BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Kultura

Artistët kritika institucioneve të artit: Nuk duan t’ia dinë për folklorin shqiptar, angazhim vetëm nga komuniteti artistik

Artistët kritika institucioneve të artit: Nuk duan t’ia

Institucionet nuk tregojnë interesin e duhur për folklorin shqiptar. Jo vetëm që duhet bërë më shumë për aktivitetet folklorike, por sipas artistëve të ndryshëm edhe për kostumet popullore nuk tregohet vëmendje. Artistët shprehen se sot folklorin popullor më shumë e mban gjallë vetë komuniteti artistik, që me sa mundet përpiqet për aktivitetet artistike apo dhe për të ruajtur kostumet popullore shqiptare. Yzeir Llanaj me një punë shumë vjeçare dhe të pa lodhshme me folklorin, por dhe si studiues, solist e organizues aktivitetesh artistike shprehet se edhe pse është një kohë e vështirë me pandeminë, duhet që institucionet të tregojnë vëmendje dhe për ato aktivitete që janë të traditës sonë. “Pavarësisht e pandemisë duhet të zhvillohen aktivitete në terren jashtë, ashtu si është “Bylispolifonia” në Mallakastër. Po si kjo duhet të bëhen dhe të tjerë aktivitete në terren siç është ritet pranverore në Krrabë. Nuk duhet të heshti kultura shqiptare sidomos ajo autoktone si shumëzërëshja, ose folku shqiptar në përgjithësi nga veri në jug, dhe njëkohësisht të promovojë dhe kostumet kombëtare në këto ditë pranverore që po vijnë”, shprehet Llanaj këngëtar i njohur i polifonisë shqiptare nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ideator i festivalit ndërkombëtar "Bylispolifonia" dhe president i shoqatës "Polifonia Shqiptare” dhe organizues i disa simpoziumesh shkencore, Yzeir Llanaj thotë se në vendin tonë duket se më shumë po punon vetë komuniteti artistik dhe jo institucionet tona për folklorin shqiptar. “Në Ministri të Kulturës apo dhe institucionet e tjera të punësuarit po marrin rrogën. Kështu që vetëm sa paguhen, dhe ne të tjerë që nuk marrin rroga vazhdojmë aktivitetin tonë. Tek ne po punon komuniteti artistik dhe jo shteti për folklorin shqiptar. Unë them se folklori sidomos këto ditë që po afron pranvera duhet me patjetër që të merren masa nga institucionet dhe të bëhen aktivitete kulturore në natyrë”, shprehet Llanaj.

Kostumet popullore

Për artistët mungesa e vëmendjes për kostumet popullore është një problem, që po vazhdon prej vitesh. Ata kujtojnë vite më parë kur në festivalin kombëtar të Gjirokastrës zhvilloheshin parada të mëdha me kostumet tona popullore. Këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se artistët përballë mungesës së vëmendjes i rinovojnë vetë kostumet popullore. “Nuk ka asnjë dikaster ose drejtori trashëgimie që për mua nuk ekziston fare se si mirëmbahet ky kostum kombëtar, kur njëherë e një kohë kur vinte festivali në Gjirokastër bënin parakalimin e kostumeve popullore shqiptare me regjisorin e madh Pirro Mani. Por sot nuk ka asnjë lloj interesimi apo angazhimi për të parë prurjet e aktiviteteve kulturore me kostumet kombëtare. Kostumet popullore i rinovojnë dhe i mirëmbajnë vetë artistët, sepse nga Ministria e Kulturës nuk ka pasur atë interes që prisnin ne për kostumet popullore. Unë për shembull kam një kostum popullor, që e mbaj prej 40 vitesh. Janë vetë artistët që i mirëmbajnë kostumet dhe i rinovojnë me sa munden. Pra rinovohen dhe kopjohen, qepen nga vetë artistët. Për folklorin duhet bërë më tepër, sepse është lënë pas dore nga shtetit, në mëshirë të fatit”, shprehet Llanaj. Me përgjegjësi Yzeir Llanaj si këngëtar i polifonisë bën dhe bashkitë e ndryshme. Sipas tij, në drejtoritë e kulturës nuk bëhet s duhet për kulturën popullore. “Bashkitë nuk duan t’ia dinë me ato drejtori kulture që kanë për kostumet popullore”, pohon Llanaj. Por dhe për piktorin Vangjel Gjikondi për folklorin shqiptar duhet treguar vëmendje nga jugu në veri të vendit, ku sipas tij duket se për kostumet popullore është harruar se çfarë duhet bërë. “Duhet bërë shumë nga veriu në jug, si nga Ministria e Kulturës ashtu dhe nga institucionet për folklorin dhe kostumet tradicionale, ku sikur është harruar çdo gjë”, pohon ai. Sipas artistëve, veshjet popullore janë një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale.