BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

Artistët e cirkut, me performancat e tyre te parku “Rinia”

Artistët e cirkut, me performancat e tyre te parku “Rinia”

Artistët e Cirkut Kombëtar ishin me performancat e tyre në parkun “Rinia” në Tiranë. Performancat e artistëve u zhvilluan në kuadër të 1 Qershorit, festës së fëmijëve. Aktiviteti erdhi në vijim të punës që kanë bërë artistët dhe gjatë kohës së pandemisë. Gatë kësaj kohe në faqen e Cirkut Kombëtar janë shfaqur dhe dokumentarë kushtuar artistëve të njohur. Përmendim filmin dokumentar “Hapat e parë të Cirkut Kombëtar Shqiptar”, që erdhi si nderim, mirënjohje e respekt për themeluesit e artit të cirkut. Misioni i Cirkut Kombëtar është ruajtja dhe lartësimi i vlerave të veçanta artistike-kulturore të artit të cirkut në vendin tonë, duke u mbështetur në traditat më të mira kombëtare e botërore, për të shërbyer në edukimin, çlodhjen dhe argëtimin e të gjithë brezave. Cirku shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e cirkut shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur dhe brohoritur fuqishëm nga shikuesit e shumtë. Pjesë e strukturës së Cirkut Kombëtar është Studio e Cirkut, e themeluar në vitin 1976, ku mësojnë e përgatiten artistët e rinj të cirkut nga mjeshtrit tanë të talentuar. Në mungesë të një shkolle cirku në vendin tonë kjo studio realizon funksionin e saj, duke plotësuar nevojat dhe kërkesat e trupës artistike me elementin e nevojshëm në të gjitha profilet e cirkut. Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve. Duke filluar nga viti 2012, cirku ynë është njohur si Cirk Kombëtar.