Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Artistët përballë Kumbaros dhe Margaritit, kërkojnë rritje buxheti për artin e kulturën, status për universitetin dhe rikthim të QKA

Postuar: 12/01/2019 - 07:29

Ministrja në largim Mirela Kumbaro dhe ajo ardhshme Elva Margariti që pritet të drejtojë Ministrinë e Kulturës janë përballur në muajin e parë të vitit me kërkesat e pedagogëve të Universitetit të Arteve. Problemet që i kanë shoqëruar gjatë viteve kanë bërë që Kumbaro dhe ministrja e ardhshme Elva Margariti të jenë përballë pedagogëve të arteve, që janë njëkohësisht dhe pjesë e komunitetit artistik. Në takim pati diskutime lidhur me perspektivat e zhvillimit të artit dhe arsimit të lartë në vendin tonë. Disa nga kërkesat më kryesore parashtruar Kumbaros dhe Margaritit ishin përfitimi i statusit të veçantë të Universitetit të Arteve, financimi i buxhetit sipas specifikave që kanë nëpërmjet projekteve të përbashkëta pedagog student, etj. Artistë dhe pedagogë të arteve ata shprehen se ministrja në largim Kumbaro ka qenë në dijeni të problemeve me kulturën në vend, por që nuk gjetën zgjidhje prej vitesh. Artisti dhe dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura prof. asoc. Ardian Isufi shprehet se përballë Kumbaros dhe Margaritit veç problemeve me universitetin ka kërkuar dhe rritje të buxhetit për kulturën, rikthim të Qendrës Kombëtare të Artit, etj. “Pedagogët janë dhe artistë, njerëz publikë  që e ndjejnë që nuk kanë pasur mbështetje institucionale nga Ministria e Kulturës. Në takim u shpreha për mungesën e Qendrës Kombëtare  të Artit, kundër mbylljes së “Onufrit”, kemi çështjen që çalon se nuk ka borde të pavarura dhe ministria i ka marrë vendimet me zyrtarët. Duhet statusi veçantë sepse universiteti dhe arti janë bashkë dhe jo veç e veç. Buxheti i kulturës të rritet, sepse është më i vogël se sa në Maqedoni dhe ai i Kosovës”, shprehet dekani i FAB. Sipas dekanit Ardian Isufi ishte një dëgjesë nga Kumbaro dhe Margariti, por ka një mosangazhim në kohë të Ministrisë së Kulturës për problemet me artin dhe institucionet. “Për problemet me artin dhe kulturën që ne i kemi thënë prej vitesh ka një mosangazhim në kohë të Ministrisë së Kulturës për t’u marrë realisht. Ne ia thamë të gjitha Kumbaros dhe Margaritit, por ishte më shumë dëgjesë se sa dialog konkret. Ne jemi mësuar me këtë lloj retorike dhe realisht nuk është se ka ndodhur gjë, ndaj të shohim”, shprehet dekani Ardian Isufi. Kompozitori dhe pedagogu Endri Sina tregon se nuk shpreson shumë që situata të ndryshojë sa i takon problemeve me artin dhe kulturën. “Ne prisnim në fakt ministren e Arsimit të vinte dhe na erdhi Kumbaro dhe Margariti, por gjithsesi në punën e kulturës u kërkua rritje e buxhetit. Në fjalën e parë të saj ministrja që do të vijë tha që ju duhet të keni një lidhje më të mirë me studentët. I kërkuam ato që ishin bërë më parë si “Onufri”, festivali i teatrit të rinjve që u mbyll, Qendra e Artit, buxheti për krijimtarinë etj”, u shpreh kompozitori.

Propozimet për institucionet

Aktor, regjisor, prof. asoc Genci Fuga shprehet se takimi u zhvillua sepse dy ministret janë njëkohësisht edhe pjesë e grupit të punës të udhëhequr nga kryeministri në kuadër të rregullimit të situatës me studentët. Aktori Genci Fuga tregon se në këtë përballje me Kumbaron dhe Margaritin pasi u mbajt shënim që pengesa e vërtetë e mbarvajtshmërisë universitare, është ligji për organizimin e arsimit të lartë, mosdalja e akteve nënligjore (prej vitesh tashmë) dhe mungesa totale e buxheteve, fokusi ishte në specifikën e marrëdhënies speciale që duhet të ketë UA dhe Ministria e Kulturës. “Në këtë kuadër unë propozova: Marrëveshje të qëndrueshme, dashamirëse dhe bashkëpunuese ndërmjet UA dhe MK; pjesëmarrja e domosdoshme e pedagogëve të UA në punën për hartimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit të artit në Republikën e Shqipërisë, dhe punën e plotësimit të aspektit ligjor të fushës së artit. Kjo, që të qartësojë e përafrojë pedagogët dhe studentët interpretë e krijues, për perspektivat e zhvillimit të artit në Shqipëri. Hapi tërësisht i mundshëm nga ana e ministrisë është, dhënia e statusit "kombëtar" të galerisë FAB, si e vetmja galeri shtetërore në Shqipëri, duke ruajtur natyrën "universitare" të saj”, tregon Fuga. Më tej ai shton se nuk duhet të mungojë mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës për teatrin dhe orkestrën. “Të krijohet urgjent Teatri Kombëtar i Universitetit të Arteve, ide që nga koha e Kujtim Spahivoglit, e më pas gjatë viteve '98 e me rradhë, dhe dhënia e statusit kombëtar të tij nga e MK; ringritja e orkestrës simfonike të UA me status kombëtar, por dhe duke vajtur deri në ngritjen e një Teatri Operës e Baletit të UA me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës” vijon aktori Fuga. Në reagimin e tij për problemet  ai shprehet se ky është vizoni i tij për vitalizimin e jetës studentore dhe artistike. “Ato vetëm dëgjuan e mbajtën shënim, me premtimin që do t'i relatonin tek kryeministri”, përfundon aktori Genci Fuga.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/05/2019 - 07:31

 Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku veç saj janë dhe teqeja e Helvetive me gjithë konakët, s

Postuar: 25/05/2019 - 07:30

Filmi artistik me metrazh të shkurtër “The Van” konkurron për “Palmën e artë&rd

Postuar: 25/05/2019 - 07:28

Piktori Vangjel Gjikondi shprehet se mënyra se si po funksion Galeria Kombëtare e Arteve nuk ësht

Postuar: 24/05/2019 - 07:26

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" bën me dije se shfaqja teatrore &ldqu

Postuar: 24/05/2019 - 07:25

Koncerti simfonik nga "Peizazhet Muzikore" me veprën muzikore të Dmitri Shostakovich er

Postuar: 24/05/2019 - 07:23

Veprimtaria “Ndalohet të mos prekësh” bëri që grupi i dytë i fëmijëve me probleme shi

Postuar: 24/05/2019 - 07:22

Ministria e Kulturës në politikat e saj për librin ka çelur për disa vite fondin për krijimtarinë