BREAKING NEWS

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)
x

Kultura

Alfred Trebicka: Godina kishte histori, por nuk ishte e denjë për Teatër Kombëtar, duhet një teatër i ri

Alfred Trebicka: Godina kishte histori, por nuk ishte e denjë për

Teatri Kombëtar si godinë kishte historinë e tij, por nuk ishte i duhur për një institucion të tillë. Kështu shprehet në reagimin e tij profesor Alfred Trebicka regjisor dhe aktor, i cili thotë se një teatër i ri duhet në jetën artistike. Sipas tij, godina e Teatrit Kombëtar me gjendjen që kishte ndikonte dhe në aktivitetin artistik dhe deri tani ka munguar një ndërtesë që të plotësonte kushtet e një institucioni të tillë kombëtar. Në qëndrimin e tij, regjisori dhe aktori Alfred Trebikca shprehet se nuk i ka ardhur mirë kur ndodhin gjëra të tilla, por godina që ishte aty nuk ishte e denjë për një institucion kombëtar. “Sigurisht që nuk të vjen mirë kur të ndodhin gjëra të tilla.  Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur një Teatër Kombëtar në kuptimin qoftë të godinës dhe të gjitha gjërave. Godina e teatrit sigurisht ka pasur probleme. Ajo godinë që ishte, për mua nuk ishte e denjë që të plotësonte gjërat për ta quajtur Teatër Kombëtar. Sigurisht që ajo si godinë kishte historinë e saj, biografinë e vet, por që për mua nuk ishte ndërtesa e duhur për ta quajtur Teatër Kombëtar. Tani do bëhet aty ku ka qenë apo vend tjetër, por mirë është që të bëhet teatri aty ku ka qenë”, pohon regjisori dhe aktori Trebicka. Prej disa kohësh jeta artistike e artistëve është zhvilluar dhe tek “ArTurbina”, por regjisori Alfred Trebicka thotë se aty në aspektin teknik ka probleme për aktivitetin e tyre. “Unë kam lozur në skenën e vogël te Turbina. Sigurisht që në aspektin skenik ka probleme, por ka një lloj komoditeti në sensin e ambienteve”, vijon ai. Diskutimet për Teatrin Kombëtar ku janë përfshirë artistët me mendime pro dhe kundra , regjisori dhe aktori Alfred Trebicka thotë se e keqja nuk është tek debati, por tek politika në çështjen e teatrit. “Unë kam përshtypjen, që problemi i teatrit është politizuar më shumë se ç’duhet. Kjo ka sjellë të gjithë komentet apo debatet. Për çdo gjë ka debat, unë se shikoj të keqen te debati. E shikoj të keqen te poliralizimi politik në këtë rast. Futja apriore e politikës në këtë mes dhe shfrytëzimi nga politika, qoftë asaj pjese që është në pushtet qoftë dhe asaj në opozitë. Po trumbetohen gjëra që nuk kanë lidhje me atë, që kërkohet në përgjithësi. Nuk ma merr mendja që të ketë ndonjë nga komuniteti teatror, që të mos dojë një teatër të ri. Pastaj është aty, ishte apo nuk ishte, unë mund të them që ajo që ishte nuk ishte”, thotë profesor Alfred Trebicka.

Ndërtimi i një teatri të ri

Në reagimin e tij për çështjen e Teatrit Kombëtar, që ka sjellë shumë reagime jo vetëm të artistëve por dhe nga politika, profesor Trebicka thotë se të gjitha etiketimet deri tani kanë ardhur për shkak të thirrjes së politikës. “E keqja është që shtrohet një çështje shumë komplekse dhe kërkohet nga ne një përgjigje shumë racionale, me një po ose jo. Këtu kanë ndodhur të gjitha keqkuptimet, ti je për ta shembur apo nuk je për ta shembur. Nuk është kjo, thelbi i çështjes është ajo që ishte, a ishte e denjë për të qenë Teatër Kombëtar? Nuk ishte. Duhet të kemi një tjetër? Po. Pastaj të komentosh ky ishte për shembje apo ky jo, të gjithë etiketimet kanë ardhur si rrjedhojë e thirrjes politike në këtë mes”, vijon ai. Një teatër i ri sipas regjisorit Alfred Trebicka do të ishte ndërtuar dekada më parë, me ndërrimin e sistemit u bënë disa tentativa dhe është diskutuar disa herë ndërtimi i një teatri të ri. “Teatri do ishte ndërtuar që në 1975 në mos më herët. Por ajo mbeti aty për hir të atij sistemi, që ishte më parë. Me ndërrimin e sistemit u bënë tentativa u thanë hapur propaganda, etj, është diskutuar disa herë puna e bërjes të një teatri të ri. Përderisa është diskutuar ideja e bërjes së një teatri të ri kombëtar do të thotë, që nuk ke teatër kombëtar ndaj do të bësh të ri. Po të kishim do thonin e kemi dhe nuk ka nevojë të diskutohet”, shprehet ai. Gjatë kësaj kohe artistët po vazhdojnë me reagimet e tyre për çfarë ndodhi me teatrin, një pjesë janë për ndërtimin e një teatri të ri dhe të tjerë të ruhej godina.