BREAKING NEWS

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër ‘shuplakë’ e fortë për Monika Kryemadhin / Damian Gjiknuri jep lajmin, ja çfarë ka ndodhur në Vlorë

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër
x

Kultura

Artistët: Mungesë transparence me projektet në Ministrinë e Kulturës, e drejta e informimit detyrim ligjor

Artistët: Mungesë transparence me projektet në Ministrinë e

Ministria e Kulturës nuk ka transparencë për projektet. Kështu shprehen në reagimet e tyre drejtues të organizatave të ndryshme apo dhe artistë, për çfarë ndodh me thirrjen për projektet kulturore dhe shpalljen e fituesve. Në reagimet e tyre ata pohojnë se Ministria e Kulturës e ka detyrim ligjor që të jetë transparente me vendimet, që merren. Artistë dhe drejtues të shoqatave artistike dhe kulturore në vend thonë se nëse u bë me dije në 27 janar shpallja e 157 projekteve fituese, nuk dihet se sa kanë qenë aplikimet, po ashtu dhe se si është bërë vlerësimi për projektet. Sipas tyre nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës vazhdon me mungesë transparence, dhe nuk e quajnë të drejtë edhe vlerësimin që u bë duke lënë pa mbështetje financiare festivale, që kanë vite që zhvillohen në vendin tonë. Organizata “AniFest” me drejtues regjisorin Artan Maku, që aplikoi në Ministri të Kulturës për të zhvilluar festivalin “AniFest” në Velipojë dhe “Gjiro-AniFest” në qytetin e Gjirokastrës nuk ishte në listën e projekteve fituese, që do të zhvillohen gjatë vitit 2021. Në një reagim të tij Artan Maku, i cili dhe disa ditë më parë u shpreh se në Ministri të Kulturës u mohua festivali i filmit, thotë se ai ende nuk di se sa kanë aplikuar për 2021 dhe se si është bërë vlerësimi. “Mungesa e transparencës nga Ministria e Kulturës tregon se po respektojmë miqtë. Në momentin që do të kishte transparencë, në Ministri të Kulturës në fillim duhet të ishte sa aplikuan për 2021 në të gjitha zërat. E dyta, të bëhej publike që të gjithë projektet u diskutuan nga një grup njerëzish a specialistësh dhe të tregojë emrat e atyre, që janë marrë me projektet. Pra këtu duhet të kemi transparencë, por se kanë në Ministri të Kulturës. Është ligji i të drejtës së informimit dhe MK të jetë transparente”, shprehet regjisori Artan Maku.

Organizatat paguajnë detyrimet

Regjisori Artan Maku vijon më tej se për projektet mund të ndiqet dhe mënyra se si vepron Qendra Kombëtare e Kinematografisë me aplikimet e ndryshme. Sipas tij, në QKK projektet pas vlerësimit tregohen dhe me pikët, që kanë marrë nga bordi. “Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dihet bordi që në fillim që kur e kanë zgjedhur, sa janë të huaj dhe shqiptarë, pra në vetvete ata e kanë prezantuar. Por në QKK tregojnë për shembull në filmin e shkurtër morën pjesë këto projekte në kategorinë A, në kategorinë B, etj, dhe në fund tregojnë kush u përzgjodh dhe kush jo. Sa projekte kanë aplikuar sa herë hapen thirrjet dhe kush fitoi sipas pikëve përkatëse. Kjo duhet të ndiqet nga Ministria e Kulturës. Nuk e kuptoj pse vazhdon kjo mungesë transparence. Kush janë ata që kanë diskutuar dhe vlerësuar te projektet? Nuk e dimë ende”, vijon regjisori dhe drejtori i “AniFest”. Në reagimin e tij kur kanë kaluar disa ditë nga shpallja e fituesve në ministri, drejtori i organizatës “AniFest” Artan Maku thotë se ai paguan detyrime shtetërore dhe në ministri e kanë detyrim të jenë transparentë se çfarë ndodh me projektet. Kjo që po ndodh sipas regjisorit Artan Maku është dhe mungesë respekti ndaj krijuesve dhe artistëve. “Ne kemi vite që themi mungesë transparence te projektet. Te Ministria e Kulturës është theksuar mungesa e respektit, që kanë te krijuesit që marrin pjesë apo dhe tek organizatat. Janë organizata që paguajnë dhe detyrime shtetërore, dhe në ministri janë të detyruar që të jenë transparentë. Unë kam që në 2010, që paguaj taksa”, poho Maku. Për shkak të mungesës së transparencës dhe mënyrës se si ndahen projektet në Ministri të Kulturës edhe vite më parë artistët janë shprehur me akuza, ku disa prej tyre dhe nuk janë afruar të aplikojnë më. Për regjisoren dhe aktoren Rozi Kostani dhe kjo që ndodhi këtë vit nuk është çudi. “Unë nuk kam ndërmend të konkurroj më në ministri, duket sikur janë bërë ligjet vetëm për disa persona. Le të kënaqen. Por tek ne mungesa e transparencës ka qenë dhe do vazhdojë që të jetë, ndaj dhe ka pakënaqësi gjithmonë. Ne kemi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, që bëhet me dije kush aplikoi dhe cilët janë fituesit më pas. Edhe Ministria e Kulturës mund ta bëjë këtë, pra të jetë transparente me projektet”, thotë Kostani. Disa ditë më parë në faqen zyrtare shkruhej se pas shqyrtimit të të gjitha projekteve të dorëzuara brenda afatit të përcaktuar, 8 janar 2021, Ministria e Kulturës shpall fituesit e thirrjes për projekte kulturore 2021, nën moton “E ardhmja është në origjinë”.