
E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja cilit koalicion do t’i bashkohet për zgjedhjet e 25 prillit

Artistët: Logoja e re e TKOBAP plagjiaturë, është marrë e gatshme në internet

Shkruar nga Julia Vrapi 10 Shkurt 2021

Logoja e re e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka sjellë shumë reagime nga artistë të ndryshëm. Artistët denoncojnë, duke u shprehur se logo e TKOBAP është një plagjiaturë. Ata shprehen se përgjegjësia është e institucionit, ku për këtë logo janë dhënë 1.8 milionë lekë. Reagimi i artistëve nisi në rrjetet sociale, ku ata denoncojnë se logoja e re e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është e vjedhur nga site ndërkombëtare, ndërsa hedhin akuza se u hap një konkurs që nuk bëri asnjëherë publik informacionet për fituesin dhe kriteret e përzgjedhjes. Një denoncim i bërë edhe nga artisti i njohur dhe pedagogu i arteve Ardian Isufi, që u shpreh në statusin e tij në Facebook për logon, që sipas tij është plagjiaturë. I pyetur për këtë, artisti dhe pedagogu Ardian Isufi tha se paratë janë marrë për një logo plagjiaturë. “Logo është marrë në site, Freepik.com. Logo është e gatshme. Në këtë logjikë kjo është gjithë historia. Nuk ka gjë tjetër. Pra është bërë një punë “shumë e madhe” për një gjë që është asgjë. Normalisht paratë janë marrë, dhe janë marrë për një plagjiaturë dhe një banalitet. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është pjesë e komisionit dhe vetë është institucioni, që ka përgjegjësinë. Logo e TKOBAP është plagjiaturë”, thotë Ardian Isufi. Regjisori Nikolin Gurakuqi ka një aktivitet të vlerësuar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Regjisor i veprave të ndryshme në skenën e TKOB, Nikolin Gurakuqi thotë se logo e re nuk ka lidhje me institucionin. “Një logo e re që për mua nuk ka lidhje me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. E para, që është e vjedhur në internet. E marrë komplet. E gatshme ndryshuar ngjyra dhe kaq, forma është po ajo dhe vënë TKOB. Ajo ka kushtuar, sipas konkursit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit diku te 18 milionë lekë të vjetra. E para gjë që nuk shkon, sepse ajo nuk është logo për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. E dyta, mendoj se nuk ka shans që të kushtojë aq një gjë e marrë nga interneti”, pohon ai.
Logo e re e papranueshme
I pyetur për këtë çështje, regjisori Nikolin Gurakuqi shprehet se është e papranueshme një logo e tillë për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në reagimin e tij për logon që ishte më parë regjisori pohon se ishte normale për TKOB. “Për mua është e papranueshme si logo ajo që është sot në TKOB. Më parë ishte logo me harpe dhe pentagram muzikor, më se normale”, thotë regjisori në reagimin e tij. Gjatë një konference ministrja e Kulturës Elva Margariti e pyetur nga gazetarët tha se ishte një dijeni për këtë nga rrjetet sociale, por do të ngrihej dhe një komision. “Duhet verifikuar. Konkursi është bërë para një viti, edhe do të ngrihet një komision i posaçëm për të vërtetuar atë që ka dalë sot në rrjete sociale. Duhet të kem më shumë informacione për gjykimin tim. Ka pas një juri me gjashtë persona në mos gaboj, pasi këtë e mësova sot. Sa të kemi mundësinë do t’ua japim të gjithë infon”, u shpreh ministrja. Në media u publikua të martën se Pika Pro sh.p.k është kompania, që është marrë me logon e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në janar të vitit të kaluar TKOBAP (Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor) shpalli konkurs të hapur përmes një thirrjeje publike për dizejnimin e logos së re të këtij institucioni arti.
Reagimi i TKOBAP
Ndërsa TKOBAP në një reagim mbrëmjen e së martës shprehej mes të tjerave se është autori që mban përgjegjësinë, për logon. “TKOBAP nuk mundet të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti të tillë, pasi e ka praktikisht të pamundur të filtrojë arkivat publike dhe private të studio-ve apo platformave të marketing-ut në botë. Për këtë arsye, është vetë autori i saj, i cili mban përgjegjësi ligjore për origjinalitetin e produktit, të materializuar në kontratën midis palëve dhe deklaratën e autorësisë. Paketa e propozuar nuk përfshin vetëm krijimtarinë e logos, por një sërë elementësh të cilët shoqërojnë “brand-in”, të përmendura më lart. Vlera e fondit pasqyron çmimin e tregut vendas për këtë shërbim, nisur nga ofertat financiare të marra nga disa prej kompanive të marketing-ut në vend”, shprehet teatri. TKOBAP bën me dije se do të vendosë në funksion të gjithë mekanizmat ligjore dhe kontraktuale për adresimin juridik të këtij problemi, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së TKOBAP si plagjiaturë
Më të lexuarat


Haig Zacharian: Veprat muzikore vdesin nëse nuk luhen, pandemia po dëmton artin

Margariti: Shumë shpejt kantieri në xhaminë Mbret në Berat do të mbyllet

“Këpucët e kuqe” instalacion në Durrës, nga aktoret vijnë "8 histori të vërteta të 8 grave”

Muzeut Historik Kombëtar dhe QSPA, me aktivitete të përbashkëta

Autorët: Misioni i shkrimtarit është fisnik, të mos kujtohet dhe të pluhuroset emri është e dhimbshme

TKOBAP dhe aktivitetet gjatë muajit shkurt, 58.771 persona ndoqën online koncertin e ansamblit

Pranvera e Frankofonisë çelet me aktivitetin "Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”

Margariti: Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, një kantier që po e shndërron në qendër kulture

Specialistët kritika Ministrisë së Kulturës dhe IMK: Përgjegjëse për qendrën historike, a e dinë agallarët që Gjirokastra është pasuri botërore?

Shfaqja “Dorëzimi në Spokan” me regji nga Ilir Bokshi, në konkurrim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit
