Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Kultura

Anastas Kostandini: Nuk shikoj projekt të rëndësishëm për kulturën kombëtare, GKA nuk ekziston për profesionistët

Anastas Kostandini: Nuk shikoj projekt të rëndësishëm

Arti dhe artistët në vend duhet ti interesojnë institucioneve të shtetit, por kjo duket se nuk ka qenë dhe aq në vëmendje. Kështu shprehet piktori i njohur Anastas Kostadini, i cili thotë se dhe GKA është e huaj për ata. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Anastas Kostandini flet për aktivitetin e tij gjatë kësaj kohe dhe pikturat në qytetin e Pogradecit. Sipas tij, ky qytet i ka falur shumë atij dhe një cikël pikturash këtë kohë i kushtohen Pogradecit. Me një aktivitet të vlerësuar kombëtar si dhe jashtë vendit, Anastas Kostandini shpreh keqardhjen që sot artistët shqiptarë më shumë po njihen nga të huajt se sa nga zyrtarët tanë. Për piktorin ajo që mungon sot janë aktivitetet për piktorët, të cilët në këto kushte përballen me jo pak vështirësi. Anastas Kostandini është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur. Në 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë për art monumental. Është një nga bashkë autorët e mozaikut "Shqipëria", në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, përfunduar më 1981. Anastas Kostandini është piktori që e filloi rrugën e tij krijuese, në qytetin e lindjes Pogradec. Ciklet e peizazheve të Kostandinit apo të Tasos, siç njihet nga miqtë e rrethet artistike, gjithmonë e më tepër kanë tërhequr dhe po tërheqin vëmendjen e publikut artdashës jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë vendit. Tablotë e tij të ofrojnë kënaqësi, sepse janë pikturuar me dashuri dhe mjeshtëri. Në fillimet e krijimtarisë së tij Taso ka realizuar edhe disa kompozime me temë historike, portrete kryesisht të familjes së tij dhe natyra të qeta. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndodhen disa nga këto tablo si: “Mësonjtorja e parë shqipe”(1982), “Borova” (1985), “Luftëtarët e lirisë”(1982), “Jan Kukuzeli” (1987). Veprat e piktorit Anastas Kostandini ndodhen edhe në koleksionet e mjaft koleksionistëve në Shqipëri, Gjermani, Holandë, Francë, etj.

-Si po kalojnë ditët e verës për ju këtë kohë?

Pogradeci ndryshon në verë dhe nuk ka dallim me rastet e tjera, sepse ka shumë njerëz dhe herë- herë i mbingarkuar dhe ka shumë të ardhur nga Tirana. Ndoshta kjo është dhe arsyeja, që shfrytëzohet ky rast për aktivitete gjatë kësaj kohe. Janë disa grupime piktorësh, që vijnë në Pogradec dhe zhvillojnë aktivitete. Është këndshme, është mirë, ka një lloj jete. Unë gjatë këtyre ditëve kam pasur këtu një koleg shumë të njohur, piktorin Hasan Nallbani dhe herë pas here kur ai vjen takohem me të dhe bëj biseda të gjalla për pikturën kombëtare, mbi fenomenet, mbi problemet e artit, etj. Unë këto ditë vazhdoj të punoj me pikturën, sepse më përpara kur ishte piku i pandemisë deri në muajin qershor nuk pikturoja dot në natyrë, pasi nuk dilja dot jashtë. Pas qershorit në fillim të korrikut dhe gjatë gjithë gushtit kam pikturuar një sërë tablosh, në natyrë. Unë iu riktheva sërish traditës sime të kontaktit me natyrën.

-Çfarë ju ka falur ndër vite me punën tuaj qyteti juaj?

Mua Pogradeci më ka falur shumë, këtu shikoj gjithçka. Mënyra se si e shikoj vendin tim është sikur shikoj një galeri shumë të madhe të pasur pikturash. Unë shikoj historinë, shikoj realitetin e gjërave dhe unë meditoj rreth këtij realiteti. Kjo është arsyeja, që nganjëherë në të njëjtin vend në një cep të qytetit shkoj e pikturoj për të 100 herë, por gjithmonë bëj diçka të re dhe nuk përsëris veten. Unë meditoj nëpërmjet pikturës, interpretoj. Kjo është, por meqë më pyetët për qytetin paralel në studio pikturoj një lloj Pogradeci tjetër.

-Kur thoni pikturoni një qyte tjerë çfarë keni parasysh?

Të gjithë përjetimet historike që unë jam dëshmitar i vjetër i qytetit, si edhe disa gjëra që nuk janë thënë në kohëra të caktuara, po përpiqem ti rimarr në një cikël pikturash. Unë dua të prezantoj atë Pogradec sipas një qytetari të vjetër, lindur këtu që vazhdon të ëndërrojë këtu. Por unë nuk përdor vetëm natyrën, por gjithçka që më jepet në dorë, qoftë letërsinë, poezinë, fotografinë, kujtime, përjetime, detaje dhe përpiqem që të krijoj një lloj kompozicioni të të gjithë atyre elementëve.

 

-Gjatë kësaj kohe a vijnë vizitorët në studion tuaj për të parë nga afër veprat tuaja të artit, sa e ka kushtëzuar pandemia këtë?

Unë kam vizitorë, vijnë për të parë veprat dhe sigurisht brenda rregullave të kohës, sepse për shkak të pandemisë tani ka dhe kufizime. Këto ditë më erdhi një çift nga Kosova, që kalon pushimet në Lin, dhe duke qenë se burri është një piktor ne kemi bërë një bisedë kolegësh për artin shumë interesante me të. Unë kam njohur një profil artisti dhe ai u kënaq, që pa studion time. Unë kam pasur gjithmonë vizitorë, kush kërkon ndonjë punë në pikturë edhe e blen atë. Unë nuk i zhgënjej dhe mbaj marrëdhënie miqësore me ata.

-Ju përmendët piktorin Hasan Nallbani dhe thatë se kur takoheni me kolegët vëmendja është dhe te problemet me artin. Çfarë ju shqetëson?

Me një artist si profesor Hasan Nallbani nëse keni parasysh krijimtarinë e tij ai është shumë i shqetësuar për temën sociale. Por sigurisht që bisedat me të janë goxha interesante dhe shumë të pasura, sepse ai është kapacitet. Ai e do dhe natyrën dhe Pogradecin dhe pikturon ndonjëherë këtu. Bisedat tona zhvillohen kryesisht mbi pikturën dhe kulturën shqiptare, si dhe mbi fenomene qofshin dhe të natyrës politike dhe të gjendjes së vendit. Por jo vetëm kaq, por dhe të historisë së artit shqiptar dhe të autorëve, që kanë dhënë kontribute në art. Por mua si piktor më shqetëson fakti, që tek ne është një pezull. Problemi është se si shoqëria e ruan artin, si e përcjell dhe i mbështet këta artistë në vendin tonë dhe si i përdor artistët për zhvillimin dhe identitetin e vet. Për fat të keq nuk shikoj ndonjë strategji, ndonjë projekt të rëndësishëm kombëtar për kulturën.

-Ju jeni një piktor që prej disa dekadash zhvillon aktivitetin me pikturën dhe u shprehët se nuk shikoni ndonjë projekt të rëndësishëm kombëtar. Por çfarë sjell kjo për artin?

Ajo që më shqetëson mua është fakti, që ne tashmë jemi mësuar me inekzistencën e Galerisë Kombëtare të Arteve. Galeria Kombëtare e Arteve gati nuk ekziston për profesionistë, për artistë si puna ime dhe për shumë të tjerë, sepse nuk ndodh ndonjë gjë. Nuk janë të përfshirë artistë shqiptarë në ndonjë projekt, që të ketë karakter masiv në art. Nuk është kaq antimodern fakti, që të ndodhin gjëra në të dhe të ketë një pjesëmarrje shumë të madhe të artistëve profesionistë shqiptarë. Sigurisht brenda përzgjedhjes, brenda kritereve për të ruajtur standardin e aktiviteteve kulturore, por të ndodhin gjëra. Por fatkeqësisht nuk ndodhin. Në vitet para ’90 kishte të tjera zhvillime për artistët, kishte ekspozita dhe ishte tjetër gjë atë kohë. Ka qenë shumë e organizuar pavarësisht brenda atij sistemi dhe kohe, që ka shumë gjëra për të gjykuar. Ajo nuk mund të jetë një model për tani, pasi ka ndryshuar shumë koha, por mendoj që brenda kësaj kohe ajo që mungon janë aktivitetet nga institucionet për artistët. Mungesa e pasurimit të GKA me veprat e artistëve. Brezi im tani është në kulmin e fuqisë artistike dhe ata kanë shumë dëshirë të ekspozohen ose dhe ballafaqohen qoftë dhe me kolegët e tyre për argumentet, që ka arti i sotëm në botë në GKA. Por nuk e di pse kjo nuk ndodh. Ose ne nuk na është shpjeguar “funksioni i ri” i GKA apo ne jemi shumë të vjetruar dhe mendojmë ende njësoj si para ‘90. Por këtë nuk do ta besoja. Po flasim për GKA dhe sigurisht që ajo është në një godinë të specializuar, që shteti paguan para për të, por kjo nuk do të thotë që jeta kulturore në vend nuk ekziston dhe artistët nuk funksionojnë. Nëse i përmbahemi idesë që nuk ka rëndësi vetëm GKA, por gjithçka që ndodh në Tiranë, unë kam dëgjuar disa aktivitete që janë zhvilluar. Është hapur një ekspozitë për Tiranën nga Shpend Bengu, që ka qenë interesante. Por ajo që unë mendova pas asaj ekspozite, që u hap prej tij është, po pse nuk ka një galeri arti Tirana? Pse nuk ka një muze arti Tirana? Për këtë duhet pyetur kryetar i bashkisë së Tiranës. GKA tani është bërë gogol, është bërë sikur nuk ka status, duket se është e vështirë ti afrohesh asaj. Duhet të ketë një galeri të Tiranës.

-Herë pas here piktorë të ndryshëm janë shprehur se nga institucionet ka munguar interesimi për veprat e tyre të artit në studio. Për ju sa është kjo shqetësuese?

Vite më përpara titullari i GKA i njihte artistët dhe në të shumtën e tyre shkonte dhe në studio për të parë veprat. Unë kam pasur rastin, që ti pres në studion time dhe të pi kafe me ata. Por për personin që është tani në GKA unë nuk kam asnjë lloj ideje, duket si një person aspak familjar me ne. Më vjen keq që e them këtë. Por është një nga detyrat më të rëndësishme të GKA, që të njohë veprat e autorëve shqiptarë. Në Shqipëri mungon dhe një revistë e specializuar, që e ka pasur GKA që quhej “Pamorart”. E vetmja hapësirë serioze në mënyrë të vazhdueshme të përditshme është gazeta “SOT”. Këtë nuk jua them meqë unë jam në linjë, por nëse dikush kërkon të gjejë një lajm të shkruar jo në Facebook sepse në rrjete sociale qarkullojë të gjitha, por në një gazetë kombëtare të shkruar janë të dy faqet e kulturës përditë te “SOT”, ku mund të gjesh çfarë ndodh në Shqipëri. Unë aty lexova diçka edhe për piktorin Agim Sulaj, një lajm për një punë të tij. Është një informacion shumë i këndshëm, që jepet se çfarë ndodh në Vlorë. Kohët e fundit në fasadën e bashkisë së Pogradecit unë kam vënë një punë, që mendoj që është interesante dhe është një grafikë monumentale. Një vepër publike, por nuk u shpreh askush nga bashkia. Artistët sot nuk vlerësohen sa duhet nga institucionet, jo vetëm ti vlerësojnë por dhe të pasqyrojnë historinë e tyre lokale nëpërmjet veprave siç ka bërë për shembull Vlora. Unë vitin që kaloi veç ekspozitës në Berlin punova dhe për Dhomën Shqipëria, në një hotel në Bavari afër Nurembergut. Unë isha atje i ftuar për ta dizenjuar dhe nëse shkon atje e ndjen veten sikur je në një minimuze të vogël shqiptar. I interesuari i parë për mendimin tim për aktivitetet kulturore duhet të jetë shteti dhe institucionet vartëse të tij që e kanë mundësinë, si qendra kulturore, muze, etj, apo dhe bashkitë që duhet dhe të propozojnë. Këtyre dhe kur iu propozon këta duan vetëm t’iu falësh ndonjë gjë, por dhe nëse iu fal nuk e vlerësojnë.

-Pesë dekada që merreni me pikturë, sa e vështirë ka qenë për ju të arrini suksesin që keni sot?

Vit i fillimit të aventurës sime artistike prej të cilës nuk e kuptoj dot jetën ka qenë 1968, kur kam hyrë në liceun artistik në vit të parë. Prej asaj kohe unë jam transformuar komplet dhe jam bërë tjetër gjë. Kështu që është e vetmja gjë që di të bëj dhe e dëshiroj deri në fund. Në pesë dekada jetë artistike, sikur fjala vështirësi të zëvendësohet me fjalën kënaqësi ose realizim i dëshirës sime. Kur ke një dëshirë dhe një pasion absolutisht asnjë gjë nuk të mban. Ndoshta vështirësia më e madhe dhe e them me keqardhje është që duket sikur na ka rënë rasti të jetojmë në një shoqëri jo fort të kultivuar, e cila nuk është fort e ndërgjegjshme për artistët e vet, ndërkohë që ka shumë nevojë për artin dhe artistët. Shoqëria duhet të ketë më tepër vëmendje. Jetojmë në kohën kur vendi jonë është transparent, ku hyhet e dilet dhe shumë më mirë e njohin studion time të huajt e dashamirës që vijnë nga ana e anës, se sa qytetarët e mi ose se sa zyrtarët tanë.