Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Artistët kërkojnë rikthimin e Qendrës Kombëtare të Artit me bord të përzgjedhur nga komuniteti artistik

Postuar: 12/02/2019 - 07:30

Artistët kërkojnë rikthimin e Qendrës Kombëtare të Artit për projektet që zhvillohen në fusha të ndryshme të artit në vend. Po sipas artistëve edhe bordet të jenë me anëtarë që të zgjidhen nga vetë komuniteti. Artistët në reagimin e tyre shprehen se mbyllja e saj vite më parë u kërkua nga ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Edhe pse QKA ka pasur probleme, për artistët duhet të ketë një rikthim të saj dhe me kontrolle më të forta për të shmangur abuzimet me projektet, që i takojnë fushës së teatrit, muzikës, etj. Artisti i cirkut Julian Kazazi njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës shprehet se QKA duhet të rikthehet për të pasur edhe transparencë me projektet. Sipas tij deri tani nga Ministria e Kulturës është parë në disa raste që janë përdorur fondet duke i menaxhuar sipas dëshirës në projekte të ndryshme. “QKA u krijua për të pasur transparencë dhe një financim të drejtpërdrejtë për artistët shqiptar, të cilët tashmë i drejtohen Ministrisë Kulturës për të kërkuar fonde. Dhe ajo i menaxhon sipas dëshirave, miqësive, apo dhe në forma të tjera për të joshur artistë, të cilët i dalin kundra në projektligje etj”, shprehet artisti Kazazi. Më tej ai shton se Qendra Kombëtare e Artit duhet të funksionojë me disa borde, por dhe me një buxhet për të motivuar artistët në fusha të ndryshme të artit. “Unë mendoj që QKA i duhet vendit tonë që të funksionojë me disa borde për të shqyrtuar krijimtaritë e artistëve dhe të financojë atë projekt që ka nivele të larta artistike, por që padiskutim duhet të kenë dhe një buxhet të ndarë për të motivuar artistët e rinj, të cilët dita- ditës nuk po shohin shpresë e po largohen për të gjetur veten e tyre në një shtet tjetër larg Shqipërisë. Ministria e Kulturës duhet të bëjë politika nxitëse për artistët e rinj të cilët duhet të shpalosin vlerat e tyre”, vijon më tej artisti Julian Kazazi njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës. Regjisori Donard Hasani pohon mes të tjerave se nëse do të ketë rikthim të QKA ka më shumë pavarësi. “Qendra Kombëtare e Artit duhet të rikthehet, sepse ka më shumë pavarësi. Fondet do të jenë të administruara nga borde që zgjidhen nga komuniteti i artistëve”, vijon regjisori.

Artistët pa kontratë institucionale

Aktori Neritan Liçaj gjithashtu kërkon rikthimin e QKA dhe shprehet se artistët e krijuesit që nuk punojnë në institucione kanë nevojë për financime me projektet, ndërsa e quan një pretekst idiot mbylljen e qendrës vite më parë. “Kjo lojë u bë pikërisht për ti hequr disa fonde të tjera artit, dhe për të mbushur xhepa pushtetarësh. Artistë dhe krijues që kanë dëshira dhe pasione për t’u marrë me artin përveç atyre që punojnë në institucione, kanë nevojë për financime si në çdo vend tjetër të botës. Kurse këtu me një pretekst idiot, që vidheshin lekë u hoq QKA për t’u vjedhur disa lekë nga ish ministrja dhe njerëzit e saj”, shprehet aktori Liçaj. Në reagimin e tij aktori vijon se me rikthimin e QKA duhet të gjenden forma dhe mjete për të pasur kontrolle, në mënyrë që mos të abuzohet. “Për mua do të ishte shumë e mirë që QKA të ishte e pavarur si QKK, por me borde dhe kontrolle të forta, në mënyrë që të mos abuzohet me fondet, sepse unë nuk e përjashtoj mundësinë që edhe mund të jetë abuzuar më parë. Por ama nuk i bihet shkurt të mbyllet QKA, përkundrazi gjenden forma dhe mjete për tu kontrolluar në mënyrë që ato me fondet të mos abuzohet, madje edhe të shtohen në mënyrë që ato para të kthehen në vlera artistike, në vlera arti”, pohon aktori. Por në një kohë kur artistët po kërkojnë transparencë se çfarë ndodh nga Ministria e Kulturës prej vitesh me projektet, aktori Neritan Liçaj duke pohuar rikthimin e QKA shton se janë juristët që duhet të shikojnë se si do të jetë dhe funksionimi i qendrës. “Formate të saj ka plot, sa borde duhet etj, por këto janë gjëra që i vendosin njerëzit e ligjit, pra juristët. Unë flas vetëm në parim si artist, sepse nuk jam ekspert”, vijon aktori. regjisori. Për aktorin Klodian Hoxha duhet rikthim i QKA, por dhe buxhete më të larta në jetën artistike. “Të rikthehet se është një mundësi më shumë për artistët pa kontrate institucionale. QKA është një mundësi më shumë për krijuesit, por edhe buxheti duhet të rritet, jo me aq pak sa japin sot për një projekt, por duhet që ti japin mundësi artistëve të krijojnë dhe jo ti zhysin në borxhe më shumë” shprehet aktori Kodian Hoxha. Në shkurt të viti 2018 artistët iu drejtuan ish ministres së Kulturës Mirela Kumbaro me disa kërkesa. Një pikë ishte në ligjin e artit dhe rikthimi i Qendrës Kombëtare të Artit. “Të rikthehet kapitulli për Qendrën Kombëtare të Artit, bordet të zgjidhen nga asambleja e përgjithshme e OJF, që kanë realizuar një projekt në 5 vitet e fundit. QKA të organizojë dhe certifikojë procesin. Bordet të jenë të specializuara për teatrin dramatik dhe teatrin muzikor”, shkruhej në kërkesat e artistëve.  

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/02/2019 - 07:50

Festivali “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” po zhvillon netët në skenën e Teatrit Metropol për publikun. Së fundmi ishte artisti i njohur italian Mario Mariani ai që mori duartrokitjet në festival.

Postuar: 17/02/2019 - 07:49

Komedia “8 Femra” shkruar nga Robert Thomas vjen për publikun në skenën e qytetit të

Postuar: 17/02/2019 - 07:47

Kompozitori Agim Krajka shprehet se për artin dhe kulturën nuk bëhet sa duhet nga institucionet q

Postuar: 16/02/2019 - 07:34

Komedia "Testamenti i ri" vepër shkruar nga Sacha Guitri me regji nga Gëzim Kame u mirë

Postuar: 16/02/2019 - 07:32

Ekspozita “Dinastia Marubi: Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” e kuruar n

Postuar: 16/02/2019 - 07:29

Qendrës Kombëtare e Kinematografisë dhe Open Labs e WCUGA nënshkruan një marrëveshje, e cila i je

Postuar: 16/02/2019 - 07:27

Specialistët e trashëgimisë japin alarmin për gjendjen e rënduar me banesat monument kulture në G