BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona kanë dalë pozitiv me Covid-19 në 24 orët e fundit (BILANCI)

Ulet numri i të infektuarve në vend, Ministria tregon sa persona
x

Kultura

“Ata hyjnë pa trokitur”, në një format ndryshe te muzeu “Shtëpia me Gjethe”

“Ata hyjnë pa trokitur”, në një format ndryshe te

Me rastin e “Ditëve Europiane të Trashëgimisë”, në muzeun kombëtar të përgjimeve "Shtëpia me Gjethe" do të realizohet për herë të parë në një format ndryshe, shfaqja "Ata hyjnë pa trokitur". Muzeu shprehet se sot në orën 18:00 nga zyrat e "Atyre që hynin pa trokitur" publiku do të mund të vëzhgojë në monitorë tashmë, lojën e aktorëve të mirënjohur Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka, nën regjinë dhe tekstin e Armando Borës. Komedia dramatike “Ata hyjnë pa trokitur” shfaqet për publikun në formën e teatrit bashkëkohor, ku përzihen elemente të teatrit absurd, ekzistencialist, komikja me tragjiken, sarkazma dhe ironia. Historia e veprës “Ata hyjnë pa trokitur” është historia e një çifti intelektualësh të izoluar brenda ambienteve të shtëpisë së tyre në kërkim të pjesës së fajit. Në këtë kërkim i kthehen dhe rikthehen jetës së tyre duke e parë dhe analizuar, për të gjetur gabimin. Kjo jetë, e cila del nga kujtesa ashtu siç edhe ata futin dhe nxjerrin nga valixhja plaçkat (rrobat) e tyre që i kanë bërë gati për t’i marrë me vete, për të shkuar në kampet e përqendrimit, kalon si një film përpara spektatorit, me të gjitha ngjyrimet e tij, duke nisur nga situatat komike, e duke përfunduar tek ato më dramatiket. Më herët kur vepra u shfaq premierë në Tiranë, autori Armand Bora pohoi se për dramën është frymëzuar nga jeta e çiftit të njohur Pirro dhe Pavlina Mani, edhe pse vepra nuk është historia e tyre, por një homazh ndaj kujtesës sonë. Para se të vinte premierë në skenë, Armand Bora tregoi se kjo pjesë është ripunuar më herët. “Ishte një periudhë e gjatë, që nga 1994 unë kam mbyllur variantin e parë. Gjithë kjo kohë ishte periudhë tjetër akumulimi dhe padyshim që vepra ka ndryshuar shumë, është pasuruar shumë, janë zhvilluar shumë situatat dhe karakteret. Është bërë më e prekshme, me më tepër ngjarje konkrete, nuk ngelej siç ishte në variantin e parë simbolike që nuk e prekte plagën me dorë. Tani vjen më e drejtpërdrejtë dhe komunikon më mirë me publikun”, pohon mbi veprën autori dhe regjisori Armand Bora. Personazhet e veprës “Ata hyjnë pa trokitur” janë dy, burri dhe gruaja që interpretohen nga aktorët Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Burri është artist, instrumentist në profesion. Njëri sensibël me ndjeshmëri të lartë, që në raport me gruan e lidh që pasioni i një dashurie sublime dhe deri në bezdisjet më të vogla të një jete banale, që ata bëjnë. Gruaja edhe pse nuk ka një profesion të përcaktuar, është kthyer në simbol të bukurisë fizike dhe asaj shpirtërore.