BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Akademikët, një aktivitet kushtuar filozofit dhe veprimtarit Hasan Tahsini

Akademikët, një aktivitet kushtuar filozofit dhe veprimtarit Hasan

Akademia e Shkencave organizoi të enjten një veprimtari jubilare, në 210-vjetorin e lindjes dhe 140-vjetorin e vdekjes së filozofit dhe veprimtarit Hasan Tahsini. Fjala e hapjes së kësaj veprimtarie u mbajt nga akademik Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Ai tha se Hasan Tahsini ishte i pari që përhapi në popullsinë shqiptare mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX. Kumtesa mbajtën edhe akademik Rexhep Meidani, që referoi me “Një dijetar e patriot që duhet të vendoset në panteonin kombëtar të diturisë dhe atdhedashurisë”, akad.asoc. Mimoza Hafizi me “Kontributi i Hasan Tahsinit në shkencën e astronomisë”, prof. Bashkim Kuçuku me “Përmasa universale dhe kombëtare e veprës së Hasan Tahsinit”. Akad. Rexhep Meidani në kumtesën e tij e vlerësoi Hasan Tahsinin si një dijetar e patriot, që duhet të vendoset në panteonin kombëtar të diturisë dhe atdhedashurisë, i cilësuar njëkohësisht si një nga pionierët e shkencave moderne të shekullit XIX në perandorinë osmane. Akad. Meidani bëri edhe një analizë të risive shkencore të Hasan Tahsinit në veprën e tij “Bazat e astronomisë”, të cilat shpesh përkojnë me fjalën e fundit të shkencës. Akad. asoc. Mimoza Hafizi foli për kontributin shkencor të Hasan Tahsinit dhe veçmas për librin “Bazat e astronomisë” në kontekstin e zbulimeve më të mëdha të mesit të shekullit XIX. “Hasan Tahsini ishte i ndikuar nga zbulimet europiane, për arsye se kishte qëndruar e studiuar gjatë në Paris. Ndonëse ishte pjesë e një bote lindore, në veprën e tij ai mban dhe shpreh pozicionin e astronomisë europiane të asaj epoke”, tha ajo. Akad. asoc. Mimoza Hafizi vlerësoi se “Bazat e astronomisë” është një vepër që qëndron në nivelin më të përparuar të dijes astronomike të epokës kur është shkruar. Prof. Bashkim Kuçuku foli për përmasat universale dhe kombëtare të veprës së Hasan Tahsinit. Hasan Tahsini (1811-1881), lindi në Sarandë. Ishte rilindës, filozof, dijetar e atdhetar i Rilindjes Kombëtare. Tahsini ka qenë mësues i Abdylit, Naimit, Sami Frashërit, Vaso Pashës etj.