Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkeologët: Në 20 vite u zhdukën specialistët e monumenteve, shërbimi në trashëgiminë kulturore jo vetëm i falimentuar, por dhe i korruptuar

Postuar: 22/06/2019 - 07:27

Specialistët e trashëgimisë kulturore shprehen se në dy dekadat e fundit ata që cilësohen si profesionistë të fushës janë të paktë në institucionet tona. Sipas tyre edhe sistemi i shërbimit për trashëgiminë kulturore është larg asaj që duhej, duke sjell jo pak probleme. Në fushën e arkeologjisë problemet nuk janë të pakta, por dhe kur flasim për parqet arkeologjike në vend sipas specialistëve duhet tjetër kujdes dhe vëmendje. Dy emra të njohur të kësaj fushe, arkeologët Moikom Zeqo dhe Neritan Ceka shprehen se në institucionet e trashëgimisë kulturore janë vënë në drejtim njerëz, që nuk kanë lidhje me këtë fushë. Arkeologu Moikom Zeqo shprehet se kjo është shkatërrimtare për trashëgiminë kulturore. “Jo vetëm në parkun e Bylisit dhe në parkun e Butrintit ka probleme, por dhe në vende të tjera. Në vend që të kemi personalitete, kanë vënë njerëz anonimë që nuk i njeh askush. Kjo tashmë u bë një traditë negative, që në krye të institucioneve vihen njerëz të tillë. Një park arkeologjik është dhe një lloj institucioni kulturor dhe vihen njerëz anonimë, njerëz që nuk kanë lidhje fare me arkeologjinë ose vihen njerëz të stimuluar nga ana politike, dhe kjo për mendim tim është shkatërrimtare për të ardhmen e këtyre parqeve arkeologjike”, pohon arkeologu Zeqo. Duke folur për problemet në fushën e trashëgimisë, studiuesi dhe arkeologu Moikom Zeqo shton se në dy dekada janë zhdukur specialistët e fushës në institucione. “Në 20 vitet e fundit u zhdukën specialistët e monumenteve. Nuk ka më specialistë, që merren me monumente dhe është shpikur ideja e menaxherit, që mund të jetë njeri me një kulturë ekonomike, mund të ketë mbaruar dhe shkenca politike ose degë tjetër të rëndësishme, por nuk është për t’u marrë me fushën e monumenteve të kulturës, dhe mua kjo më duket e padrejtë”, shprehet arkeologu. Sipas tij, dikur në parqet arkeologjike ishin njerëz profesionistë që drejtonin, por sot veç të tjerave parqet përballen dhe me mungesën e investimeve. “Parqet arkeologjike në kohën e sotme të zhvillimit të turizmit duhet të merrnin një përparësi të madhe dhe organizimi i tyre të ngrihej nga ana cilësore në maksimum, sepse kjo do të kombinonte me turizmin kulturor. Së pari, sot parqet arkeologjike nuk kanë njerëzit e duhur, së dyti nuk kanë fonde dhe së treti duhet të kenë dhe botimet e gudiave. Kjo kërkon që të ketë projekte çdo park arkeologjik. Përmend këtu Butrintin si më masivi, që duhet të ketë projekte të tilla që të jenë efiçente dhe jo vetëm për një vit, por për një periudhë të paktën 10 vjeçare, sepse nga ana e turizmit ai përfaqëson dhe një burim vlerash monetare, që të shkojnë njerëzit”, pohon arkeologu Moikom Zeqo.

Institucionet me njerëz të paaftë

Në reagimin e tij edhe arkeologu Neritan Ceka shprehet se parqet arkeologjike në vendin tonë kërkojnë më shumë vëmendje nga institucionet, gjë që sipas tij ka munguar. “Unë dua ti bëj një pyetje ministres së re. Si është e mundur që drejtori i parkut të Butrintit vjen nga Tirana? Si i del rroga këtij njeriu të paguajë makinën, benzinën, udhëtimin dhe të marrë një rrogë modeste dhe duke lënë një zyrë arkitekti në Tiranë pa qenë arkeolog dhe pa pasur pasion për arkeologjinë shkon dhe drejton parkun e Butrintit? Nga dalin këta arkitektë që na kanë mbushur shërbimin e monumenteve të kulturës, që nuk kanë asnjë lidhje përveç disa interesave, që unë nuk dua ti cilësoj. Më i rregullti është parku i Apollonisë, ku ka profesionalizëm pavarësisht se nuk ka ndonjë mbështetje dhe paratë nuk shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës. Kjo Ministri Kulture është një kaos i vërtetë. Mbushur me njerëz të paaftë”, pohon arkeologu Ceka. Me kritika ndaj institucioneve, arkeologu Neritan Ceka shprehet se gjërat nuk kanë ndryshuar kur flitet për probleme. “Edhe me ardhjen e ministres së re asgjë nuk ndryshon. Janë po ata njerëz, që e përdorin trashëgiminë kulturore për përfitime personale”, shprehet arkeologu Ceka. Duke folur për problemet në parqe arkeologu sjell në vëmendje parkun e Bylisit. “Parku i Bylisit është i braktisur. Nuk as kuadër profesional në drejtim dhe prej kohësh nuk ka investime. Tabelat janë të prishura dhe rrethimet janë të ndryshkura dhe është një pisllëk pavarësisht nga përpjeka e punëtorëve, që janë atje për të punuar ndershmërisht. Dua ta përfundoj që i gjithë shërbimi në trashëgiminë kulturore është jo vetëm i falimentuar, por thellësisht i korruptuar”, shprehet arkeologu Ceka.

 Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:34

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina në “PriFest” në Prishtinë u nderua me tre çmime.

Postuar: 23/07/2019 - 07:32

Ekspozita “Leonardo-Opera Omnia”, me riprodhime të 17 vepra pikture të Leonardo Da Vi

Postuar: 23/07/2019 - 07:31

 Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se Bashkia e Tiranës ka shpallur konkursin me të c

Postuar: 23/07/2019 - 07:30

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në pritje të një rikonstruksionit, por

Postuar: 21/07/2019 - 07:54

Festivali Multikulturor i Beratit erdhi në edicionin e tij të gjashtë, me një program të pasur në

Postuar: 21/07/2019 - 07:52

Ekspozita “Duke pikturuar filmin” vjen me vepra të piktorit Shyqyri Sako.

Postuar: 21/07/2019 - 07:51

Përballë problemeve, që janë në aktivitetin artistik artistë të ndryshëm shprehen se nuk gjejnë m