Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Anila Bisha: Ministria e Kulturës financon projekte të padenja për teatrin, ja pse jam skeptike për ministren Margariti

Postuar: 10/02/2019 - 07:55

  Artistë të ndryshëm shprehen se në jetën artistike përballë problemeve duket se askush nuk do t’ia dijë për ata. Në reagimet e tyre herë pas here ata janë shprehur se nga Ministria e Kulturës ka munguar dëshira për të qenë pranë tyre në zgjidhjen e problemeve që ata përballen. Për aktoren e njohur Anila Bisha, e cila prej 28 vitesh është në Teatrin Kombëtar, Ministria e Kulturës deri tani ka treguar qartë qëndrimin e saj ndaj këtij institucioni, shkatërrimin e tij. Në intervistën për “SOT”, aktorja Anila Bisha duke folur për problemet me teatrin shprehet se “arTurbina” nuk mund të jetë për një Teatër Kombëtar. Sa i takon politika buxhetore për teatrin sipas saj janë krejtësisht të gabuara. Për aktoren Anila Bisha buxheti që akordohet nga Ministria e Kulturës është shumë i ulët për teatrin. Por ajo shton se edhe ky buxhet ndahet për shumë projekte për të thënë që kemi bërë kaq premiera dhe fshihet e vërteta, që shumica e tyre janë vepra minimaliste.

-Në aktivitetin tuaj me çfarë po merreni këto kohë sa i takon skenës së teatrit?

Viti 2019 për mua ka nisur si e pa punë. Këtë vit deri tani jam e paangazhuar në punë, në institucionin ku unë marr rrogën si aktore e kategorisë së parë. Teatrin Kombëtar, më saktë drejtori i tij siç duket më ka "përjashtuar" nga aktiviteti teatror këtij i institucioni. Unë edhe tani që po bëj këtë bisedë me ju nuk kam asnjë informacioni dhe arsye se përse nuk jam e angazhuar në aktivitetin skenik të Teatrit Kombëtar.

-Ju jeni në dijeni të një kalendari artistik se si do të vijojë ky vit me shfaqje për Teatrin Kombëtar?

Jo nuk jam në dijeni për asgjë, edhe më herët jua thashë nuk kam asnjë lloj informacioni nga institucioni, ku unë punoj i vetmi kontakt me të është Facebook-u. Aty jo vetëm unë, por edhe aktorët e tjerë nuk marrin vesh se cili është programi vjetor i aktiviteteve të Teatrit Kombëtar. Turp.

-Çfarë i kërkon Ministrisë së Kulturës për Teatrin Kombëtar?

Ministria ? Ministria e Kulturës për Teatrin Kombëtar prej kohësh e ka të qartë qëndrimin saj ndaj tij. Ajo kërkon shkatërrimin e këtij institucioni. Besoj se e keni marrë vesh që një nga institucionet me performancën më të dobët në vitin e shkuar ka qenë Teatri Kombëtar, dhe si "shpërblim për punë të mirë apo të shkëlqyer" këtij drejtori dështak ministria i rinovoi kontratën si drejtor edhe për 4 vite të tjera. E quaj dështak, sepse nuk përmbushi asnjë nga premtimet e tij të bëra publike përpara se të bëhej drejtor diku nga viti 2013. Kjo do të thotë që ministria dakordësohet me performancën e tij.

-Ju jeni shprehur me kritika për ish ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, çfarë prisni nga ministrja e re Margariti për teatrin dhe jetën artistike?

Ministria është institucion. Nga ministrja e re Elva Margariti që nuk është më e re, se u bë 1 muaj që është në drejtim të Ministrisë së Kulturës, deri tani është inekzistente për teatrin. Nuk jam në dijeni nëse është kontaktuar me aktorët gjë që për mendimin tim duhet ta bëjë, pasi është e nevojshme ti njohë nga afër problematikën e artistëve. Të them të drejtën unë jam skeptike për të. Nuk e di se si mund të jetë ministre e Kulturës një vajzë, që ka mbaruar për arkitekturë dhe me studime, që i ka kryer jashtë, dhe ka ikur fare e re nga Shqipëria të cilën e katapultojnë dhe e bëjnë ministre. Nëse do të ishte një person politik dhe mund të ishte "normale", por kjo nuk është as ashtu. Kjo tingëllon si ministre teknike. Kam frikë se qëndrimi i saj për Teatrin Kombëtar është ai ish-ministres apo më saktë i kryeministrit. Unë jam në mbrojte të Teatrit Kombëtar. Bëhet fjalë për vlerat shpirtërore të qytetarëve të Tiranës, por jo vetëm të saj, por edhe të gjithë shqiptarëve të mëshiruara në godinën historike dhe në truallin e tij. Tashmë është bërë e qartë për gjithkënd afera korruptive që po kërkohet të bëhet. Unë çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë, çfarë kam pasur për të mbrojtur e kam bërë. Unë nuk jam si disa nga kolegë të mi që hiqen si "indiferentë", e kam menduar dhe mendoj se Teatri Kombëtar ka qenë është dhe do të jetë pjesë e jetës sime. Por nuk dyshoj që edhe për ata po kështu është vetë jeta e tyre, por mendoj "indiferenca" e tyre ka të bëjë me "bukën e gojës". Uroj të jetë kjo arsyeja.

-Ju e keni qenë te “arTurbina”?

Po kam qenë dhe kam parë një shfaqje. Të themi të vërtetën, “arTuribna” nuk është skenë e teatrit. Kush thotë të kundërtën gënjen dhe e keqja është se edhe ata vetë e dinë që gënjejnë, por e thonë këtë për të qenë afër politikës, që do të shkatërrojë e Teatrin Kombëtar. Gjeni një arkitekt, një të vetëm që të shprehet që skena apo edhe salla e “arTurbinës” është në parametrat e një teatri. Pyeteni edhe ministren meqenëse ajo është me profesion arkitekte. Nuk jam kundër “arTurbinës” dhe jo mirë por shumë mirë që e bënë. Por të lutem mos thuaj që kjo magazinë e adaptuar në një sallë, dhe në një skenë ka parametrat e një teatri dhe aq më shumë të një godine, që do zëvendësojë Teatrin Kombëtar. Pyeteni drejtorin e teatrit a do ta vinte Çehovin në atë magazinë të adaptuar në "teatër". Më fal harrova. Ai do thoshte po.

-Një problem për teatrin ka qenë dhe mungesa e veprave teatrore shqiptare. Ju çfarë kërkoni?

Me të drejtë artdashësit, por jo vetëm ata por e gjithë shoqëria është e shqetësuar për mungesën e veprave shqiptare në skenën e Teatrit Kombëtar. Unë mendoj se duhet të ndiqet një politikë menaxheriale, ku të afrojmë dramaturgët dhe shkrimtarët për ta parë me prioritet në krijimtarinë e tyre dramën. Benefitet nga vënia në skenë nuk duhet të jenë për ta vetëm emocionale, por edhe me një vlerë të konsiderueshme në krahasim me honoraret e zakonshme, që zbrit 15 përqind kuptohet sa përfundojnë. Por Teatri Kombëtar e ka për detyrë të rivejë në skenë dhe të mbajë në repertor dramën shqipe, e cila i ka rezistuar seleksionimit të kohës. Vepra shqiptare të ketë në skenë. Nëse nuk ka prurje le të vihen ato që kanë qenë të mira. Çfarë të keqe ka se po rivihen ato vepra të mira? Puna është që vepra shqiptare nuk ka as rivënie. Teatri Kombëtar duhet të jetë teatër repertori dhe asgjë nuk e ndalon ta bëjë këtë. Thjesht mungesë vullneti drejtuesish. E marrim rastin se nuk ka vepra shqiptare të mira, këto kohë le të rivihen ato që kanë qenë të suksesshme në skena.

-Sa janë problem buxhetet për jetën artistike?

Politika buxhetore e Teatrit Kombëtar sipas mendimit tim është krejtësisht e gabuar. Buxheti që akordohet nga Ministria e Kulturës është shumë e ulët. Por edhe ky buxhet ndahet për shumë projekte për të shitur mend, që kemi bërë kaq premiera dhe fshehim të vërtetën që shumica e tyre janë vepra minimaliste. Vihen në skenë vepra që nuk janë të denja për një institucion si Teatri Kombëtar. Nuk mund të vërë Teatri Kombëtar një vepër me dy apo me tre personazhe në skenë dhe më e keqja është se janë të pa vlera, me një zhargon rrugësh. Pse kështu do ta ofrojnë publikun në sallën e teatrit, ku një familje e ka të vështirë ta shohë së bashku shfaqjen? Ngul këmbë që jo. Unë nuk e shikoj repertorin e Teatrit Kombëtar kështu, por me një standart tjetër. Çmimi i biletës për të parë një shfaqje në Teatrin Kombëtar është e barabartë me çmimin e një pakete cigareje dhe këtu e kam fjalën për cigaret më të lira. Është çmimi më i lirë në tregun teatror dhe kjo bëhet për të fshehur të vërtetën e hidhur, që në qoftë se ngremë çmimin frigohemi se largohet spektatori. Teatrin Kombëtar fatkeqësisht e udhëheq parimi "ne të shkojmë tek shijet e spektatorit dhe jo parimi, që spektatorit ti ofrohen vlerat e vërteta artistike".

-Sa problem paraqet për ju statusi i munguar i artistit deri tani?

Nuk e di, por ama di që në nuk më mbron kush. As do t’ia dijë njeri për artistët. Sot janë marrë vendime për të prishur Teatrin Kombëtar dhe të ndërtojnë një të ri, që së paku do nja 10 vjet të bëhet e jo më për statusin e artistit.

-Edhe pse ju pohoni se deri tani nuk keni pasur angazhime, në vijim a do t’ju shohim me ndonjë projekt?

Shpresoj se do më shihni. Por përderisa unë kam pasur një përplasje me drejtorin e teatrit për arsyen e vetme, sepse unë shpreha mendimet e mia se si duhet të funksionojë institucioni në cilin kam 28 vite pune, besoj jo së shpejti. Hakmarrja e tij mund të jetë e gjatë. Por unë nuk shqetësohem fare për këtë, sepse kam një karrierë që e kam vënë me shpatullat e mia dhe talentin tim. Nuk vendos për mua një individ, kushdo qoftë ai. Unë në 28 vitet e punës time nuk më ka ndodhur ndonjë incident. Jam shumë korrekte në punë. Kurrë nuk ka ndodhur qe te hyj në prova pasi hyn regjisori në studio. Unë jam nga ato aktore që dëgjoj shumë, bëj atë që kërkon regjisori dhe sikur të mos jem dakord, sepse respektoj punën dhe konceptin e tij regjisorial.

-Si po vijoni aktiviteti me kinemanë?

Sapo kam mbaruar një film me titullin “Vera pa kthim”, sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Besnik Mustafaj dhe me skenar dhe regji të Besnik Bishës. Ka qenë një film shumë impenjativ dhe shumë i veçantë për nga stili i interpretimit. Si partner kam pasur Neritan Liçaj. Shpresoj se ky film do të pëlqehet nga spektatori, kam bindjen që po. Për kohën që të dalë në kinema nuk e di, pasi pritet të bëhet cikli i festivale ndërkombëtare.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë.

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.

Postuar: 14/08/2019 - 07:30

Numri i turistëve, që vizituan qytetin e Beratit gjatë muajit korrik 2019 ishte rreth 1 300 vizit

Postuar: 14/08/2019 - 07:28

Festivali i Regjisorëve të Rinj mungon në jetën artistike.