BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Kultura

Alfred Trebicka: Drama “Hedda Gabler” aktuale jo vetëm për botën, por edhe për Shqipërinë

Alfred Trebicka: Drama “Hedda Gabler” aktuale jo vetëm për

Drama "Hedda Gabler" në fundjavë vjen për herë të parë në skenë shqiptare. Premiera nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është vepra e autorit të njohur Henrik Ibsen, me regji nga rumuni Botond Nagy. Premierë te “ArTurbina” më 25 dhe 26 janar, kjo vepër do të vijojë dhe në net të tjera për publikun në skenën teatrore. Në dramë interpretojnë aktorët Ermira Hysaj, Romir Zalla, Mateo Dervishaj, Adriana Tolka, Alfred Trebicka, Alert Çeloaliaj. Vepra që vjen në skenën shqiptare është e përkthyer nga Afrim Koçi.

Personazhi i quajtur, Hedda, konsiderohet si një nga rolet e mëdha dramatike në teatër. Për subjektin e titullit, Ibsen shkroi: "Synimi im për t'i dhënë këtë emër ishte të tregoja se Hedda si personalitet të vlerësohet më shumë si vajza e babait të saj sesa gruaja e burrit të saj”.

Me kastë aktorësh të njohur, roli i gjeneralit në skenë interpretohet nga aktori i njohur Alfred Trebicka. Aktori shprehet se kjo vepër edhe pse e shkruar në 1890 është aktuale dhe për kohën sot. “Drama është aktuale jo vetëm për botën, por dhe Shqipërinë. Është aktuale, sepse në thelb të veprës është qenia njerëzore. Në çdo rast, çdo dramaturg që vë në qendër të veprës së tij qënien njerëzore, gjithmonë do të jetë i përjetshëm. Ibsen në këtë vepër merret me raportin e qënies me veten dhe me ambientin. Dashuria apo pasionet janë pjesë, por gjëja më kryesore është pushteti i individit për të sunduar ndaj të tjerëve. Dy shfaqjet e para janë të shtunën dhe të dielën, por më pas do jetë në vijimësi në bazë të programit të teatrit”, tregon mes të tjerave aktori i njohur.

Këtë herë në dramë si babai i protagonistes Hedda Gabler, aktori Alfred Trebicka pohon se ky personazh ka të veçantat e tij, në skenë. “Roli im është babai i protagonistes, luaj gjeneralin Gabler. Në veprën e Henrik Ibesn ai është gjenerali i famshëm për pistoletat e tij, etj, që janë detaj i rëndësishëm në vepër”, tregon aktori Trebicka, që do të jetë në skenë në këtë premierë teatrore. Më herët, regjisori rumun Botond Nagy shprehej se kjo shfaqje përqendrohet rreth disa pyetjeve të rëndësishme. “Si mund të jetosh kur gjëja më e ngjashme me ty është vdekja? Si mund të dashurosh kur standartet e tuaj janë më lart se ti? Si mund të mbijetosh kur je “një inspirim për dhunë”? Lufta e Hedës është kundra realitetit. Kundra të tashmes. E tashmja është gri, është e parashikueshme. Në këtë luftë ajo ka një partner. Dashurinë e saj të madhe, kujtimin e babait”, tregon ai. Skenografia në dramë është nga Irina Moscu, kostumografia Sofi Kara, dramaturgjia Kali Agnes dhe lëvizja skenike Mateo Dervishaj

Drama në skenë

Hedda është vajza e gjeneralit të famshëm Gabler, si fëmijë ajo ishte mësuar të jetonte në luks dhe me klas. Ndërsa fillon shfaqja, ajo po kthehet nga muaji i saj i mjaltit me Jurgen Tesman, një studiues me perspektivë të mirë, por jo me aq të ardhura sa është mësuar Hedda. Mbiemri i saj pas martese është Tesman. Kjo për faktin se Hedda ishte më shumë vajza e babait të saj se sa gruaja e burrit të saj. Hedda është një grua e re inteligjente, e paparashikueshme dhe disi e pandershme, e cila nuk ka frikë të manipulojë burrin dhe miqtë e saj. Hedda e bukur posedon një shpirt të çmendur që rri brenda trupit të një shoqërie konservatore.

Me vepra që janë vënë në skena të ndryshme teatrore në botë, krijimtaria e autorit Henrik Ibsenit ka luajtur një rol shumë të madh në zhvillimin e dramaturgjisë dhe të teatrit europian në pjesën e fundit të shekullit XIX. Ibesn ka qenë dramaturgu më i madh i Europës Perëndimore në fund të këtij shekulli,duke pasqyruar më mirë se kushdo tjetër traditat realiste në dramaturgji. Hedda Gabler pati premierën botërore më 31 janar 1891 dhe Ibsen ishte i pranishëm në Residenztheater në Mynih. “Hedda Gabler” është një nga tekstet fundamental të dramaturgjisë përmes të cilit Ibsen ka dhënë një kontribut vendimtar në zhvillimin e dramaturgjisë modern duke krijuar njëkohësisht një nga personazhet femëror më kompleks, më të koaguluar dhe thellësisht teatror të epokës. Henrik Ibesn u lind më 20 mars 1828, në Skien, Norvegji. Në vitin 1862, ai u internua në Itali, ku ai shkroi tragjedinë “Marka”. Në 1868, Ibsen u transferua në Gjermani, ku ai shkroi një nga veprat e tij më të famshme, “Shtëpi kukulle”. Në vitin 1890, ai shkroi “Hedda Gabler”, duke krijuar një nga personazhet më famëkeq të teatrit. Nga 1891, Ibsen ishte kthyer në Norvegji në një hero letrar. Ai vdiq më 23 maj 1906, në Oslo, Norvegji.