BREAKING NEWS

Rama kopsit listën e kandidatëve, deputetët paralajmërohen në mbledhje grupi për spastrime, kryeministri i pakënaqur me shumë emra

Rama kopsit listën e kandidatëve, deputetët paralajmërohen
x

Kultura

 “Anima Kineart", me muzikën e filmave shqiptarë ndër vite nga pianistja Ardita Bufaj

 “Anima Kineart", me muzikën e filmave shqiptarë

Muzika e 15 filmave të njohur shqiptarë vjen në albumin “Anima Kineart”. Kolona zanore e filmave që mbajnë emrat e autorëve të njohur shqiptarë, vijnë në albumin me muzikë pianistike “Anima Kineart” përgatitur nga pianistja Ardita Bufaj. Me aktivitetin e saj pianistja Ardita Bufaj është e njohur dhe e vlerësuar nga publiku, ku këto ditë ajo bëri me dije dhe albumin që është konkretizuar me detaje artistike “Anima Kineart”. Muzika e filmave si “Festa e pranverës”, “Guximtarët”, “Gjyshi partizan, “Mëngjese lufte”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Mimoza llastica”, si dhe të tjerë tituj janë përfshirë në albumin e pianistes Ardita Bufaj. Albumi tashmë ka përfunduar dhe artistja e njohur thotë se ideja e “Anima Kineart” erdhi si rrjedhojë e një ngacmimi të brendshëm emocional gjatë lojës në piano të vajzës së saj, Eliza. “Do të luanim të dyja në një konkurs pianistik, ku në përzgjedhje kisha marrë dy materiale muzikore nga filmat për fëmijë "Tomka dhe shokët e tij" dhe Mimoza Llastica". Interpretimi ynë në skenë tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kërkesa më vonë nga pedagoget e tjera për gjetjen e partiturave ishte shumë e madhe”, tregon pianistja Ardita Bufaj. Duke folur për albumin me muzikën e filmave shqiptarë që janë prodhime para viteve ’90 në vendin tonë, artistja thotë se pas këtij momenti vendosi që muzikën e filmit për fëmijë ta risillte. “Në atë moment vendosa që muzikën e filmit për fëmijë ta risillja të transkiptuar për instrumentin e pianos, ku tu jepej mundësia shumë pianistëve shqiptarë për ta interpretuar, dhe këto materiale muzikore të bëheshin pjesë e repertorit pianistik, por edhe brezi i ri sidomos, fëmijët të edukohen  dhe të njihen me vlerat e çmuara që kompozitorët e shquar shqiptarë kanë lënë në fondin e artë të muzikës së filmit”, tregon më tej pianistja.

Albumi dhe detajet artistike

Albumi “Anima Kineart” është punuar në një frymë profesionale dhe sipas pianistes Ardita Bufaj brenda tij konkretizohet me detaje artistike, duke filluar nga regjisorët përkatës, kompozitorët dhe vitin e prodhimit të filmave. “Në fakt, kolonat zanore të filmit për fëmijë nuk janë prekur më parë nga kompozitorë dhe interpret të tjerë (flas për transkiptime për instrumentin e pianos) kështu, që ideja për ti risjellë të punuara nga disa orkestrues duke ruajtur gjithmonë limitin e origjinalitetit krijues të çdo kompozitori, do sillte si rezultat një album tepër profesional. Mbi të gjitha që brenda tij do të konkretizohej me çdo detaj artistik, duke filluar nga regjisorët përkatës të secilit film të përzgjedhur në album, skenaristët, kompozitorët, vitin e prodhimit të filmave. Pra, do të merrte një dimension më të gjerë si rezultat i respektit dhe mirënjohjes ndaj dishepujve të artit të kinematografisë dhe muzikës së filmit”, shprehet ajo. Në një reagim të saj, artistja Ardita Bufaj shpreh dhe mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata që e ndihmuan, ku thotë se  së bashku ja dolën të risjellin fëmijërinë nëpërmjet muzikës së filmit shqiptar. Ajo shprehet se muzika brilante nga Tish Dajia, Kujtim Laro, Tasim Hoshafi, Aleksandër Lalo, Robert Radoja, Haig Zacharian, Endri Sina do jetojë gjatë në fondin e artë të muzikës shqiptare. Përshtatjet për piano me profesionalizëm u kryen nga Endri Sina, Klodian Qafoku, Jusiald Xhani, Andi Kongo dhe Reinald Foci. Zërat e bukur fëminore të Nikol Azizaj dhe Elizes, sipas pianistes janë qershia mbi tortë. Pianistja Ardita Bufaj thotë se për albumin e saj pati ndihmën dhe të institucioneve. “Falenderoj dhe ata të cilët bënë të mundur këtë realizim: kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, për gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tij, për ta patur si një suvenir të bukur pranë aktiviteteve artistike të 100-vjetorit të Tiranës. Ministrinë e Kulturës, AQSHF dhe drejtoreshën Iris Elezi, për mbështetjen në shfrytëzimin e fotove dhe të materialeve arkivore. Prof. Përparim Kabo, që me dijen e tij oqeanike i dha vlera universale muzikës së filmit shqiptar për fëmijë”, shprehet pianistja. Për artisten e njohur, puna me albumin filloi e vetme, por përgjatë rrugëtimit të saj u finalizua me bashkëpunëtorë profesionistë, kompozitorë, regjisorë dhe figura të nderuara të artit shqiptar.