkencave nderoi në 110-vjetorin e lindjes, ish kryetarin e parë të saj, akademikun, historianin, eruditin Aleks Buda. Aleks Buda (1910-1993) një personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, kryetar i parë i ASHSH (1972-1993), “Mësues i Popullit”. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitin 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi Sektorin e historisë e të sociologjisë dhe dha ndihmesë në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë e të historisë së lashtë, të historisë së mesjetës, të historisë së kohës së re, të artit mesjetar, etnografisë etj. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare. Me ngritjen e UT (1957) Aleks Buda u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Në fushën e mesjetës trajtoi tema kushtuar vazhdimësisë iliro-shqiptare, gjenezës së popullit shqiptar, formimit të gjuhës e të kulturës së tij, autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre amtare, kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, Skënderbeut dhe epokës së tij etj. Ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe në trajtimin e problemeve të historisë së Rilindjes. Aleks Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë” (vëllimi I-II, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkë-redaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë” (vëllimi II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, vëllimi II, 2002. Aleks Buda i la kulturës kombëtare një trashëgimi të pasur, studime me problematikë të gjerë arkeologjike, historike, gjuhësore etj, të përmbledhura në katër vëllime me titull “Shkrime historike” (I-II, 1986; III, 2002; IV, 2000).