BREAKING NEWS

Rama udhëtoi me urgjencë drejt Dubait, Balla zbulon arsyen e madhe që qëndron pas kësaj lëvizje të kryeministrit, tregon çfarë pritet ditën e sotme

Rama udhëtoi me urgjencë drejt Dubait, Balla zbulon arsyen e madhe
x

Kultura

Artan Maku: Politikat e Ministrisë së Kulturës nuk i shërbejnë realitetit, nxisin përplasje mes artistëve, nuk duhet të ketë reduktim të buxhetit

Artan Maku: Politikat e Ministrisë së Kulturës nuk i

Drejtues të aktiviteteve kulturore në vend shprehen se ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me projektet e tyre, që zhvillohen në vijim gjatë këtij vitit. Për shkak të pandemisë nga koronavirusi, që ka përfshirë dhe vendin tonë aktivitetet artistike dhe kulturore në vend janë pezulluar nga institucionet, por me probleme janë dhe festivalet e ndryshme të filmit që zhvillohen tek ne. Festivali “Anifest Rozafa” është unik në llojin e tij dhe i vlerësuar ndër vite. Drejtori artistik i festivalit, regjisori Artan Maku shprehet se këtë vit festivali duhet të zhvillojë edicionin e tij të 11, por për shkak të situatës ende nuk ka një vendim. Festivali i filmit “Anifest Rozafa” përfundoi një vit më parë edicionin e dhjetë në qytetin e Shkodrës, me një program të pasur artistik me filmat që u shfaqën, por drejtori Artan Maku thotë se për vitin 2020 Ministria e Kulturës pati dhe ndryshime në aplikimet e projekteve, që solli probleme. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i njohur i filmit të animuar Artan Maku thotë se më parë duhet të shprehen ministritë përkatëse dhe më pas të vendoset për festivalin. Problem për regjisorin Maku janë politikat kulturore që ka ndjekur Ministria e Kulturës, ku sipas tij duket se nuk i kanë shërbyer shumë realitetit në vend. Viti 2020 shënon dhe 45-vjetorin e filmit të animuar shqiptar dhe regjisori Artan Maku gjatë kësaj kohe po shfaq në rrjetet sociale prodhime të filmave, që janë realizuar në kohën e Kinostudios. Ai shprehet se deri tani ka pasur interes për këtë prodhimtari të filmit në vend.

 

-Në 45- vjetorin e filmit të animuar shqiptar ju po vijoni të shfaqni në rrjetet sociale filma prodhime të ish Kinostudio para viteve ’90. Për ju sa rëndësi ka pasur deri tani filmi i animuar?

Fillimisht në javën e parë shikueshmëria ishte e ulët, jo shumë reagime pavarësisht që publiciteti ka qenë goxha i madh. Por tani pasi një muaji ka shikueshmëri shumë të lartë, pra ka ardhur duke u rritur interesi jo vetëm brenda për brenda në rrethe të ngushta, por ka dhe të huaj që unë nuk i kam në Facebook, por janë persona që vijnë për ti parë dhe që i pëlqejnë filmat tanë të animuar.

-Sa po respektohen të drejtat e a autorit me filmin në vendin tonë?

E përgjithshmja është që vazhdon siç ka qenë situata me filmin në Shqipëri. Kjo do të thotë që filmin e animuar e japin si kusur. Në një takim që patëm në Forumin e Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit ishte që filmi i animuar shqiptar shfaqet, sepse pretendimet kanë qenë se nuk shfaqet, por në atë takim u tha që shfaqet por nuk japin para televizionet. Është thjesht një kusur që i japin para filmit artistik dhe jo ai i animuar, i cili mbetet për garniturë, nuk vlerësohet. Artisti i filmit të animuar nuk vlerësohet nga ata që e shfaqin filmin e animuar shqiptar.

-Çfarë do të ndodhë këtë vit me festivalin e filmit “Anifest Rozafa”, duke pasur parasysh dhe gjendjen që po kalojmë. Është edicioni i 11 i festivalit, që duhet të bëhet në vjeshtë këtë vit?

Nuk di çfarë të themi për festivalin deri tani. Kjo sepse në koncept, pretendimet, mënyra e strategjisë dhe forma që ndërtoi Ministria e Kulturës sivjet në zbatimin e projekteve në realizimin e tyre ka qenë që të mblidheshin dhe të krijonin grupet, partneritete që të shtriheshin më gjerë. Kjo solli që festivali u lidh me teatrin, por se kuptova se çfarë ndodhi më tutje. Si projekt teatri fitoi fazën e parë që ne ishim lidhur, por më pas erdhi kjo situatë dhe nuk e dimë më çfarë do bëhet. Nuk e dimë avancimin me tutje. Unë mund të kushtëzohem nga teatri mesdhetar që ka ai në Butrint, por nëse jepen fondet ai duhet ti kalojë patjetër sipas kontratës që kam. Personalisht si Artan përgjegjësia im qëndron, që unë të jem korrekt me ligjet, atëherë unë duhet të bëj një shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë së Arsimit meqë ne e kemi partner hap pas hapi, ne bëjmë politikat kulturore pranë MAS. Të gjithë potencialin e spektatorëve ne e kemi nga shkollat, dhe nëse ne Ministria e Arsimit na thotë ndalohet grupimi gjatë kësaj periudhe deri këtë vit, detyrimisht ne na dështon festivali i filmit të animuar “Anifest Rozafa”. Duhet të shprehet Ministria e Arsimit deri në muajin nëntor, se çfarë strategjie ka dhe çfarë do ndjekë. Në datën 2 nëntor që do fillojë edicioni i 11 i festivalit a lejohen grupimet?

-Dhjetë vjet festivali është zhvilluar në vend, çfarë ka sjellë për ju?

Po të shohim në statistikat e shikueshmërisë festivali ka arritur në 65 mijë spektatorë. Në kaq vite festivali në qytetin e Shkodrës është shumë i njohur, i thonë një dekadë, një brez i tërë kanë interes mbi festivalin dhe të vjen keq nëse humbet. Kam frikë po të shkëputet një vit se në Shqipëri vdesin gjërat dhe shpresoj që mos vdes festivali, sepse është gjynah dhe është gjithë ai investim moral, shpirtëror dhe material.

-Sa është vlerësuar ndër vite festivali juaj si aktivitet nga Ministria e Kulturës?

Ministria e Kulturës nuk ka pasur vëmendjen që duhet, nuk e shikon si aktivitet kulturor festivalin, por e shikon si aktivitet ekonomik, pra është ai këndvështrimi ekonomik. Nuk e sheh si edukim te brezi i ri, sepse ne kemi një specifikë më vete. Festivali nuk flet me të rriturit. Aktiviteti jonë është me grupmosha me fëmijët nga 3 deri në 15 vjeç. Në këtë rast koncepti është argëtimi dhe edukimi. Nuk është efekt ekonomik dhe deri sa nuk shet bileta nuk ka interes ekonomik. Interesi i Ministrisë së Kulturës është libri. Por festivalet në përgjithësi janë libra vizualisht, është një shikim i një libri të caktuar, të jep të njëjtën kulturë që të jep një libër dhe këtë gjë ti e edukon te fëmijët, që të rrisin kuriozitetin, të rrisin dashurinë mbi kulturën, mbi anën estetike, me problematikat që kanë grupmoshat e fëmijëve, sepse kanë problematikat e tyre. Kanë të drejtat që përballohen me jetën, si përballohen ato me problemet sociale, etj?

-Artistët e pavarur gjatë kësaj kohe kanë kërkuar vëmendje. Ju si e shikoni këtë situatë?

Unë jam i rezervuar me politikën që ka bërë Ministria e Kulturës, nuk e kam të konsoliduar mendimin dhe dua ta shoh deri në fund të vitit. Por kam rezerva, që sërish Ministria e Kulturës pavarësisht se ka ndërruar formatin, nuk bëri gjë tjetër vetëm tentoi që të shuajë zërat e krijuesve, duke i përmbledhur dhe mundohet të krijojë konflikte brenda vetes. Jo me ministrinë, por brenda artistëve. Deri tani është konflikti brenda artistëve por në të vërtetë këtë mbulesë ia ka vënë Ministria e Kulturës, është bërë një politikë më e rafinuar që nuk i shërben realitetit, sepse kush do të përfitojë? Masat nuk përfitojnë, artistët nuk përfitojnë me këtë sistem, që ka ngritur Ministria e Kulturës deri tani.

-Çfarë të shqetëson në lidhje me kinematografinë në vend?

Kinematografia shqiptare varet nga rrethi, që e rrethon. Unë jam munduar të sjell filma të bukur dhe i them ejani ta shikoni ta distribuoni, të krijoni aktivitete me fëmijët gjatë gjithë vitit, por kur vjen fundi nuk ka interes nga ata që e zotërojnë kinemanë, që e administrojnë. Çfarë ndodh? Atëherë gjithë kjo punë, gjithë ky pasion për objektiva qëllimi që nuk mbështetet edhe nga bashkitë e ndryshme, sepse as ato nuk e shikojnë si formë të edukimi të një brezi apo atyre që do vijnë, dhe në momente që nuk e mbështet si do të veprojmë? A duhet ne të vazhdojmë të bëjmë festival filmi të animuar apo duhet ta mbyllim, sepse nuk po gjendet përkrahje, nuk po gjendet mbështetje dhe po duket sikur po bëhemi donkishotë dhe po luftojmë me mullinjtë e erës. Duhet të bëhen salla kinemaje, që të mbështeten nga pushteti vendor i pari që e ka përgjegjësi. Nëse nuk shikohet nga pushteti vendor si në gjithë botën atëherë ka shumë probleme.

-Artistët janë shprehur, që buxhetet e artit nuk duhet të reduktohen me kapërcimin e kësaj situate në jetën artistike. Ju çfarë mund të na thoni?

 Ajo që dëgjojmë në televizion është tjetër gjë dhe çfarë ndodh është ndryshe. Në televizione thuhet që ne kemi fondet tona të ndihmës , luftë etj, atëherë kur janë këto fonde pse duhet të preket buxheti. Ai është i përcaktuar që në fillim pa pasur parasysh buxhetin e luftës. Buxheti i Ministrisë së Kulturës për artistët e pavarur është më vete, pse duhet të preket? Nëse do preken këto buxhete është abuzim. Nuk duam sportin, nuk duam kulturën, nuk duam pensionistët, etj, atëherë kjo është abuzive. Ministria e Kulturës nuk mund të reduktojë buxhetin për artin, është e pajustifikueshme nëse bëhet. Pse duhet bërë kjo?

-Cilat janë projektet tuaja në fushën e filmit?

Unë kam një projekt dy vjeçar, pra i miratuar para dy vitesh. Faza që kam tani është ajo e rikonceptimit të projektit hap pas hapi, sigurisht në nivelin më të mirë, por në përshtatje me teknikën ose ti përshtatet me financën që unë kam marrë, dhe kam dy vjet që unë punoj me këtë projekt.

 Intervistoi: Julia Vrapi