Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Kultura

Artistët e TKOBAP pas 3 vitesh rikthehen në mjediset e reja, nisin punën në sezonin artistik

Artistët e TKOBAP pas 3 vitesh rikthehen në mjediset e reja, nisin

Artistë e Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe të Ansamblit Popullor nisën punën në sezonin e ri artistik, në mjediset e reja të rikonstruktuara. Që dje artistët kanë nisur punën në mjediset e TKOBAP, ku për disa vite ata u zhvendosën në ish Kinostudio. Pas 3 vitesh artistët nisën punën në mjediset e reja, ndërsa shprehen se mezi e kanë pritur rikthimin në teatër. Sopranoja e njohur Eva Golemi thotë se provat po zhvillohen sipas rregullave, që janë vendosur për shkak të pandemisë. Por ajo shprehet entuziaste për mjediset dhe kushtet, që kanë tani artistët në TOB. “Në ish Kinostudio ne ikëm që në 2017, pra para 3 vitesh dhe atje kemi punuar dhe kemi zhvilluar provat për aktivitetin artistik në mjediset, që u bënë për ne. Të gjithë artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit ikën atje dhe tani jemi të gjithë në mjediset e reja. E marta është dita e parë e sezonit, që ne po zhvillojmë punën këtu. Normal që kushtet janë shumë të mira për ne artistët nga sa kanë qenë më parë në TOB”, thotë sopranoja e njohur Eva Golemi, në një reagim të saj. Por edhe pse ende nuk ka të publikuar një kalendar artistik se si do të vijojnë aktivitetet, sopranoja Eva Golemi thotë se artistët janë në punë me atë që i është shpërndarë nga institucioni këtë kohë. “Ne kemi nisur punë por ende nuk është lajmëruar për një kalendar artistik, pra se si do të vijojë aktiviteti artistik më tej i teatrit. Presim që të jetë sa më shpejt, por opera që po punoj unë tani është “Ballo me maska” e Verdit, për rolin e Amelias. Ne si solistë punojmë në mënyrë individuale me pianistë”, thotë sopranoja e njohur Eva Golemi, një nga zërat e vlerësuar të operës në vendin tonë.

TOB: Ka rinisur jeta

Dje Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehej se pushimet e gushtit dhe shkëputja prej proceseve të përditshme të punës, edhe për shkak të kërcënimit nga Covid-19, ja kanë lënë vendin një jave të re, me angazhime për trupat artistike. Institucioni bën me dije se artistët janë sistemuar në grupe të vogla, në orare të ndryshme dhe po zbatohen protokollet që janë vënë nga Ministria e Shëndetësisë. “Pavarësisht mungesës së aktivitetit të tyre në skenë, artistët kanë nevojë për stërvitje profesionale, ndaj të sistemuar në grupe të vogla, në orare të ndryshme, në përpjekje për të zbatuar protokollet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, në sallat e provave në teatër, ka rinisur jeta. Shpresojmë të shihemi së shpejti në skenë”, shprehet TOB. Fillimi i punimeve në Teatrin e Operës dhe Baletit nisi në mars të vitit 2017. Siç është pohuar më parë projekti i rindërtimit ka kushtuar rreth 1.2 miliardë lekë, por arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij. Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave vendos që godina e TKOB ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe në mars të vitit 2017 trupat zhvendosen në dy godina pranë Ministrisë së Kulturës në ish-Kinostudion “Shqipëria sot”. Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij artistë, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe ansamblit. Trupat e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor krahas turneve artistikë, të cilët i kanë realizuar brenda vendit, kanë realizuar dhjetëra shfaqje e turne jashtë vendit si në Rusi, Jugosllavi, Gjermani, Francë, Kanada, Austri, SHBA, Hungari, Rumani, Bullgari, Poloni, Çeki, Kinë, Turqi, Greqi, Itali etj.