
“Në mesnatë Alibeaj ndryshoi listat pa na pyetur”/ Dha dorëheqjen nga gara për kryetar Bashkie në Korçë, Gjata zbardh prapaskenat e forta

VIDEO/ Artan Hoxha publikon pamjet: Ja momenti kur ish-shefi i RENEAS merr 113 mijë eurot nga biznesmeni

"Dal unë në përgjime që flas me..."/ Artan Hoxha thirrje policisë: Shkoni te bandat, te ngjarjet e fundit kriminale në Tiranë makinat janë vjedhur në të njëjtin qytet

Deklarata ‘bombë’ e Artan Hoxhës: Pronarët e Top Channel kanë ndjerë rrezik, ata e dinë se nga vjen sulmi

Të shtëna me armë zjarri, reagon policia

Çfarë po ndodh? Përçahen demokratët e Berishës në Sarandë

Zgjedhjet e 14 maji/ Ish deputeti reagon për tërheqjen e kandidatëve të PD-së: Bombën ia ka vënë Berisha

Kush e ka radhën? Paralajmërimi i bujshëm i ambasadorit britanik: Këtë vit do ketë “non grata” të tjerë

Ansambli Popullor koncert në nderim të kompozitorit dhe dirigjentit Haxhi Dalipi, një repertor plot këngë, korale dhe valle të kompozuara prej tij

Shkruar nga Nga Julia Vrapi 14 Mars 2023
Një repertor plot këngë, korale dhe valle të kompozuara, përpunuara dhe orkestruara për Ansamblin Popullor, nga “Artisti i Merituar” dhe “Mjeshtri i Madh” Haxhi Dalipi do të vijë në koncertin e mbrëmjes së 17 marsit. Në 80-vjetorin e lindjes së “Shpirtit të Labërisë”, TKOB vjen me një koncert të Ansamblit Popullor, në nderim të kompozitorit dhe dirigjentit, Haxhi Dalipi. Kjo për të kujtuar vlerat dhe pasuritë e patjetërsueshme të kulturës sonë kombëtare, ku qëndron edhe kontributi me vlerë i etnomuzikologut e studiuesit të spikatur Haxhi Dalipit. Një koncert me grupin vokal, solistët dhe valltarët e Ansamblit Popullor. Ideator Klodian Qafoku, drejtues i grupit vokal Gramoz Burba, drejtues orkestre Alban Tahiri, orkestra e AP dhe dirigjent Vladimir Hasimi. Artistët e Ansamblit Popullor do të sjellin një koncert me një program të pasur muzikor, por dirigjenti dhe fizarmonçist prej 49 vitesh Vladimir Hasimi shprehet se me kompozitorin Haxhi Dalipi “Mjeshtër i Madh” kanë pasur shumë lidhje shoqërore-artistike për muzikën folklorike dhe qytetare vlonjate. “Me vitalitetin e tij me shumë respekt na ka ndihmuar për motive vallesh epike, lirike, nga Vranishti, Kanina, Kuçi, Himara, etj, që i kemi vënë në skenë prej shumë vitesh”, tregon ndër të tjera Vladimir Hasimi dirigjent i njohur orkestrës
Koncertet dhe bashkëpunimet
Dirigjenti dhe fizarmonçisti Vladimir Hasimi tregon se gjatë kohës që Haxhi Dalipi “Mjeshtër i Madh” punoi për të ngritur në nivel shumë profesional Ansamblin Popullor ai bëri recitalin e Grupit të Valleve, ku u spikat bashkëpunimi mes dy kompozitorëve Haxhi Dalipi me Tish Daijën me vallen Labe. Po ashtu dhe recitalin e korit dhe solistëve, me këngët e njohura, Kënga e Nënës që e kishte për zemër, “Janinës çi panë sytë, “Vajz’ e Valëve”, recitalin e orkestrës dhe shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Dirigjenti Hasimi tregon se ai bëri shumë bashkëpunime dhe koncerte me ansamblet kombëtare si “Shota” , “Xheladin Zeqiri” të Tetovës dhe me të gjithë ansamblet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. “Nderim dhe respekt për veprat muzikore-ideore, që ka lënë pas për të gjithë brezat”, shprehet Hasimi. Drejtues i orkestrës Alban Tahiri thotë se ky koncert që do të zhvillohet të premten ka një angazhim maksimal. “Përveç anës profesionale që në çdo koncert ne japim më të mirën tonë, Haxhi Dalipi ka qenë përpara shumë vitesh drejtori i ansamblit, kështu që në këtë rast jemi të detyruar të japim më shumë se 100 për qind. Programi do jetë i larmishëm dhe mendoj se publikut do i pëlqejë dhe do t’i dhurojmë një mbrëmje të këndshme”, thotë Tahiri. Drejtuesi Alban Tahiri thotë se orkestra vjen në këtë koncert pas disa shfaqjeve shumë të mira. “Dua të them që kemi pasur një program shumë të ngjeshur dhe për këtë falenderimi vjen dhe për drejtoreshën përgjithshme Abigeila Voshtina, e cila duhet përgëzuar për përkushtimin e saj për ansamblin, na ka dhënë shumë mundësi për projektet dhe idetë tona”, thotë ai.
Ideja për zhvillimin e koncertit
Koncerti që do të zhvillohet në nder të kompozitorit dhe dirigjentit Haxhi Dalipi ka si ideator kompozitorin Klodian Qafokun. Ai tregon se ideja për këtë koncert me artistët e Ansamblit Popullor lindi vjet në nëntor në qytetin e Vlorës. “Në 28 nëntor të vitit të kaluar, në qytetin e Vlorës u zhvillua një koncert në nder të kompozitorëve vlonjatë për kontributin e tyre në vite. Një ndër ta ishte dhe prof. Haxhi Dalipi, ku iu luajt një vepër, Variacione për piano. Aty lindi ideja që prof. Haxhiut në 80- vjetorin e lindjes së tij, t’i dedikohej një koncert kushtuar figurës së tij, pikërisht me Ansamblin Popullor, pasi ai për 4 vjet ka qenë drejtues i këtij ansambli, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit artistik, me koncerte të panumërta brenda dhe jashtë vendit. Pas kërkesë -idesë dhe përgjigjes pozitive nga titullarja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, znj. Abigeila Voshtina, u bëmë bashkë për të ngritur këtë koncert plot vlera, me një repertor ku tërësisht janë vepra të cilat Haxhi Dalipi ka përpunuar, orkestruar apo kompozuar për Ansamblin Popullor”, tregon kompozitori Qafoku. Një program muzikor i pasur do të jetë me këtë koncert, ku ideatori Klodian Qafoku tregon se së bashku me drejtuesin e orkestrës dhe violinistin e Ansamblit Popullor Alban Tahiri, mblodhën të gjithë materialet e shumta, të cilat prof. Haxhiu kishte arkivuar në arkivin muzikor të TKOB-së, por dhe materiale muzikore të cilat janë ruajtur nga familjarët e tij, ku ai thotë se gjen rastin t’i falenderojë për mbështetjen që kanë dhënë për këto partitura të vyera. “Përgjithësisht, repertori përmban materiale muzikore popullore të Shqipërisë së Jugut. Këngët si: Thuam të dua, Të kisha trupin tënd, O shokë medet medet, etj, janë këngë të cilat në kujtesën e gjithsecilit nga ne janë padyshim aroma e muzikës qytetare vlonjate, ku prof. Haxhiu zhvilloi dhe pasuroi më tej këtë kulturë muzikore. Nuk mungojnë këngët iso-polifonike, ku dora dhe mendja e Haxhi Dalipit ka zhvilluar dhe përpunuar këto këngë, duke i ngritur në nivele të tjera si “Vajz’ e Valëve”, apo vallja e kënduar Shpata jonë gris ferman, apo vallja Sup më sup, etj”, tregon Klodian Qafoku.
Haxhi Dalipi përfaqëson një dimension të gjërë të figurës së artistit
Në koncertin nga Ansambli Popullor do ketë gjithashtu përshtypje dhe mbresa të shkurtra që prof. Haxhi Dalipi ka lënë tek miqtë e tij, profesorë, akademikë, kompozitorë, etj. Ideatori i koncertit Klodian Qafoku shprehet se Haxhi Dalipi “Mjeshtër i Madh” përfaqëson një dimension të gjerë të figurës së artistit. “Unë e shoh në 5 plane: Krijuese - Studiuese - Interpretative - Pedagogjike dhe Menaxhuese”, shprehet ideatori Klodian Qafoku kompozitor. Si krijues shprehet Klodian Qafoku, ai ka lënë një numër të madh veprash të gjinive të ndryshme muzikore si: Suitë për orkestër simfonike, Valle simfonike, vepra pianistike, muzikë dhome, romanca vokale, etj. “Si studiues, ai ka hulumtuar pothuajse gjithë Labërinë e Myzeqenë, duke mbledhur, incizuar shtëpi me shtëpi, duke u njohur me perla të këngëve iso-polifonike, të cilat më pas ai i ngriti në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës e më gjerë. Si dirigjent, interpretoi koncerte të ndryshme simfonike në qytetin e Vlorës, të autorëve të huaj dhe vendas”, shprehet Qafoku. Si pedagog, vijon kompozitori Klodian Qafoku, Haxhi Dalipi ka një kontribut në arsimimin e shumë nxënësve të shkollës së mesme artistike “Naim Frashëri”, si dhe studentëve të lëndës së Folklorit në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Si menaxhues, vijon Klodian Qafoku ai diti të krijojë e të drejtojë institucione të rendësishme artistike.
Kontributi në fushën e muzikës
Haxhi Dalipi (1943-2006) lindi në qytetin e Gjirokastrës, në një familje qytetare atdhetare dhe qysh fëmijë u rrit e jetoi në qytetin e Vlorës, ku dhe nisi vitet e para të shkollimit e të krijimit artistik. Mbaroi për flaut Liceun Artistik “Jordan Misja”, si nxënës i veçantë e i zgjedhur i të madhit Ramadan Sokoli. Më pas, punoi disa vite si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës, veçanërisht u dallua si mësues muzike në Himarë. Më vonë studioi për dirigjent dhe kompozicion. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe më vonë si dirigjent kori e kompozitor me profesorët Çesk Zadeja dhe Kostandin Trako, “Mjeshtri Madh” Haxhi Dalipi gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë, si: dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicientëve të rinj, drejtues i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë të rifreskuara për publikun. Ai, për vite me radhë, ka qenë udhëheqës artistik i ansamblit “Labëria”, po ashtu, për shumë vjet ka qenë drejtues muzike në Qendrën Kulturore dhe drejtor i Shkollës Artistike “Naim Frashëri” në qytetin e Vlorës, themeluesi dhe arkitekti i Orkestrës Simfonike të qytetit, drejtor i shkollës së muzikës në Vlorë, drejtor i Ansamblit Artistik dhe i Pallatit të Kulturës “Labëria” dhe në fund të jetës do ta mbyllte, jo pa dhimbje, si drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Haxhi Dalipi mban nderimin e madh të Presidentit të Republikës, “Artist i Merituar” dhe më pas është i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, po nga Presidenti i Republikës. Vlora dhe Gjirokastra e ka shpallur “Qytetar Nderi” dhe Gjirokastra i ka dhënë emrin një rruge në qytet.
Më të lexuarat


Shqipëria pjesë e “First Kings of Europe”, objekte të trashëgimisë prehistorike në ekspozitën ndërkombëtare në SHBA dhe në Kanada

Çmimi “Nderi i festivalit” për Ansamblin Popullor në Vitie

“Burrnesha”, “Pesë stinët e armikut të popullit” dhe “Kthimi i Karl Majit” vepra të autorit Jeton Neziraj në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental

“Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874, shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri

Prodhime kinematografike të viteve 2020-2022 prezantohen në “Ditët e Filmit Malazez”, filmat pas Tiranës do të shfaqen në Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër

TKOB: Opera “Don Pasquale” afroi me kulturën operistike pranë dyerve të teatrit një publik të ri

Vladimir Doda: Teatri është në të njëjtën situatë që gjendet shoqëria shqiptare dhe ca më keq

Vladimir Hasimi, ikona e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, një jetë duke mbrojtur dhe promovuar vlerat e shkëlqyera të trashëgimisë kulturore jomateriale mbarëkombëtare shqiptare

“Gdhendja e germave të gjuhës shqipe në shtypshkrimet e Pjetër Budit”, në kuadrin e “Tragë”

Ekspozita “Rrugës...” nga artistët Emanuel Koko dhe Bertrand Shijaku, ku prezantohen punimet më të fundit në skulpturë dhe grafika
