Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ardian Isufi dhe Elton Koritari sfidojnë Ministrinë e Kulturës, “Onufri Re-Made” zhvendoset në Kosovë

Postuar: 13/04/2019 - 07:25

Ekspozita ndërkombëtare “Onufri” pasi zhvilloi 23 edicione në Galerinë Kombëtare të Arteve u mbyll nga institucionet në Shqipëri, por do të vazhdojë këtë vit në Kosovë. Ndryshe nga Galeria Kombëtare e Arteve si dhe Ministria e Kulturës, që sipas artistëve e zhdukën nga harta e artit në Shqipëri, në muajin nëntor “Onufri Re-Made” do të zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Prof. asoc. Ardian Iusfi Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura shprehet se në këtë projekt është bashkë me kuratorin Elton Koritari, ku nga Galeria Kombëtare e Kosovës kanë marrë miratimin për zhvillimin e “Onufrit Re -Made”. “Është fatkeqësi e madhe që “Onufri” është zhdukur nga harta kulturore shqiptare. Mendoj që reagimi i artistëve nuk duhet të jetë vetëm me fjalë, por duhet realisht të marrin përsipër fatet në rastin konkret të ekspozitës “Onufri” për të mos lënë që këto gjëra të zhduken në këtë formë. Bashkëkurator me Elton Koritarin, i cili sapo ka organizuar dhe pavijonin shqiptar në bienalen e Venecias së Arkitekturës, menduam që të bëjmë një akt konkret duke aplikuar për të bërë “Onufri Re-Made” në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës në muajin nëntor” tregon dekani Isufi. Më tej ai vijon se këtë vit “Onufri Re-Made” do të financohet nga galeria në Kosovë. “Galeria e Kosovës e ka mirëkuptuar këtë lloj sensbilieti dhe shqetësimi që kanë qarqet artistike shqiptare. Këtë vit ka një titull edhe shumë provokues, sepse do titullohet “Onufri Re-Made” dhe mbi të gjitha është mbarëkombëtar, por do jetë dhe për artistë ndërkombëtarë që kanë lidhje me vendin tonë ose janë rezident në Shqipëri. Do të jetë një “Onufër Re-Made” ndërmjet elementit mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar”, tregon dekani Ardian Isufi. Ashtu si është zhvilluar në 23 edicione në Tiranë në GKA edhe në Prishtinë “Onufri Re-Made” pritet të zhvillohet do ketë jurinë e tij, që do të ndajë dhe çmimet. Dekani Ardian Isufi shprehet se zhvillimi i tij në Kosovë është dhe një kundër reagim për të sensibilizuar GKA dhe Ministrinë e Kulturës në Shqipëri. “Ne do të kemi “Onufri Re-Made”, pra është një metaforë shumë e rëndësishme dhe një kundër reagim i fortë për të sensibilizuar Ministrinë e Kulturës dhe institucionet kulturore, që ta kenë në konsideratë dhe të kthejnë mbrapsht atë vendim të padrejtë dhe të paligjshëm që është marrë mbi “Onufrin”, vijon dekani Ardian Isufi.

“Onufri Re-Made”, tema që shqetësojnë shoqërinë

Ndërsa kanë nisur bisedat dhe komunikimi me artistët për “Onufri Re-Made” që do të jetë në Kosovë, dekani Ardian Isufi bën me dije se së shpejti do të shpallen dhe aplikimet on line bashkë me platformën. “Do kemi faqen tonë dhe të lidhur me Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku do të ndjekim hapat e një aktiviteti të rëndësishëm. “Onufri Re-Made” do të jetë kontestues dhe antikonformist në frymë dhe thelb, rebelues ndaj fenomeneve të caktuara që ndodhin në shoqërinë shqiptare, duke pasur parasysh dhe rezonancën me botën. Do ketë tema të rëndësishme që shqetësojnë shoqërinë tonë siç është korrupsioni, inflacioni, tema sociale, shoqërore dhe politike”, tregon ai. Duke kundërshtuar vendimin për mbylljen e “Onufrit” në GKA, dekani Ardian Isufi shprehet se konkursi duhej të fuqizohej dhe jo të zhdukej. “Bordi i GKA nuk mund të marrë një vendim për “Onufrin”, sepse është jashtë juridiksionit të GKA. Duhej të ishte patjetër ministria që ta propozonte, por se ka bërë këtë gjë në kohën e ish ministres Kumbaro, sepse do kishte reagim të ashpër nga artistët, dhe u gjet një formë makiaveliste për ta goditur “Onufrin” përfundimisht”, shprehet dekani Ardian Isufi. “Onufri” duhej që në dhjetor të 2018 të zhvillonte edicionin e 24 në GKA, gjë e cila solli shumë reagime të artistëve ndaj galerisë dhe ministrisë. Edicioni i 23 i ekspozita ndërkombëtare të artit “Onufri” u zhvillua nga data 20 dhjetor 2017 deri më 30 janar 2018 në GKA.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/04/2019 - 07:27

Monumenti i Agonotetëve, ngritur mes gjelbërimit dhe kurorës së ullinjve, u kthye në një prej simboleve të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, në Shqipëri.

Postuar: 19/04/2019 - 07:25

Vepra franceze “Boeing Boeing” pas 90 shfaqjeve në skena të ndryshme të teatrit në ve

Postuar: 19/04/2019 - 07:24

Piktori Arben Basha shprehet se në gjendjen që është sot në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorët

Postuar: 18/04/2019 - 07:27

Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri.

Postuar: 18/04/2019 - 07:26

Ekspozita "Vizatime të një jete" me punime të artistit Lekë Tasi u çel mbrëmë për publi

Postuar: 18/04/2019 - 07:23

Shfaqja "Salome" nga sot deri të dielën shfaqet për publikun në Teatrin Kombëtar Eksper

Postuar: 18/04/2019 - 07:22

Dëmtimet në fushën e trashëgimisë kulturore në vend sipas specialistëve janë të shumta.