BREAKING NEWS

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend me koronavirus, Ministria zbardh të dhënat e fundit

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend
x

Kultura

AMT: Investimi publik për teatrot, të ketë synim restaurimin aspak shembjen

AMT: Investimi publik për teatrot, të ketë synim restaurimin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se deklarata nga ana e Bashkisë Tiranë mbyll përfundimisht, me turp, historinë e “ligjit special”, me të cilin kërkohej të grabitej trualli publik e privat përreth Teatrove Kombëtarë. “Ky ligj, i shkruar apostafat për një truall të vetëm dhe për një firmë të vetme, ishte një çmenduri ligjore që shkelte jo vetëm Kushtetutën e vendit, por edhe të gjithë parimet e shtetit ligjor në një vend demokratik. Tërheqja e Bashkisë nga “ligji special” dhe kërkesa e saj për të kryer një investim të zakonshëm publik konfirmon se “ligji special” ishte anti-kushtetues dhe një problem i rëndë për qeverinë dhe Bashkinë. Ky ligj kishte si synim vetëm grabitjen e truallit publik e privat përreth Teatrove Kombëtarë”, thotë AMT. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përmes një deklarate pohon se falë insistimit të vazhdueshëm të saj dhe mbështetësve të tyre prej thuajse dy vjetësh, problemi i “ligjit special” u kthye në një gangrenë të vazhdueshme për qeverinë dhe bashkinë. “Ruajta e pronave publike përreth Teatrove Kombëtarë evitoi dëme ekonomike dhe urbanistike për publikun. Tërheqja e “ligjit special” e bën të pamundur grabitjen e truallit. Investimi nga fondet publike ri-konfirmoi dhe njëherë se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur. Investimi për restaurimin e teatrit mund të përballohej me kohë nga buxheti publik, e nuk kishte nevojë për artifica të dëmshme ligjore siç ishte “ligji special”. Insistimi i Aleancës për marrjen e informacionit publike rreth tenderit, tashmë të dështuar, ishte më se i drejtë dhe Bashkia ka shkelur prej muajsh Ligjin për Informim publik”, vijon deklarata. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh qëndrimin e saj për restaurimin e Teatrit Kombëtar, një proces që duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. “Investimi publik për Teatrot Kombëtarë duhet të ketë synim të qartë ruajtjen e restaurimin e tyre, dhe aspak shembjen qoftë edhe me fonde publike! Ky proces duhet të jetë publik, transparent, e gjithëpërfshirës. Mbi të gjitha, ky proces duhet të drejtohet nga ekspertë, e duhet mbajtur larg duarve të politikanëve. Vetëm kështu mund të gjendet mënyra më e mirë për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore që mbart kompleksi, siç u pranua tashmë dhe nga “Europa Nostra””, thuhet më tej në deklaratë.