BREAKING NEWS

Rama udhëtoi me urgjencë drejt Dubait, Balla zbulon arsyen e madhe që qëndron pas kësaj lëvizje të kryeministrit, tregon çfarë pritet ditën e sotme

Rama udhëtoi me urgjencë drejt Dubait, Balla zbulon arsyen e madhe
x

Kultura

Artistët e pavarur: Ministria e Kulturës të paraqesë planin për mbështetjen ndaj nesh, mjaft më me zvarritje

Artistët e pavarur: Ministria e Kulturës të paraqesë planin

Artistët e sektorit të pavarur janë në pritje, që shteti t’i mbështesë në këto kushte kritike, që po kalojnë këtë kohë për shkak të pandemisë globale, ku janë ndërprerë dhe aktivitetet artistike dhe kulturore. Më herët ata i janë drejtuar përmes një letre kreut të qeverisë, ku shpreheshin që paketat e ofruara të ndihmave ekonomike nuk marrin në konsideratë në këtë moment shumë të vështirë artistët e pavarur. Më pas u bë me dije se Ministria e Kulturës reagoi duke komunikuar me grupin e artistëve të pavarur dhe duke i njoftuar se po hartohet një plan i posaçëm ekonomik. Për të përshpejtuar procesin u mblodhën të dhënat mbi numrin e artistëve të pavarur aktivë në kushtet normale dhe më pas numri iu komunikua ministrisë. Në datën 30 prill Ministria e Kulturës mori listën me 117 emra të artistëve të pavarur. Por deri më datë 6 maj sipas artistëve asnjë përgjigje nuk pati për planin në ndihmë të tyre. Së fundmi artistët iu drejtuan sërish përmes një email Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar informacion në lidhje me hartimin e planit për mbështetje. “Ju shkruajmë për t’ju kërkuar informacion në lidhje me hartimin e planit që do të mbështesë komunitetin tonë. Pas dërgimit të databazës nuk kemi marrë asnjë përgjigje, ndaj do të donim në ç’fazë ndodhemi dhe të mbeteshim në kontakt me ju. Në këtë mënyrë mund të kontribuojmë edhe ne në këtë çështje që na përket drejtpërdrejtë para se të miratohet. Faleminderit për mirëkuptimin”, shprehen artistët e pavarur. Situata me probleme vijon për artistët e sektorit të pavarur dhe ata shprehen se vonesat dhe zvarritja është në dëm të tyre. Pjesë e komunitetit artistik, regjisori Ledian Gjeçi pohon se janë në pritje që të informohen për më tej. “Artistët e pavarur i kanë dërguar ministrisë një listë me personat e mundshëm për të përfituar ndihmën e merituar. Halli jonë është se, që kur i dërguam listën ministrisë nuk ka asnjë lloj reagimi apo përgjigje. Lista është dërguar me 117 emra nga arti skenik, piktura, skenografia dhe filmi në datën 30 prill. Emrat dhe një përshkrim i thjeshtë, ku artistët e pavarur shprehin një përafërsi të numrit të mundshëm, por jo shifrën koncize se sa artistë janë në të vërtetë, pasi kjo i takon strukturave shtetërore ta identifikojnë me saktësi” , pohon regjisori Gjeçi.

Shqetësimi dhe kriza

Vonesat për prezantimin e planit në ndihmë të artistëve, sipas regjisorit Ledian Gjeçi thellon krizën me të cilën po përballen ata. “Ministria të na informojë nëse po proceson në lidhje me shqetësimin tonë, e nëse po të na paraqesë planin që edhe ne të kontribuojmë për të përshpejtuar zgjidhjen. Kjo vonesë thellon shqetësimin te artistët e pavarur, e bashkë me shqetësimin thellon edhe krizën në të cilën ndodhemi jo për fajin tonë. Ne patëm një komunikim me email nga ministria, që pyeti artistët e pavarur se sa veta jemi. Pra ministria kërkoi një listë, ne duam të informohemi se ç'po bëhet me kërkesën tonë. Kur ata kërkuan listën dhe ne e vlerësuam faktin, që ministria reagoi”, shprehet regjisori Gjeçi. Të gjendur në këto kushte artistët më herët iu drejtuan kryeministrit për krijimin e një fondi, si ndihmë për këtë sektor. Artistët shpreheshin se e konsideroni të udhës që qeveria të ngrejë një fond të posaçëm për artistët e pavarur, të destinuar për ruajtjen dhe vazhdimësinë e iniciativës së lirë krijuese, që komuniteti i tyre të vazhdojë funksionin si faktor i domosdoshëm për jetën sociale dhe kulturore gjatë dhe pas krizës së Covid-19, ka nevojë të përfillet në planet ekonomike sot.