BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Altin Basha: Festivali “Moisiu On” në kushte të jashtëzakonshme, të mos quhet ky vit ku trupat nuk u ballafaquan me njëra- tjetrën

Altin Basha: Festivali “Moisiu On” në kushte të

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu On” nis këtë mbrëmje, ku sjell shfaqjet më të mira të 20 trupave nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe nga skena e pavarur. FMT “Moisiu On” nis këtë mbrëmje me teatri “Shqiptar” Shkup me shfaqjen teatrore “Makbeth” , me regji nga Diana Dobreva, ku deri mbrëmjen e datës 15 mars për publikun do të jenë shfaqje të ndryshme teatrore. Përmes një mesazhi, Altin Basha drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se festivali që po zhvillohet është i veçantë. Në mesazhin e tij para nisjes së festivalit që këtë vit vjen online, drejtori Altin Basha thotë mes të tjerave se festivali u ideua që ky vit të mos quhet një vit bosh, dhe që nuk evidentoi vlerat. “Të nderuar spektatorë dhe dashamirës të teatrit, në emër të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”. Ky është një festival i veçantë, një festival i vështirë, një festival i jashtëzakonshëm në kushte të jashtëzakonshme. Për shkak të pandemisë teatrot tona nuk mundën të realizojnë dialogun për të cilin ne jemi të destinuar të ekzistojmë, dialogun me ju, dialogun live në skenë. Por dëshira jonë mbetet e madhe, që ky dialog të mos ndërpritet. Për këtë arsye është ideuar ky festival, në mënyrë që ky vit të mos quhet një vit bosh, mos të quhet një vit i cili nuk evidentoi vlerat. Të mos quhet një vit, ku trupat nuk u ballafaquan me njëra- tjetrën”, thotë Altin Basha, në një video mesazh të tij për festivalin që nis këtë mbrëmje në orën 19:00. Festivali organizohet nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Nga 23 shkurti shfaqjet do të transmetohen livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe në Facebook-un e teatrove pjesëmarrëse.

Një festival për të dalluar më të mirët

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se në këtë festival marrin pjesë 20 trupa teatrore, aktorë të talentuar, dhe është një festë e gjithë komunitetit teatror. Me rëndësi sipas drejtorit të TKEKS Altin Basha është dhe fakti, që në festival marrin pjesë dhe artistët nga Kosova e Maqedonia e Veriut. “Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit merr një  rëndësi  të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për të dalluar më të mirët e vitit, më të zotët, më të veçantët, më origjinalët. Për këtë arsye jam mjaft i gëzuar, që arritëm në këtë pikë të ndërtojmë një festival ku marrin pjesë 20 trupa teatrore, dhjetëra aktorë të talentuar, shumë identitete regjisoriale, kostumografë, skenografë, kompozitorë, dramaturgë. Pra një festival në fakt është një festë e gjithë komunitetit teatror, është e  mrekullueshme që në këtë festival na bashkohen miq dhe teatro nga Kosova, Maqedonia dhe pothuajse të gjithë teatrot e Shqipërisë”, shprehet drejtori Altin Basha. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” prezantohet mbrëmjen e dytë të festivalit me shfaqjen teatrore “Arturo Ui”, me regji nga Kiço Lndo. Drejtori i TKEKS Altin Basha thotë se “Arturo Ui” nga Bertolt Brecht është një shfaqje e veçantë. “Një vepër realizuar nga regjisori Kiço Londo, por që kujtohet sidomos  nga ata dashamirës të teatrit për arsyen e thjeshtë, sepse është një nga sfidat më të fuqishme dramaturgjike me të cilat një regjisor duhet të përballet. Nga ana tjetër me këtë vepër u identifikuan identitete të reja teatrore dhe aktoriale, të cilët realizuan shfaqjen  dhe sidomos rolet e vështira të kësaj vepre. Duke ju uruar shikim të këndshëm i uroj sukses festivalit dhe uroj që ky të jetë festivali i fundit online për tu takuar sa më shpesh në të tjetër festival “Moisiu””, vijon drejtori Basha. Sipas tij, ky festival ka një emër të jashtëzakonshëm, ka emrin e një autoriteti të padiskutueshëm të identitetit tonë kombëtar, por dhe të talentit tonë teatror Aleksandër Moisiu. “Jam i bindur që kushdo që do të jetë fitues i këtij festivali do të kujtojë dy elementë: Së pari festivalin online dhe së dyti që ka çmimin “Moisiu”, një çmim që nderon çdo artist me emrin e tij”, shprehet drejtori Altin Basha në mesazh. Festivali do të mbyllet mbrëmjen e datës 15 mars.