BREAKING NEWS

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon me revolta nëse humbet zgjedhjet, Meta sfidon SHBA dhe paralajmëron rrëzimin e reformës në drejtësi

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon
x

Kultura

AMT: Ministria e Kulturës të përgjigjet, pse u nxorën nga lista e monumenteve dhjetëra vila monument kulture?

AMT: Ministria e Kulturës të përgjigjet, pse u nxorën nga

Ndërtesat historike për specialistë të ndryshëm janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Ata janë shprehur për ruajtjen dhe restaurimin e tyre, duke pohuar dhe përgjegjësinë që ka Ministria e Kulturës tek objektet monument kulture, ku së fundmi reaguan dhe për ish ndërtesën e “Radio Tiranës”. Në një deklaratë edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit-zyrtare shprehet se është Ministria e Kulturës ajo që duhet të përgjigjet pse u nxorën nga lista e monumenteve, me dhjetëra vila monument kulture. Aleanca shprehet, se deklarata që ka bërë ministrja e Kulturës nuk është garanci për ish ndërtesën e “Radio Tiranës”. “Duhet t'i besojmë përfaqësuesve të kësaj qeverie në lidhje me trashëgiminë kulturore? "Godina e ish-Radio Tiranës nuk del nga lista e monumenteve, sa të jem unë ministre". Ka qenë kjo deklarata e ministres së Kulturës Elva Margariti para gazetarëve. Megjithëse, sipas ligjit Ministria e Kulturës është hallka e fundit që vendos për nxjerrjen nga lista e monumenteve. Kështu që deklarata e saj nuk është garanci. Dhe jo vetëm, ministria duhet fillimisht të përgjigjet, pse u nxorën nga lista e monumenteve që nga viti 2015 me dhjetëra vila të shpallura monument kulture kategori e I dhe e II, të cilat më pas janë shembur dhe zëvendësuar me pallate”, shprehet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit-zyrtare. Në mbrojtje të monumenteve të kulturës, AMT-zyrtare vijon se nuk mund të besohen deklaratat e ministres së Kulturës, e cila dhe me Teatrin Kombëtar nuk pati një qëndrim të qartë. “Pra si mund t'i besohet një deklarate të tillë? Të një ministreje, e cila nuk mori kurrë një qëndrim të qartë në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar? E një ministreje, e cila me sa duket ende nuk e di se lista e monumenteve është hequr nga faqja e Institutit të Monumenteve ashtu siç e parashikon ligji?”, shprehet AMT-zyrtare. Në reagimin e saj Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit-zyrtare shprehet se deklarime të tilla ngarkojnë me përgjegjësi për shkatërrime të veprave të trashëgimisë kulturore. AMT-zyrtare vijon më tej edhe me përgjegjësitë ligjore për Teatrin Kombëtar. “Ka qenë ky vullneti i saj, apo i parardhëses së saj, pa u marrë parasysh raportet shkencore institucionale?! Në fakt një deklaratë e tillë i ngarkon me përgjegjësi direkte për shkatërrimin e veprave të trashëgimisë kulturore, përfshi këtu dhe shembjen e Teatrit Kombëtar. Një akt ky që pavarësisht se ish-ministrja Kumbaro u shpreh kohët e fundit se, Teatri Kombëtar nuk ka pasur ndonjëherë statusin monument kulture, e ka zanafillën e paligjshmërisë në ndryshimin e Qendrës Historike të Tiranës dhe që ngarkon me përgjegjësi ligjore atë dhe ministren e tanishme për veprimet dhe firmosjet e akteve për shembje Por le të udhëtojmë pak në kohë për t'i rifreskuar ministres dhe mbështetësve të pushtetit që para trashëgimisë vënë genocidin urban”, shprehet AMT-zyrtare.

Të dhëna ndër vite

 Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit-zyrtare vijon me disa publikime se si dhe përse u reduktua zona historike, ku janë publikuar disa të dhëna ndër vite dhe foto të ndryshme në faqen e saj. “Në 13 prill 2000 miratohet VKM nr.180 që përcakton kufijtë e Qendrës Historike të Tiranës dhe shpall "Ansambël Monument Kulture" gjithë ndërtesat brenda saj të ndërtuara në fillim shekullin e XX, pra dhe Teatrin Kombëtar pjesë të Ansamblit. Në 12 prill 2017 miratohet VKM nr 325, e cila redukton Qendrën Historike (pa një vendim tekniko-shkencor siç e parashikon ligji) dhe lë jashtë zonës së mbrojtur të vitit 2000 shumë objekte përfshi këtu dhe Teatrin Kombëtar si dhe zonën përreth tij. Në 14 prill 2017 (dy ditë më vonë ) miratohet plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Tiranë e cila zonë historike e pasqyron sipas kufijve të përcaktuar në vitin 2000 dhe jo të VKM-së 2107-ës miratuar dy ditë më parë”, shkruan AMT-zyrtare, që për secilën prej tyre ka publikuar foto. AMT-zyrtare vijon se në 20 shtator 2018 Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin 37/2018 për përcaktimin e procedurës së veçantë për ndërtimin e një teatri të ri mbi truallin e teatrit të vjetër. “Kuvendi miraton ligjin, por teatri figuronte në planin e përgjithshëm vendor brenda zonës historike?! U desh të sajohej një kërkesë nga ministria Kumbaro drejtuar Këshillit të Ministrave për reduktimin edhe njëherë të Zonës Historike dhe nxjerrjen e VKM nr 582 në datën 3 tetor 2018, disa ditë pasi ishte miratuar ligji në parlamente. Ndryshimi i zonës historike që i hapi rrugë shkatërrimit të saj dhe vlerave tona të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është krimi që kanë kryer në bashkëpunim ministret e kulturës, dhe para se të na tregojnë përralla se, a ka qenë apo jo monument kulture Teatri Kombëtar, duhet të përgjigjen për gjithë paligjshmëritë”, vijon mes të tjerave AMT-zyrtare. Për sa i takon ndërtesës së ish “Radio Tiranës” sipas specialistëve ajo ka vlera arkitektonike, historike dhe kulturore.