BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Kultura

Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, Margariti: Jo më një godinë në hije

Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, Margariti: Jo më një

Aneksi i Bibliotekës Kombëtare do të jetë një qendër për librin, teknologjinë dhe të rinjtë. Një qendër për të cilën kanë nisur diskutimet për rijetëzimin e saj. Kështu shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti, ku në diskutimet për rijetëzimin e Aneksit të Bibliotekës Kombëtare merrnin pjesë dhe drejtori i BKSH Piro Misha dhe arkitekti Gent Agolli. “Aneksi i Bibliotekës nuk do të jetë më një godinë në hije, por një qendër për librin, teknologjinë, të rinjtë. Një qendër dialogu që lidh të shkuarën e të ardhmen. Me arkitektin Gent Agolli, drejtorin e BKSH Piro Misha për të diskutuar mbi rijetëzimin e Aneksit të Bibliotekës Kombëtare”, shprehet në një status të saj ministrja Elva Margariti, që ka publikuar dhe disa foto gjatë këtij takimi. Edhe më parë ministrja e Kulturës ka vizituar këtë godinë, për të parë problemet. Kjo ngrehinë është e lidhur ngushtë me dy ngjarje historike për Shqipërinë dhe Tiranën. Pas 500 vjet sundimi otoman, më 26 nëntor 1912, në sheshin përpara saj u ngrit flamuri i Pavarësisë për qytetin e Tiranës. Ky flamur u ngrit nga patriotët Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu dhe Shefqet Ndroqi. Pas shpalljes së Tiranës kryeqytet, më 11 shkurt 1920, në këtë ndërtesë u vendos selia e qeverisë së përkohshme shqiptare, e cila doli nga Kongresi i Lushnjës. Në vitin 1945 në këtë ndërtesë u vendos Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sepse ishte një nga ndërtesat më të mira të kohës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën Kombëtare me një koleksion të pasur prej 15 000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist. Ndërtesa vazhdon të jetë edhe sot pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtu është vendosur fondi i literaturës së huaj sipas të cilit kemi dhe sallat e leximit: sallën gjermane, italiane, franceze, angleze dhe atë të gjuhëve klasike. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.