BREAKING NEWS

Tjetër rrjedhje/ Tronditet Kryemadhi, largohet ish deputeti i njohur i LSI dhe i bashkohet PS, vjen reagimi i fortë i tij: LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i kësaj partie ka mbaruar

Tjetër rrjedhje/ Tronditet Kryemadhi, largohet ish deputeti i njohur i LSI
x

Kultura

“Aktorët pyesin aktorët”, për 68- vjetorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit

“Aktorët pyesin aktorët”, për 68- vjetorin e teatrit

Teatri “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, pas disa ditësh këtë janar të vitit 2021 shënon 68 -vjetorin e tij. Regjisorja e njohur Driada Dervishi për këtë përvjetor ka nisur punën me një cikël intervistash, që ajo e ka quajtur “Aktorët pyesin aktorët”. Një cikël intervistash, që do të sjellë aktorët e njohur të këtij institucioni që kanë qenë në skenën e tij ndër vite, por janë angazhuar dhe artistët e trupës aktuale teatrore. Mësohet se në kuadër të 68 -vjetorit të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kjo seri intervistash vjen me aktorë themelues të këtij teatri, gjithashtu dhe me njerëz që kanë bërë historinë e tij. Nga burime pranë teatrit bëhet me dije se duke pasur parasysh gjatë viteve të fundit, sidomos në post vitet e komunizmit shumë prej arkivave të teatrove kanë pësuar humbje dhe për pasojë ka një mungesë të theksuar të dosjeve për aktorët përkatës po ashtu dhe të premierave të shumta që janë bërë gjatë periudhës së viteve para ‘90, ka një arsye shumë të veçantë intervistimi i këtyre personazheve kaq të mëdhenj, që nuk kanë pak, por vijojnë me mbi 100 role në teatër dhe për momentin këto role nuk janë të dokumentuara. Kjo është një formë modeste për të rikujtuar pikërisht këtë pjesë të rëndësishme të historisë të teatrit “A Moisiu”, një prej teatrove më me peshë në të gjithë sistemin teatror shqiptar në vendin tonë, i cili ka nxjerrë jo pak ikona. Nëpërmjet këtyre impresioneve të intervistave të këtyre aktorëve të njohur shpresohet, që të mbushet disi boshllëku që është krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe, ku vëmendja ndaj arkivës nuk ka qenë e ajo e duhura. Intervistat do të bëhen nga aktorët aktualë të trupës artistike të teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Pra janë aktorët e trupës ekzistente të teatrit, të cilët pyesin aktorët që prej vitesh tashmë janë shkëputur dhe nuk janë më pjesë e trupës, ku regjisorja e njohur Driada Dervishi e ka quajtur këtë cikël intervistash “Aktorët pyesin aktorët”, që do të ndiqet dhe online më pas.

Nga historia e teatrit

 Teatri "Aleksandër Moisiu" është hapur zyrtarisht në 11 janar të vitit 1953. Shfaqja e parë e tij ka qenë komedia "Vajza nga fshati" e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu. “Aleksandër Moisiu” është institucioni teatror i qytetit të Durrësit, që vë në skenë vepra të ndryshme të gjinisë së dramaturgjisë: tragjedi, drama, komedi, farsa etj. Kjo godine ndodhet në qendër të qytetit. Teatri “A. Moisiu”, trashëgoi traditat e krijuara nga lëvizja amatore e qytetit, si gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë dhe posaçërisht mbas Luftës së II Botërore. Në periudhën kohore të viteve 1920-1924 , në Durrës funksiononin shoqëritë artistike “Vllaznia”, “Durrësi”, “Teuta” etj, të cilat patën vënë në skenë drama nga Sami Frashëri, Kristo Floqi, Mihal Grameno, Foqion Postoli, si “Besa”; “Karlo Topia”; “Lulja e kujtimit”, etj. Me shfaqjen e “Ali Pashë Tepelenës”, grupi teatror i shoqërisë artistike “Teuta” fitoi çmim në takimin e teatrove amatore në Tiranë në 1930. Vlen të përmenden gjithashtu shfaqjet e dramës “Armiku i popullit” të H. Ibsen, komedia “I ligu për mend” të Molier. Politika për zgjerimin e rrjetit të teatrove profesioniste, sikurse dhe rritja edhe organizimi i veprimtarisë së grupit qëndror teatror pranë Shtëpisë së Kulturës së qytetit, bëri që më 11 janar 1953 të krijohet teatri profesionist i Durrësit, me 14 aktorë. Në vitet ‘60-të teatri “A. Moisiu” shton përpjekjet për shmangien e dukurive amatoreske si dhe për ngritjen e nivelit artistik, falë kjo përvojës së krijuar tashmë, të ndihmës që jepnin regjisorët e ftuar nga Teatri Popullor, por edhe të mbarimit të shkollave të larta të artit, apo të studiove kualifikuese pranë Teatrit Popullor, prej aktorëve si Vangjel Heba, Haxhi Rama, Milto Profi, Lutfi Hoxha, Kadri Pirro, Guljelm Radoja, Ali Bega, Mirush Kabashi, etj.