Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Anastas Kostandini: Artistët nuk e dinë se si e ka koleksionuar GKA artin e 28 viteve

Postuar: 16/09/2018 - 08:10

Piktori Anastas Kostandini është nga emrat më të vlerësuar në art brenda dhe jashtë vendit. Dekada me pikturën, puna e tij ka marrë jo pak vlerësime. Edhe këto ditë të shtatorit piktori vijon me krijimtarinë e tij. Jo vetëm me punën në studio, por dhe në natyrë, duke pohuar kurrë nuk i shteron pasioni për të pikturuar në këto vende. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur flet për pikturën dhe projektet e tij në vijim. Puna për të hapur një tjetër ekspozitë vijon dhe me të pohon se do të shënojë dhe 50 -vjetorin e krijimtarisë së tij. Por piktori i njohur Anastas Kostandini (Taso) pohon se periferitë nuk kanë qenë dhe vijojnë të mos jenë në vëmendje për zhvillimin e aktiviteteve. Ai kërkon që të ekspozohet fondi dhe e quan të padrejtë, që prej 28 vitesh GKA nuk ka mundur të blejë dot vepra arti si më parë. Sipas tij, jo vetëm GKA që ka përgjegjësinë për situatën që nuk krijon bashkëpunime me artistët në rrethe, por dhe Ministria e Kulturës. Por për piktorin nuk ka vëmendje nga institucionet dhe për aktivitetet e të rinjve, dhe shprehet se për mënyrën se si është zhvilluar “Onufri” më mirë të jetë për të rinjtë.

-Shtatori ju gjen duke punuar me krijimtarinë tuaj. Jeni shprehur se nuk ju shteron pasioni për të pikturuar në natyrë. Çfarë ju fal Pogradeci?

Një ditë e bukur dhe pikturoj si gjithmonë, fillimi i vjeshtës është një mrekulli. Nuk mundet të jem piktor dhe të mos reagoj ndaj kësaj kohe. Unë dhe para disa kohësh kam hapur një ekspozitë që qëndroi gati 40 ditë në Pogradec përgjatë sezonit turistik. Mora goxha sadisfaksion dhe ajo ishte me titullin “Motive nga vendlindja”. Aty unë kisha ekspozuar pikërisht këtë që po bëj dhe tani. Unë gjithmonë dal dhe punoj në natyrë. Nuk më shteron kurrë pasioni për të pikturuar natyrën. Pikturoj ndryshimin e dritës, gjeografinë dhe relievin e këtij vendi. Ditë për ditë mua më duket një gjë e ndryshme që shikoj. Edhe ekspozita ishte me punët, që janë bërë rrotull qytetit, nga fshatrat, malet rreth e rrotull.

-Ekspozita juaj u prit shumë mirë, por si po vijojnë projektet e tjera?

Kjo ekspozitë do t’ia lërë më pas radhën projekteve në vijim. Unë punoj dhe pretendoj të bëj një tjetër ekspozitë, ndoshta mendoj ta hap po në qytetin e Pogradecit. Punime me temën e Skënderbeut në kuadrin e 550- vjetorit të vitit të vdekjes së heroit kombëtar. Unë e kam si heroin tim personal dhe dua të kremtoj dhe 50 -vjetorin e krijimtarisë sime. Kur unë në vitin 1968 kam hyrë në Liceun Artistik, dhe këtë e quaj vitin që unë kam vendosur të bëhem piktor. Veç asaj ai vit ka qenë i jashtëzakonshëm pasi unë bëra ekspozitën time të parë. Ka qenë një ekspozitë, që u hap në rastin e 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. U bë ekspozita në shtëpinë e pinonerëve dhe ka qenë e tillë, që më ka lënë shumë mbresa. Unë disa tablo i kam dhe sot e kësaj dite, i ruaj në fondin tim. Tabloja  e parë me ngjyra vaji, që kam bërë është pikërisht me Skënderbeun. Me atë tablo u prezantova dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Unë ia kam treguar profesor Sadik Kacelit, që më priti në studion e tij, dhe jam gëzuar pa masë kur tha ai që ky djalë me patjetër duhet të vazhdojë shkollën për pikturë. Unë startin tim si artist e kam të lidhur pikërisht me këtë emër. Kjo ekspozitë që mendoj të hap më vonë, jo vetëm që e quaj të rëndësishme për heroin tonë kombëtar, por koinçidon që është dhe 50- vjetori i krijimtarisë sime. Ekspozita ndahet në dy pjesë, njëra me piktura dhe pjesa tjetër është një cikël me gravura nga historia e Skënderbeut.   Pavarësisht se ekspozita kërkon shumë angazhim, gjithmonë gjej kohë të pikturoj dhe natyrën, sepse e kam si mbushje të trupit tim me oksigjen. Nuk mund të rri dot pa pikturuar të kaltrën e qiellit.

-Keni qenë kritik për Galerinë Kombëtare të Arteve. Deri tani vetëm dy ekspozita, por ju dhe të tjerë artistë keni kërkuar që drejtori i institucionit të dalë të flasë për galerinë. Sipas jush çfarë po ndodh?

Pse nuk del ai? Përderisa ka dalë kryeministri dhe flet, pse nuk na del dhe titullari i GKA? Unë nuk kërkoj asgjë prej tij, nuk e njohim. Ai nuk do të që jetë prezent dhe nuk do të komunikojë, por unë mendoj që thelbi i artit është komunikimi. Sidomos njerëz që pretendojnë të kenë profile moderne dhe i përkasin frymës së artit sot kontemporan, të kenë këtë mungesë serioziteti dhe komunikimi me publikun me të cilën realizohet gjithçka? Pa publikun nuk ka art dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj pse ai nuk prezanton institucionin që ka marrë përsipër të drejtojë. Është krijuar një traditë në Shqipëri dhe jo vetëm, që  drejtorët e galerive kanë një profil të lartë intelektual dhe i drejtohen dhe një sensibiliteti jo vetëm të komuniteti të artistëve të artit traditës, që është krijuar, por dhe publikut që është i interesuar. Këto faktorë duhet ti mëshirojë patjetër një drejtues. Deri tani unë nuk shikoj asnjë lloj reagimi.

-Jemi në shtator dhe asnjë lajmërim për GKA, vetëm dy ekspozita?

Një situatë që asgjë nuk është normale me çfarë po ndodh në atë institucion. Përveç faktit që është hapur një ekspozitë e mirëpritur. Unë jam nga ata që vij në kryeqytetin e vendit tim dhe dua të shikoj te institucione të tilla si GKA aktivitete. Nuk e di nëse justifikohet GKA me këtë gjendje duke mos lëvizur gjë. Mendoj që duhet menduar dhe për fondin e veprave të GKA, duhet të lëvizin gjërat dhe për atë. Unë e kam vlerësuar faktin për ekspozitën e Edi Hilës, që ishte e bukur në GKA dhe e plotë, me një profil të lartë prezantimi. Por prezenca e kuratorëve që kishin marrë përsipër të prezantonin ekspozitën ishte minimale, të shpresojmë që ky është një koncept kuratorial. Të kemi rastin të shikojmë të tjera.

-Çfarë kërkoni për fondin e veprave në GKA?

Gjithë fondi i GKA të mundet pjesë- pjesë të ekspozohet. Në këtë mënyrë fondi edhe restaurohet, konservohet dhe studiohet. Pra këtë qëllim ka ekspozimi, duke mos paragjykuar fare tematikat e veprave. Sigurisht që GKA do të rikonstrukohet një ditë mbase dhe zgjerohet, por unë në këtë rast nuk po flas si një piktor, por si një njeri që ndjek jetën e GKA. Mendoj që dhe për shkak të mungesës së transparencës dhe inekzistencës reale të drejtorit nuk di gjë se çfarë do të bëhet, por pritshmëria është e madhe për t’u bërë shumë gjëra.

-Sa ka ndryshuar situata në institucionet e artit, si është investuar këto vite?

Situata me institucionet e artit mendoj se është me mjaft probleme. Artistët bashkëkohorë, po ti bësh një pyetje, produkti artistik i këtyre 28 viteve kjo epokë që është e jashtëzakonshme e ndryshimit, nga një realizëm socialist nga një art i bunkerit nga një art i repartit ushtarak direkt në një shoqëri të lirë ai nuk e di se në çfarë mënyre GKA e ka koleksionuar këtë art. Le të na e tregojnë ndonjë studiues apo drejtor, është një temë për të folur për këtë. Ka një problem që gjithmonë diskutohet se ajo gjë që na identifikon ne është arti i ish realizmit, kjo ka mbetur në mend dhe gjithçka që ka mbetur pas saj duket sikur nuk është arti që na identifikon ne. Kjo mund të jetë një iluzion, por duhet të tregohet dhe institucioni që ka për detyrë ta promovojë këtë gjë që është GKA.

-Po GKA nuk ka buxhet për të blerë vepra, i cili jepet nga ministria. Çfarë po ndodh?

Unë se kuptoj këtë, kur do të jetë ky vend buxhet? Një periudhë që pothuajse mungon plotësisht financa për të blerë dhe shtuar veprat në fondin e GKA se kuptoj. Kur do të pretendojmë të kemi një fond normal të deklaruar që në fillim të vitit. Duke mos blerë vepra arti për t’u pasuruar fondi i galerisë, por kjo është përgjegjësia kryesore e institucioneve. Kjo bëhet dramatike, sepse mirë që nuk koleksionon art, por dhe njohuria mbi skenën e artit shqiptar është fare minimale. Ka një evidencë të zbehtë të asaj që ndodh në Shqipëri potencialisht në studiot e artistëve. Unë nuk kam pasur rastin të jem në ndonjë mbledhje të bordit dhe GKA të ketë mirësinë të ftojnë artistët dhe të ndjejnë një begenisje, të jenë prezent kur ata shfaqin gjëra. Të jesh i sigurt që nuk jam nga ata që dua vetëm të tregoj dëshpërime, por kjo ndodh.

-Po në rrethe çfarë po ndodh?

Më thoni një bashkëpunim, që GKA ka bërë me rrethet. Më thoni një aktivitet të transferuar të këtij territori që është minimal dhe mund të bëhen aktivitete. Transferohet qeveria dhe bën mbledhje në rrethe dhe jo GKA. Galeria mund të transferojë aktivitete, të ketë bashkëpunime që të bëhen dhe në periferi. Por ka shumë pak komunikim mes qendrës dhe periferive.  

-Si po vijojnë galeritë në rrethe?

Arti në rrethe duhet të riformatohet, rikonstruktohet në një dritë tjetër. Kjo do të thotë që nuk duhet të fillojë dhe mbarojë gjithçka te rrethet. Nuk duhet ti lihet në dorë vetëm politikave lokale, sepse janë të kufizuar njerëzit që merren me bashkitë. Por njerëzit në rrethe duan dhe të punojnë dhe kanë nevojë për bashkëpunim dhe prezencën e qendrës te artistët në rrethe. Por kjo situatë nuk është në të gjitha rrethet, pasi ka qytete të cilat kanë dhe fuqi, si Fieri, Shkodra, etj. Të ndryshojë jeta e artistëve për shkak të politikës shtetërore mua më duket e pamundur. Çfarë do të bëjnë ata, jeta e artistëve dhe ajo që ndodh në studion e tyre të ketë ndikim në këtë lloj bote është pakëz e pamundur. Kërkohen forca të tjera. Mund të ndikonte një ekspozitë siç ndodh në disa kryeqytete të Ballkanit si në Athinë, por ne nuk i kemi këto mundësi. 

- Sipas jush, sa i ka mbështetur ministria deri tani artistët në krijimtarinë e tyre, grupime me piktorët që hapin ekspozita pohojnë se pak ka pasur vëmendje?

Me sa di unë në disa momente janë financuar dhe kanë gjetur një përgjigje nga ministria artistët apo dhe bashkia në Tiranë. Nëse kjo është e mjaftueshme apo jo këtë se di. Por gjërat ndodhin në mënyrë komplekse, nëse nuk prodhon gjëra të reja ka një lloj rutine në mënyrën se si kryhen këto ekspozita të grupimeve me piktorët. Pak a shumë përsëritet e njëjta gjë, i njëjti format. Nuk ka prirje për ti riformuar dhe këto ekspozita. E kërkojnë këtë dhe kanë nevojë për prurje të reja që mund të çojnë dhe në kërkesa të reja dhe financime të një natyre tjetër. Por ajo që më shqetëson mua është skena e të rinjve, pasi është shumë e zbehtë.

-Çfarë kërkoni për të rinjtë?

Unë nuk shikoj aktivitete të të rinjve të pjesës vitale deri në 30 vjeç. Mosha jonë i bëjmë ritualet  pa shumë pretendime dhe mbijetojmë, sepse jemi më të zakonshëm në bërjen e gjërave, kurse të rinjtë kanë nevojë për më tepër duan ndihmë, duan të promovojnë gjëra të reja dhe ajo moshë duhet ndihmuar. “Onufri” që sponsorizohet nga Ministria e Kulturës është dhe një konkurs që do të kishte më tepër kuptim të ishte i të rinjve, sepse edhe është abuzuar shumë me të. Edhe në rastet kur ai konkurs shpallet i të gjithë artistëve de facto aty promovohen vetëm të rinjtë, dhe një art ultraeksperimental me një rreth fare të kufizuar dhe me disa koncepte kuratoriale.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2018 - 07:30

Filmi “Delegacioni” u vlerësua si më i miri në Festivalin e Varshavës.

Postuar: 23/10/2018 - 07:27

 Ekspozita "Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënde

Postuar: 23/10/2018 - 07:26

Buxheti i ulët për realizimin e projekteve në jetën artistike i vendos në vështirësi organizatorë

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se ës

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura