BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Kultura

Aleks Buda, një personalitet i histografisë dhe kulturës shqiptare

Aleks Buda, një personalitet i histografisë dhe kulturës

Akademia e Shkencave përkujtoi kryetarin themelues të saj, akademik Aleks Budën, në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Akademia e Shkencave shprehet se eruditi me kulturë të gjithanshme i la një trashëgimi të pasur albanologjisë dhe gjithë shkencës shqiptare në tërësi. Aleks Buda (1910-1993), ishte personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, kryetar i parë i ASHSH (1972-1993), “Mësues i Popullit”. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe, Itali, të mesmen në Zalcburg, Austri dhe studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega Filozofi-Letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitin 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi Sektorin e historisë e të sociologjisë dhe dha ndihmesë në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë e të historisë së lashtë, të historisë së mesjetës, të historisë së kohës së re, të artit mesjetar, etnografisë etj. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare. Me ngritjen e UT (1957) Aleks Buda u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar, etj, Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar. Gjithashtu edhe Muzeu Historik Kombëtar kujtoi akademikun e njohur në ditën e ndarjes nga jeta, ku shprehej se punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë.