BREAKING NEWS

Modeli suedez më i suksesshmi në përballimin e Covid-19, shpërthen shefi i Epidemiologjisë ndaj kritikëve dhe tregon çelësin e suksesit: Mos qeshni me ne, bëni mirë të mësoni diçka nga përvoja jonë

Modeli suedez më i suksesshmi në përballimin e Covid-19,
x

Kultura

Artistët japin alarmin: Jeta skenike në vend rrezikon të futet në kolaps, Ministria e Kulturës të marrë masa

Artistët japin alarmin: Jeta skenike në vend rrezikon të futet

Sezoni artistik në teatro ka përfunduar, por për artistët Ministria e Kulturës duhet të riorganizojë jetën skenike në vend, sepse problemet janë të shumta. Në reagimet e tyre regjisorë dhe aktorë shprehen se problemet me buxhetin, infrastrukturën, ligjin, etj, i kanë shoqëruar dhe gjatë këtij sezoni artistik. Sipas artistëve edhe kushtet e punës lënë për të dëshiruar dhe duhen bërë ndryshime të mëdha, që gjendja e teatrit të përmirësohet. Regjisori dhe aktori i njohur Alfred Trebicka pohon se nga institucionet deri tani janë dëgjuar vetëm fjalë të mira, por problemi me buxhetet e pakta është i përhershëm për teatrin në vend. “Buxhetet e teatrit sot në vend janë minimaliste dhe ajo çka bëhet vetëm falë dëshirës dhe vullnetit të mirë që ka komuniteti në përgjithësi. Puna e buxheteve të pakta për teatrin është problem i përhershëm. Ne kemi dëgjuar vetëm fjalë të mira, por ndonjë gjë konkrete nuk kemi parë. Dihet që ne kemi probleme me infrastrukturën në teatro. Nuk janë kushtet, që duhen për punën me shfaqjet. Teatri nuk ka sistem ventilimi, që në temperaturat e larta kemi gjithmonë probleme qoftë në skenë apo dhe spektatorët në sallë”, pohon Trebicka. Sipas tij, janë shumë gjëra që duhen riparë për teatrin në vend, dhe kjo është detyrë e Ministrisë së Kulturës. “Këtu duhen bërë ndryshime të mëdha, nuk është thjesht vetëm problemi i kushteve të sallës apo skenës. Ne vazhdojmë akoma pa status dhe ligj për teatrin. Ky sektor nuk çalon pak, por këtu çalojnë shumë gjëra. Duhet një rikonstruksion gjeneral i të gjitha gjërave. Nuk është problemi që do vijë sezoni tjetër dhe duhen rregulluar që x gjë të funksionojë më mirë, por janë shumë gjëra që duhen riparë”, vijon Trebicka. Për regjisorin dhe aktorin një lyerje e teatrit nuk quhet rikonstruksion. “Të flasim që thjesht u vë kondicionimi apo u rregullua një pjesë e infrastrukturës është e kotë, kjo gjë nuk mund të rregullohet duke bërë mermetime të pjesshme. Nuk mund të quhet rikonstruksion se u lye teatri dhe u pastruan sediljet. Por rikonstruksioni është dhe në kontekstin institucional të buxheteve apo infrastruktura e brendshme dhe të tjera, pra janë shumë gjëra”, pohon ai. Sa i takon jetës artistike në teatrot, ai shprehet se përballë mungesave të shumta janë vetë artistët që po përpiqen shumë për të mbajtur gjallë aktivitetin. “Ne nuk e kemi problemin te repertori, po të shikosh titujt e veprave dhe autorët që janë vënë, prezent janë pothuajse të gjithë. Ka autorë, kanë ardhur dhe regjisorë të huaj që kanë punuar në teatrin tonë, por problemi është te mbështetja dhe vullneti për ti dhënë teatrit në vend atë që i takon atij. Janë shumë probleme, por artistët po përpiqen të bëjnë punën”, shprehet mes të tjerave Alfred Trebicka.

Riorganizim i jetës skenike

Regjisor dhe aktor Genci Fuga shprehet se për jetën artistike ka jo pak mungesa. Pyetjes se çfarë pret nga Ministria e Kulturës për teatrin në vend ai shprehet se jo vetëm të ketë riorganizim të jetës artistike, por vëmendja duhet dhe për kuadrin ligjor. “Ministria të riorganizojë jetën skenike të vendit, se pritet të jetë në kolaps, minimumi pesë vjet. Të fillojë punën e plotësimit të aspektit ligjor dhe institucional për këtë fushë. Të përfundojë strategjinë kombëtare të zhvillimit të artit e kulturës, dhe të gjejë mbështetje të gjerë politike për të garantuar vazhdimësinë”, pohon Fuga, regjisor dhe aktor. Ky sezon artistik ka përfunduar për teatrot në vend, por sipas tij ajo që u pa ishin dhe përpjekjet për sjelljen e vlerave më të mira skenike. “Këtë sezon spikatën përpjekjet e dëshpëruara për të konsoliduar spektatorin në teatër, me armën e vetme të kualitetit, larg buxheteve të larta e katrahurës politike! Po luftohet në Korçë që spektatori të gjejë mundësinë për të ardhur në teatër. Po luftohet në Shkodër e Vlorë. Po luftohet në Tiranë...Lufta është e përbashkët: Sjellja e vlerave më të mira skenike kundër mundësive financiare qesharake”, vijon Genci Fuga. Duke folur për teatrin, ai shton se në rast se kemi prishjen e skenave të Teatrit Kombëtar, kjo do të sjellë kolaps derisa të ngrihet teatri i ri. “Kjo periudhë, unë mendoj, se do të zgjasë 5 vjet. Ndërkohë duhesh menduar se ku do të shkonte spektatori për të parë teatër”, përfundon Fuga në reagimin e tij.

Nga Julia Vrapi