BREAKING NEWS

“Po e ndaj me ju këtë ngjarje shokuese”, Sazan Guri zbulon bisedën e ‘frikshme’: Funeral falas dhe mbi 1 milion lekë nëse e regjistron vdekjen me COVID-19

“Po e ndaj me ju këtë ngjarje shokuese”, Sazan Guri zbulon
x

Kultura

Anastas Kostandini: Teatri Kombëtar duhej ruajtur si një kompleks monumental, autoritetet nuk e njohin dialogun me artistët

Anastas Kostandini: Teatri Kombëtar duhej ruajtur si një kompleks

Mes institucioneve dhe artistëve në jetën artistike ka munguar dialogu, duke sjellë probleme të ndryshme. Artistët shprehen se zëri i tyre nuk dëgjohet nga institucionet, ku ndjehet një lloj indiference përballë problemeve që ata kanë. Shembja e Teatrit Kombëtar ka ngjallur shumë reagime, ku artistë të ndryshëm janë shprehur për vlerat historike dhe kulturore. Në intervistën për “SOT”, piktori i njohur Anastas Kostandini thotë se mund të kemi salla moderne që do të ofrojë teatri i ri, por atë efekt kulturor që kishte salla e Teatrit Kombëtar nuk do ta ketë tjetra. Piktori Kostandini thotë se Teatri Kombëtar ishte me vlera monumentale por dhe historike, ndërsa ndërtesa e re mund të ishte transferuar në një hapësirë tjetër të Tiranës. Në vijim të problemeve me jetën artistike, piktori Anastas Kostandini thotë se arti ka rëndësi dhe për turizmin në vendin tonë, por kjo gjë pak merret parasysh nga bashkitë në vend. Sipas tij, edhe GKA duhet të ketë një tjetër aktivitet, sepse deri tani ka qenë një institucion i bunkerizuar.

-Jeni i vlerësuar me aktivitetin tuaj brenda dhe jashtë vendit ndër vite. Sa rëndësi merr sipas jush merr arti edhe për turizmin dhe çfarë mund të na thoni për qytetin ku ju punoni?

 Në Pogradec unë si qytetar shikoj që është punuar, ndërkohë ka një ndërhyrje në qendër në lidhje me një lulishte, që është lulishtja e dy monumenteve. Rrotull sheshit të flamurit dhe këtyre monumenteve janë vendosur disa stola në formë libri, që janë shkruar pjesë nga letërsia. Kjo është interesante, një letërsi që njerëzit mund të shikojnë monumentet, por dhe fjalën e tyre. Kur janë bërë këto monumente me përjashtim të vlerës së tyre monumentale, më janë dukur shumë të thjeshtë dhe të varfra në pikëpamjen e shoqërimit me elemente të tjerë dhe gjëja që iu mungonte sipas meje ishte fjala e tyre. Unë ia kam thënë dhe skulptorit dhe drejtuesve atje, që fjala e tyre ku është, sepse ata janë shkrimtarë, janë artistë që kanë lënë fjalën e tyre. Fjala nuk ekzistonte dhe në një farë mënyre kjo është rregulluar. Por ka një gjë që mua më shqetëson që jam një artist aktiv, një artist monumental, ku shpesh qyteti im nuk e ka të qartë fare, që artistë të tillë nuk i njeh fare. Nuk ka asnjë lloj informacioni të tyre dhe nuk e kuptojnë prezencën e një artisti monumental, të një piktori monumental që mund të bëjë vepra publike, ku të lavdërojë historinë lokale, ku të bëjë gjëra të bukura, që lidhen me sheshet dhe hapësirat. Unë dua të bëj diçka të tillë, por është e vështirë të merrem me ta, me gjithë eksperiencën që kam dhe emrin shumë të mirë që kam në nivel kombëtar. Ata nuk mendojnë që artistët duhet të ftohen dhe ky është një problem. Kultura jashtë turizmit sot është një kulturë pak e vjetruar, jo funksionale. Kultura që lidhet me turizmin është funksionale, e cila jeton sepse turizmi e konsumon. Por këta drejtues që drejtojnë në një mënyrë të rëndomtë qytetet me principe të vjetra, nuk e kanë aktivizuar kulturën si pjesë të qënësishme të funksionimit të qyteteve. Pra artistët për ta nuk përbëjnë lajm dhe nuk i angazhojnë në punë. Nëse shkojmë jashtë shtetit dhe shikon një këshill bashkiak, apo një bashki ti aty merr informacion të plotë rreth historisë së atij vendi, aty shikon piktura, skulptura, shikon elemente të tjerë që tregojnë për historinë. Këtu ndodh e kundërta, nëse hyn në bashki zëre se hyn në një spital. Nëse hyn në një institucion kulturor zëre se hyn në një ujësjellës kanalizime, kjo është e tmerrshme. Drejtuesit në përgjithësi kanë një mentalitet të kooperativave bujqësore dhe nuk kanë ide rreth kulturës. Në rastet kur duan ta aktivizojnë kulturën nuk janë mendime profesionale, por mendime personale të këtyre drejtuesve që zakonisht nuk kanë kulturën e duhur, por mund të kenë qenë ekonomistë, mësues, etj. Kjo që unë them mendoj se është vende -vende. Kemi qytete që drejtohen dhe nga njerëz më me kulturën që e çmojnë atë, sepse dhe turizëm pa kulturë nuk ka.

-Artistë të ndryshëm gjatë kësaj kohe janë shprehur për Teatrin Kombëtar. Çfarë solli sipas jush shembja e këtij kompleksi teatror në Tiranë?

Unë kam pasur mendime të dyzuara, edhe më pëlqente të ishte një teatër i ri por më pëlqente veçanërisht ruajtja e dëshmive të së kaluarës dhe unë jam i prirur ndaj kësaj. Ai vend për fat të keq nga 1945 është shpërdoruar, sepse ai kompleks i ndërtuar në kohën e Italisë ka qenë i lidhur me harqe me një lloj ansambli. Ato dy godinat kanë qenë të lidhura dhe ato kufizonin dhe një park brenda, që ishte një lulishte. Ky ansambël pas 1945 është dëmtuar, ai nuk kishte atë vlerën e projektimit bazik që ishte bërë nga Italianët. Kjo gjë duke u dobësuar, u dobësuan dhe parametra të tjerë dhe duket sikur nuk ka vlera monumentale. Por në fakt bukuria e asaj salle, kubatura, sallat parahyrëse, etj, Maks Velo i ka shpjeguar mirë nga pikëpamja arkitekturore, nga pikëpamja e estetikës së interierit dhe të vlerës monumentale të tyre, shto këtu dhe vlerat historike. Këto i japin arsye faktit, që ajo duhej ruajtur si një kompleks monumental, që është pjesë e një kompleksi më të madh monumental që është bulevardi kryesor, ndërtesat kryesore të ndërtuara në kohën e Italisë, sipas një projekti madhor që përbën shtyllën kurrizore të kryeqytetit, që është edhe stadiumi, Instituti i Arteve, godina qëndrore e universitetit, kryeministria, hotel “Dajti” etj, por ky kompleks i teatrit ka qenë një detaj shumë interesant. Unë po flas si artist, sepse kam dhe një eksperiencë teatrale, ku kam punuar rreth 15 vjet si skenograf dhe e di mirë se çfarë është skenografia dhe mund të them që do ti mungojë steriliteti, bukuria, ajo ngjyresa jashtëzakonisht interesante e kubaturës, e sallës shumë specifike në përputhje me psikologjinë e një kryeqyteti si Tirana, që është salla e dikurshme e Teatrit Kombëtar. Ne mund të kemi salla shumë ekstravagante, salla moderne që do të ofrojë teatri i ri dhe do të jetë një gjë padiskutim i bukur, por atë efekt kulturor, atë meditim që do marrësh nga ajo sallë që ka qenë nuk do ta ketë tjetra, ndërkohë kjo godinë mund të ishte transferuar në një nga hapësirat e pafundme, që po i rezervohet Tiranës në bulevardin e ri.

 

 

-Dalëngadalë jeta po i rikthehet normalitetit pas kufizimeve me pandeminë. Nëse flasim për artin në vend, çfarë përgjegjësie sipas jush ka Ministria e Kulturës?

Për jetën artistike do të doja që ministria të ishte më e dhënë pas kulturës dhe pas disa projekteve konkrete, që të jenë të prekshme dhe të dukshme. Është një lajm shumë i mirë, që jeta e vendit do të dimensionohet edhe me kulturën. Pavarësisht në mënyrë të pjesshme, por jeta muzeale, jeta që bën arti vizual, artefaktet, muzeu është shumë e rëndësishme dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me turizmin. Për mendimin tim çdo gjë shpjegohet me turizmin. Ministrinë mund ta pyesësh me dhjetëra herë dhe të mos japë përgjigje, e ka në teknikë indiferencën ose kthimin me zor të përgjigjes dhe të një mungese dialogu me artistët. Ka nevojë për më pak zyrtarizëm të injektuar. Injektimi zyrtar bëhet që nga nivelet e larta të qeverisë, i injektohet ministrisë. Ministria më pas vepron në një mënyrë të kujdesshme. Kjo gjë e bën të pamundur një lloj zhdërvjellësimi që duhet të ketë ministria, një lloj pavarësie në kompetenca që të marrë kontakt me artistët dhe komunikojë me ta. E njëjta gjë që ndodh me kryetarët e bashkive, që ndonëse e dinë shumë mirë që kanë artistë në qytetin e tyre nuk i thërrasin ata dhe nuk iu kërkojnë gjë atyre. Në epokën e turizmit, në epokën e dyndjes dhe të etjes të botës që ka për informacion historiko- kulturor për vendin tonë, duket sikur ata nuk shikojnë punë fare tek një artist. Ndërkohë që bashkia e tyre është një kooperativë bujqësore sërish nuk shikoj ndonjë argument për ndonjë artist. Unë nuk e kuptoj këtë gjë, ka nevojë që dialogu të vijë dhe nga sipër -poshtë. Nëse ne kërkojmë një dialog me institucionet bashkiake ose të ministrisë zakonisht ka një lloj fodullëku. Ata e konsiderojnë atë një inferioritet, që e eliminojnë shumë kollaj.

-Çfarë prisni këtë kohë për aktivitetin e Galerisë Kombëtare të Arteve?

Sa i takon Galerisë Kombëtare të Arteve po e shohim të çmontuar nga një performancë, e cila nuk kishte ndonjë sukses, por ishte një lloj ekstravagance e tepruar pa ndonjë mendim dhe një lloj reminishence e arteve të tjera. Një lloj kopje e instalacioneve të mëdha që ka bërë Kristo një artist i madh, në Berlin, Nju Jork, etj. Ajo që pat GKA ishte një veshje e shëmtuar dhe kopje e një arti, që është bërë. Me rifillimin e aktivitetit, GKA duhet të mos jetë më bunker. Drejtuesi i saj bashkë me këshillin e GKA nuk duhet të flasin me vete dhe të mos ti drejtohen publikut vetëm nga interneti. Sigurisht që këto kohë është e justifikueshme, në këtë kohë të pandemisë ne e kemi pranuar këtë gjë, por e para GKA të hapet ndaj artistëve sepse është një bunker. Rrota lëvizëse e aktiviteteve të GKA të lëvizë më shpejt dhe të respektojë artistët e njohur, që janë sot në një moshë të caktuar. Nëse ata duan të bëjnë retrospektiva dhe kanë një argument për t’iu drejtuar publikut, ata duhet ta marrin në konsideratë. GKA është ende e bunkerizuar dhe nuk po prezanton asnjë ide dhe shpresojmë, që ti propozojë ose ekspozojë për publikun shqiptar edhe evente europiane të rëndësishme.

-Vjet keni pasur ekspozita të suksesshme edhe jashtë vendit. Këtë vit si do të vijojë aktiviteti juaj?

Mua kjo kohë nuk më ka penguar, kam vazhduar të punoj. Unë jam marrë me gravurat e mia, me një cikël. Por tani jam duke pikturuar dhe kam disa projekte për të cilat mendoj se në çfarë mënyre duhet ti ekspozoj dhe ku. Ende nuk kam bërë negociata, sepse një institucion si GKA është njësoj sikur të duash të ekspozosh në galeritë e mëdha të botës, është po aq e vështirë, gati e pamundur. Galeritë e tjera në vend kanë një axhendë të caktuar dhe duhet komunikuar përpara, por sigurisht që do të mendoj për tu ekspozuar në vijim dhe jashtë, kam disa projekte.

-Sa e vështirë të jesh artist sot sipas jush?

Është e vështirë, por kënaqësia për të qenë një artist është shumë herë më e madhe, se sa ato që thashë.

Intervistoi: Julia Vrapi