Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Artisti zviceran Thomas Hunziker, në Tiranë me ekspozitën “Labor”

Postuar: 09/02/2019 - 07:47

Artisti zviceran Thomas Hunziker me ekspozitën personale “Labor” prezanton veprat e tij në galerinë e artit FAB. Ekspozita kurohet nga Genti Gjikola dhe kjo është hera e parë që ky artist zviceran shfaq veprat e tij në Shqipëri në një ekspozitë personale. “Labor” fokusohet në një seri punimesh eksperimentale në gjini, materiale dhe teknika të ndryshme të cilat shfaqen së bashku. Figurina akademike në bronz, skulptura abstrakte eksperimentale, kompozime grafike, dhe një grup vizatimesh. Për kuratorin Genti Gjikola kjo jo vetëm jep një panoramë deri diku shteruese të natyrës së ndërlidhur të praktikës së Hunziker, por gjithashtu hedh dritë mbi eksplorimin e tij të vazhdueshëm të dialogut, (potencial) mes skulpturës dhe grafikës. “Sipas artistit, ky lloj dimensioni rrjedh nga preferencat e tij që nisin nga Rilindja, (Michelangelo) e Neoklasicizmi, (J. A. Houdon) e shkojnë deri tek arti bashkëkohor i Trisha Donnelly, Giuseppe Penonne, Monika Sosnowska, Peter Doig e Gino de Dominicis”, shprehet Gjikola. Sipas kuratorit “Labor”, ka veçantinë të paraqitet si një ekspozitë pa një qendër gravitacionale nëpërmjet të cilës të vetëzbulohet me një të parë, duke i dhënë prioritet procesit dhe jo “veprës” sipas kuptimit de jure të fjalës. E megjithatë, de facto, ekspozita është e mbushur plot me “vepra”. Edhe pse, ajo paraqitet si një proces i gjatë dhe pa pikë fundore, seri dhe elementë të spikatur të saj janë lehtësisht të dallueshëm. Kuratori Genti Gjikola tregon se në fillim ishin grafikat, konceptuar dhe ngjizur në dyshemenë e studios së tij si akuarele natyrale me ujë dhe pigment. “Këto grafika (shumica në bardhë e zi) ndërthurin praktikën e famshme të ekspresionizmit abstrakt, duke e ulur telajon nga kavaleti në tokë dhe duke spërkatur e shpërndarë bojë mbi të me aktin postmodernist të lënies së veprës të dalë vetvetiu në dritë”, shprehet kuratori.

Bashkekzistenca e shumë rrymave dhe gjuhëve artistike

Skulpturat në ekspozitë vijnë të ndara në dy grupe figurative dhe krejtësisht abstrakte. Për kuratorin Gjikola, secila nga punët në këtë grup-cikël eksperimental ka identitetin e vet, simbolikën dhe dinamizmin e vet, në një prozë direkte, të sertë dhe pa retorikë. “Me vendosjen e skulpturave abstrakte bashkë me figurinat akademike në një instalacion të vetëm me përmasa të mëdha në një prej hapësirave të ekspozitës duket sikur artisti u kërkon gjuhëve të ndryshme jo vetëm të tolerojnë njëra-tjetrën, por të jetojnë pranë njëra-tjetrës pa një hierarki estetike, pa një hendek ndarës, pa një deklamim triumfi stilistik”, vijon të shprehet kuratori. Tek “Labor” artisti zviceran Thomas Hunziker sipas kuratori Genti Gjikola ka investuar një përqendrim të thellë konceptual mbi natyrën e veprës së artit dhe paraqitjes së saj. “Ai e lë të lirë vizitorin të zgjedhë dhe të interpretojë, se cila “vepër” është “vepër”, se cila vepër “bën” e cila “s’bën”. Nëse kjo zgjedhje është intriguese, pa titra në fund dhe disi e vështirë për shikuesin për t’ u kuptuar, është sepse praktika heterogjene e punës së tij (vizatim, grafikë, skulpturë, instalacion, akademizëm, art bashkëkohor, kërkim shkencor) i shpëton me vetëdije tentativës për homogjenizim dhe lexim të artit bashkëkohor menjëherë, me një frymë”, vijon kuratori mbi punën e artistit zviceran. Sipas Gjikolës, bashkekzistenca e shumë rrymave dhe gjuhëve artistike na jep një lloj deklarate të artistit që puna pa fund dhe pa fillim, në një proces tranzicioni të pambarim, sjell në vetvete një lloj lirie shpirtërore, që e çliron krijuesin nga përgjegjësia fundore e prezantimit të një vepre statike, finale. Ekspozita që u hap më datë 7 shkurt do të qëndrojë për publikun deri më 13 në galerinë FAB.

Nga Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë.

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.

Postuar: 14/08/2019 - 07:30

Numri i turistëve, që vizituan qytetin e Beratit gjatë muajit korrik 2019 ishte rreth 1 300 vizit

Postuar: 14/08/2019 - 07:28

Festivali i Regjisorëve të Rinj mungon në jetën artistike.