BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Kultura

“Albania Dance Meeting-Festival” në edicionin e 15, drejtori Gjergj Prevazi: Një vit i vështirë, e rëndësishme të mbajmë gjallë festivalin

“Albania Dance Meeting-Festival” në edicionin e 15, drejtori

“Albania Dance Meeting-Festival” mbërrin në edicionin e 15, në vendin tonë. Festival i cilësuar unik në llojin e tij në vend këtë vit do të zhvillohet ndryshe nga më parë. Për shkak të vështirësive që ka sjellë pandemia, festivali në edicionin e 15 do të jetë online për programin me videodans që mund të ndiqet në rrjetet sociale, ndërsa projeksionet që me substrakte të disa shfaqjeve nga trupat mund të ndiqen përmes ekraneve në ambiente të hapura jashtë. Festivali hapet këtë mbrëmje në qytetin e Durrësit, ku do të projektohen substrakte të shfaqjeve, por drejtori artistik koreografi Gjergj Prevazi thotë se 2020 ka qenë një vit shumë i vështirë për jetën artistike. “Festivalin ne e çelim me një projeksion në sheshin përpara teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ky ka qenë një vit shumë i vështirë. Edhe pse ne ishim me një vit jubilar, pasi festivali zhvillon edicionin e 15, për shkak të kushteve me pandeminë u kufizuam shumë në aktivitetin tonë. Ne menduam që të bëjmë një version të festivalit, i cili përshtatet më së miri me kushtet e protokollit dhe mundësive të pakta apo dhe lëvizjeve të artistëve në këtë periudhë. Për ne e rëndësishme ka qenë, që ta mbajmë gjallë festivalin dhe vëmendjen ndaj tij. Të mbajmë gjallë vëmendjen e artistëve”, thotë koreografi i njohur Gjegj Prevazi, që këtë mbrëmje zhvillon natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Dansit në vendin tonë. Për publikun në program janë trupa të huaja dhe shqiptare, por sipas drejtorit artistik Gjergj Prevazi ato pjesë shfaqjesh që do të projektohen me ekrane janë zgjedhur në vende jo për tubim njerëzish në “Albania Dance Meeting-Festival”. “Ne kemi zgjedhur ato vende, ku njerëzit kalojnë dhe mund të shikojnë ato substrakte të shfaqjeve në festival me këto projeksione përmes ekraneve të mëdha”, thotë ai.

Trupat pjesëmarrëse

Festivali internacional i dansit kontemporan, që këtë vit zhvillon edicionin e 15 në vendin tonë edhe më parë nga organizatorët e tij u bë me dije për vështirësitë, që po kalonin. Trupa nga Kina, Italia, Greqia, Hungaria, Shqipëria apo dhe Gjermania janë në programin e festivalit. Në një reagim të tij drejtori Prevazi thotë, se në Tiranë për projeksione të shfaqjeve janë zgjedhur vende si Universiteti i Arteve apo dhe “Reja”. Por ai shton se zhvillimi i festivalit këtë vit është dhe si ato të festivaleve të tjerë të dansit. “Nuk kam dashur të rrezikoja edhe artistët e huaj, që një pjesë e madhe shprehën dëshirën që të vijnë këtu, por kjo nuk u bë e mundur nga pandemia. Ndaj si shumë festivale të tjerë me të cilën ne jemi pjesëtarë të një rrjeti më të madh europian të dansit dhe duke marrë dhe shembullin tyre vendosëm që ta bëjmë festivalin me një format të ri, duke prezantuar videodans online dhe me projeksione në disa hapësira jashtë”, thotë Prevazi. Ministria e Kulturës dhe Bashkia Durrës e kanë mbështetur festivalin këtë vit dhe sipas koreografit Gjergj Prevazi “Albania Dance Meeting-Festival” ka krijuar një traditën e tij vjeçare. “Një traditë duke ngjallur interesin e shumë kompanive ndërkombëtare, njëkohësisht dhe individë të dansit që janë të veçantë. Në 15 vite festivalin e kanë nderuar personalitete të dansit kontemporan si Angjelin Preljocaj apo dhe të tjerë emra të njohur në botë. Festivali në vite ka qenë edhe një shkollë”, thotë ai. Nën drejtimin e koreografit Gjergj Prevazi, “Albania Dance Meeting-Festival” ka krijuar një traditë të përvitshme në vendin tonë. Festivali i dansit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skena përballur artistikisht trupa dhe kompani nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj. Sipas drejtuesit të festivalit koreografit Gjergj Prevazi, “Albania Dance Meeting-Festival”, është padyshim një dritare e hapur për të shkëmbyer idetë, teknikat dhe konceptet e reja, me artistë bashkëkohorë në fushën e dansit.