BREAKING NEWS

Përballet për herë të parë me zërat kritikë ndaj tij, zbulohen 2 lëvizjet e rëndësishme të Lulzim Bashës ditën e sotme

Përballet për herë të parë me zërat kritikë
x

Kultura

Artistët: Në fushën e muzikës aktiviteti i bllokuar, Ministria e Kulturës të kishte menduar për ne

Artistët: Në fushën e muzikës aktiviteti i bllokuar,

Artistë të ndryshëm në fushën e muzikës shprehen se janë kategoria, që po përballen me shumë probleme me aktivitetin e tyre, për shkak të masave që janë vënë për covid-19. Ata thonë se janë pa ndihmë nga institucionet, ndërsa me masat që janë marrë sipas rregullave nuk lejohet që të vijojnë me aktivitetin e tyre si më parë në fushën e muzikës. Krijuesit e muzikës dhe artistë të ndryshëm gjenden në një pozitë të vështirë, dhe sipas tyre është e domosdoshme që ata të kenë mbështetjen e qeverisë. Kompozitori Miron Kotani thotë se ka më shumë se një vit që aktiviteti i muzikantëve është bllokuar dhe asnjë ndihmë nuk ka pasur për këta artistë. Sipas tij, ky është viti i dytë që autorë, instrumentistë, dirigjentë, këngëtarë nuk po munden dot të zhvillojnë aktivitetin e tyre. “Ministrisë së Kulturës i kërkojmë që përveç të drejtës së autorit, që duhet të marrim nga pronësia intelektuale, qeveria duhet të kishte një paketë ndihme për covid-19. Pagën e 13 që iu ka dhënë atyre dy muajve sektorit privat në vend ne nuk e kemi. Po kështu duhet të kishte një paketë ndihme dhe për këtë kategori artistësh. Ka më shumë se një vit që është bllokuar çdo aktivitet privat, koncert, shfaqje dhe duhet një paketë ndihme për ne. Nuk kemi marrë asnjë të ardhur”, thotë kompozitori i njohur. Në reagimin e tij kompozitori Miron Kotani shton më tej se gjatë pandemisë artistët e muzikës kanë qenë të bllokuar me aktivitetin. “Nga të gjithë shtresat e tjera këtë kohë më e prekur është shtresa e artistëve. Nëse dikush e ka pasur orarin kufizuar për artistët e muzikës ka qenë bllokuar totalisht. Artistët janë shtresa më në nevojë dhe më emergjente. Flasim për fushën e muzikës që janë instrumentistë, kompozitorët , këngëtarët, etj dhe deri tani nuk është dhënë asgjë, por duhet të ketë ndihmë”, thotë kompozitori.

 Regjistrimi i artistëve

Tenori Rudi Sata shprehet se problemi nis që me regjistrimin që duhet të jetë për artistët. Sipas tij duhet të kishin një paketë ndihme ekonomike këtë kohë, por duhet regjistri kombëtar ku të jenë të regjistruar artistët. “Mendoj se artistët duhet të subvencionohen për gjithë këtë periudhë krize nga pandemia, ashtu si në gjithë fusha të tjera të jetës. Por që të japësh një paketë ndihme ekonomike, këta artistë që janë amatorë ose profesionistë që janë privatë dhe frekuentojnë ambientet si lokale, apo me koncerte, etj, nuk janë të regjistruar. Duhet të regjistrohen në një regjistër nacional dhe pajisen me NIPT pune. Momentin që këta artistë pajisen marrin dhe siguracion nga shteti, por njëkohësisht kanë të drejtën më pas dhe të subvencionohen nga shteti për të kompensuar këtë gropë të madhe që krijohet nga pandemia”, thotë Sata, ekspert i politikave të artit, që herë pas here ka reaguar për problemet që has kjo kategori. Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës, tenori Rudi Sata shprehet se ka përgjegjësi për çfarë ka ndodhur me artistët në fushën e muzikës gjatë kësaj kohe pandemie. Sipas tij, Ministria e Kulturës duhet të kishte pasur vëmendje kur kjo kategori artistësh nuk mund të zhvillojë dot aktivitetin si më parë. “Ministria e Kulturës është promotori i kësaj pakete ligjore për artistët, sepse pasi ta hartojë këtë projektdraft shkon në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Regjistri kombëtar duhet të jetë me të dhënat, ku futen të gjitha profesionet e artit, si instrumentistët, etj. Shteti nuk jep dot paketë ndihme nëse një artist punon në të zezë, por duhet të jetë i regjistruar. Artistët duhet të jenë të legalizuar me aktivitetin e tyre”, thotë Sata. Për shkak të pandemisë nga koronavirusi jeta artistike pësoi një kolaps, por në mungesë të veprimtarive edhe agjencia “Albautor” në maj të 2020 u shpreh se autorët duhet të kenë mbështetjen e shtetit.