BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Akademia e Shkencave promovon dy fjalorë të gjuhës shqipe

Akademia e Shkencave promovon dy fjalorë të gjuhës shqipe

Akademia e Shkencave organizoi të martën promovimin e dy fjalorëve, “Fjalor i gjuhës shqipe” i përgatitur nga një grup gjuhëtarësh dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” i Aleksandër Xhuvanit. Kryetar i ASH, akademiku Skënder Gjinushi mes të tjerave në fjalën e tij tha se synimi është, që përmes fjalorëve të bëhet e njohur fuqia shprehëse e gjuhës shqipe prej fillimeve deri më sot. “Rruga që hapi Kolë Ashta, me Leksikun historik të shqipes, me fjalorin e autorëve të vjetër nga Buzuku deri tek Bogdani, është një nga mënyrat për të nxjerrë nga arkivi fjalët dhe format e vjetra të gjuhës sonë dhe për t’i kthyer në komunikim libror e ndoshta dhe bisedor. Në anën tjetër, fjalori i Ismail Kadaresë, i nisur por ende i papërfunduar; fjalori i Martin Camajt, për të cilin po punohet; fjalori i Dritëro Agollit, fjalori i shkrimtarëve bashkëkohorë në Kosovë, është një rrugë tjetër për të certifikuar gjendjen e sotme të shqipes”, tha Gjinushi. Më tej në fjalën e tij në këtë promovim, akademiku Skënder Gjinushi pohoi se gjatë këtij viti do të botojnë edhe një fjalor krahinor, fjalorin gjuhësor e etnografik të Malësisë së Mbishkodrës, përgatitur nga akademiku Gjovalin Shkurtaj. “Kështu, fjalorët historikë, fjalorët dialektorë dhe fjalorët njësues, zhvilluar në përpjesëtim të arsyeshëm, na japin mundësi të paraqesim gjuhën tonë jo vetëm si kod komunikimi mbarëshqiptar, por edhe si trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar”, tha kreu i ASH. Akademiku Gjinushi tha se kanë quajtur vitin e kaluar vit të fjalorëve dhe vit fjalorësh do të jetë edhe 2021. Kjo sipas tij, sepse ka nisur puna për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, me mbi 110 mijë fjalë e shprehje frazeologjike. “Një nga tre projektet tona madhore në albanologji, që ka gjetur edhe mbështetje shtetërore me burime financiare dhe që do të realizohet si bashkëpunim ndërakademik e ndëruniversitar midis gjuhëtarëve të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera. Kështu, brenda 2-3 vjetësh, do të realizohet një ëndërr e hershme e shkrimtarëve rilindës dhe e atyre që erdhën më pas dhe do të hapet rruga për të kaluar nga fjalorët dhe korpuset elektronikë, tek një thesaurus shterues i gjuhës sonë, për të cilin do të na duhet të punojmë relativisht gjatë”, tha Gjinushi. Të pranishëm në këtë promovim akademikët Jani Thomai dhe Valter Memisha folën për rëndësinë e këtyre veprave, por dhe treguan punën që po bëhet edhe për hartimin e “Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe”. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrje të kufizuar në mjediset e akademisë dhe online në Join Zoom Meeting.