BREAKING NEWS

Tubimi i 2 Marsit/ Spartak Ngjela paralajmëron Ilir Metën, zbulon kush do ta dënojë rëndë presidentin

Tubimi i 2 Marsit/ Spartak Ngjela paralajmëron Ilir Metën, zbulon kush
x

Kultura

Akademia e Shkencave propozon Kadarenë për çmimin “Nobel”

Akademia e Shkencave propozon Kadarenë për çmimin

Tryeza e debatit “Kadare dhe letrat shqipe”, me rastin e 84 -vjetorit të lindjes së shkrimtarit mblodh studiues dhe akademikë. Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Pas fjalës së hapjes nga Alda Bardhyli drejtoreshë e QKLL, fjalën e mori kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi. Me të ftuar si Persida Asllani pedagoge në Universitetin e Tiranës, Diana Çuli shkrimtare, Pirro Misha drejtor i Bibliotekës Kombëtare, por dhe të tjerë dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të kryesisë së ASH, u diskutua mbi vlerat e mëdha të shkrimtarit. Po në këtë takim u bë me dije dhe propozimi i Ismail Kadaresë tek Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë, si kandidat për çmimin “Nobel”, në letërsi për vitin 2020. Në fjalën e tij kryetari i ASH akademik Skënder Gjinushi u shpreh se ky propozim ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm.

“Është tashmë e gjithëpranuar se, Ismail Kadare është njëherësh krijuesi protagonist parësor i letërsisë, kulturës, qytetërimit dhe mendimit shqiptar përgjatë mbi 70 vjetëve, se ai i ktheu letërsisë shqipe përmasën europiane dhe botërore. Letërsia që ai krijoi është një letërsi misionare, që u ka dhënë lirinë maksimale të mundshme lexuesve shqiptarë në një gjysmë shekulli jete në një shoqëri të kontrolluar ideologjikisht e politikisht”, tha Gjinushi.

Për kryetarin e ASH, vepra e Kadaresë ka qenë dhe është për disa breza shqiptarësh me radhë një program bujar për leximin dhe kuptimin e Perëndimit, siç ka qenë dhe është një projekt letrar për të huajt për të njohur botën shqiptare në Perëndim dhe në botë. “Kjo vepër jep dhe do të japë fuqimisht zë, për europianizimin e mendimit shqiptar dhe për mirëpritjen e tij në bashkësinë që i takon”, përfundoi Gjinushi. Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme. Në SHBA ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet “Nobeli” i Amerikës. Me çmimin “Pak Kyongni” (Pak Knjonji), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi. Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca. Presidenti francez Macron i dha atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.