BREAKING NEWS

“Njerëzit duhet të jenë të përgatitur për dy gjëra”, reagon inxhinierja Luljeta Bozo, tregon a është e rrezikuar Shqipëria nga tërmeti i sotëm në Turqi

“Njerëzit duhet të jenë të përgatitur për dy
x

Kultura

Atelieja e Restaurimit 2020, nis puna te Mozaiku i Tiranës

Atelieja e Restaurimit 2020, nis puna te Mozaiku i Tiranës

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se ka nisur punën Atelieja e Restaurimit 2020 - Konservimi i Mozaikut të Tiranës. Instituti shprehet se praktika e atelieve të restaurimit nga Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore vijon në 2020 me objekt konservimin e Mozaikut të Tiranës. “Investim i DRTK Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, nën udhëheqjen e ekspertëve të IKTK-së dhe me pjesëmarrjen e specialistëve të DRTK Tiranë, DRTK Berat, DRTK Shkodër, MHK”, shkruan Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Pak ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti zhvilloi një vizitë te Mozaiku i Tiranës, ku u shprehe se ndërhyrjet synojnë stabilizimin e gjendjes. “Mozaiku i Tiranës është një nga dëshmitë historike, kulturore më domethënëse të qytetit. Me gjithë kujdesin e vazhdueshëm, koha ka lënë gjurmët e veta në këtë monument, ndaj dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore së bashku me Drejtorinë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për konservimin dhe restaurimin e tij. Ndërhyrjet konservuese synojnë stabilizimin e gjendjes fizike të të tre mozaikëve, minimizimin e patologjive të degradimit, si dhe përmirësimin e imazhit të tyre estetik”, shprehet ministrja e Kulturës. Për ministren Margariti edhe hapësirat rreth Mozaikut të Tiranës do të kthehen në një qendër dialogu. “Shpresojmë që shumë shpejt edhe hapësirat përreth këtij monumenti të kthehen në një qendër dialogu, një agora, ku trashëgimia të flasë me të ardhmen”, vijon Margariti. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.