Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Anton Pashku në 80 vjetorin e lindjes, konferencë në Bibliotekën Kombëtare

Postuar: 15/11/2017 - 07:50

Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës  zhvilluan në Tiranë promovimin e monografisë “Anton Pashku” në kuadër të 80-vjetorit të lindjes. Një konferencë shkencore bëri bashkë studiuesit, por nuk mungoi dhe një ekspozitë për Anton Pashkun. Studiuesi i njohur kosovar Sabri Hamiti foli për veprën studimore për shkrimtarin Anton Pashku, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Hamiti veçon tek Pashku krahas prozës edhe dramën. Studiuesi kosovar thotë se kërkimi është i thellë, por qëllimi është që përmes këtij studimi të nxitet dëshira për ta lexuar Anton Pashkun. Me aureolë klasike dhe shkrimtar kundër rrymës ky është përshkrimi që i bën Anton Pashkut, Sabri Hamitit i cili prej 40 vitesh është marrë me studimin e rrafsheve letrare të  tij.

Në këtë përkujtim të 80-vjetorit të lindjes së tij Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës krahas konferencës shkencore, ku sollën në vëmendje veprën letrare të Anton Pashkut, prezantuan në formën e një ekspozite testamentin e tij shkrimor dhe kritikën e derdhur në shtypin e kohës. Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (fshat afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babain, Tonin (bukëpjekës), nga një fshat pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut. Kreu shkollimin e mesëm në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, më pas redaktor i rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut Sinkopa e Gof janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 26

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/06/2018 - 07:55

Filmi “Ngjarje në Cirk" me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji u shfaq premierë për publikun.

Postuar: 22/06/2018 - 07:53

Kalendari kulturor Shqipëri- Kosovë mes dy ministrave të Kulturës u nënshkrua për herë të pestë.

Postuar: 22/06/2018 - 07:51

Rolet në film dhe në teatër kanë bërë që aktori Klodian Hoxha të shprehet se ka qenë një vit arti

Postuar: 21/06/2018 - 08:01

Skena e Pavarur Kulturore (SPK) në një situatë dramatike.

Postuar: 21/06/2018 - 07:58

Piktori Arben Shira vijon me krijimtarinë e tij në pikturë, larg Shqipërisë por ekspozitat e tij

Postuar: 20/06/2018 - 19:43

Aktori i njohur Arben Derhemi mori fjalën sot gjatë protestës së ditë për ditshme të artistëve ku

Postuar: 20/06/2018 - 07:45

Ministria e Kulturës bën me dije se ka nisur puna për restaurimin e Banesës së Vëllezërve Frashër