BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Autorët: Poezia shqipe meriton të prezantohet më mirë në gjuhë të tjera, shumë antologji të botuara në botë nuk përfaqësojnë vlerat tona

Autorët: Poezia shqipe meriton të prezantohet më mirë

“Poezia bashkëkohore shqipe, probleme dhe zgjidhje” riktheu vëmendjen të problemet, që has krijimtaria. Poetët më përfaqësues të letërsisë shqipe ishin pjesë e aktivitetit, që u organizua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe poeti laureat Rudolf Marku. Në fokus ishte poezia shqipe dhe nisja e një sërë aktivitetesh që QKLL dhe poeti laureat do të kryejnë në muajt në vazhdim për të nxjerrë në pah vlerat e poezisë shqipe, si dhe të poezisë bashkëkohore. Të pranishëm në diskutime ishin poetët Natasha Lako, Gazmend Krasniqi, Preç Zogaj, studiuesi dhe profesori Gëzim Basha dhe drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli. Sipas Bardhylit, përmes krijimit të poetit laureat, QKLL-ja kërkon të kthejë vëmendjen te poezia si një element i rëndësishëm i letërsisë shqipe. “Ky aktivitet do të pasohet me një sërë aktivitetesh të tjera, me në fokus poezinë tonë të traditës, por edhe asaj bashkëkohore”, tha ajo. Poeti laureat, Rudolf Marku, bëri një analizë të poezisë shqipe pas viteve ‘90, duke u ndalur në qasje e prirje që i kanë pasuruar vargjet shqipe. Sipas tij, ka antologji të votuara jashtë,që nuk përfaqësojë vlerat tona. ““Poezia shqipe meriton të prezantohet më mirë në gjuhë të tjera. Pjesa më e madhe e antologjive të botuara në botë, janë me autorë anonimë që nuk përfaqësojnë vlerat tona”, tha Rudolf Marku, duke hapur një temë të ndjeshme për një kulturë siç janë antologjitë letrare. Duke marrë shembuj disa antologji në gjuhë të ndryshme, si kroate, italiane apo finlandeze, Rudolf Marku tha se pjesa më e madhe e poetëve nuk njihen, ndërsa përkthimet e poezisë shqipe në gjuhën italiane janë skandaloze. “Kam në dorë një antologji në gjuhën finlandeze, e shoh që është me autorë që unë vetë personalisht nuk i njoh. Nga 27 autorë të përkthyer vetëm 3 mund të jenë emra të njohur, por sërish me poezi mesatare”, tha Marku. Sipas tij, duhet të rriten kriteret e botimeve të tilla. Poeti Rudolf Marku tha se një antologji që botohet nën pretendimin se është “Antologjia e letërsisë shqipe” nuk mund të jetë një ndërmarrje private, duke marrë shembullin e Antologjisë së poezisë shqipe botuar në Kroaci në vitin 2015, me 12 shkrimtarë shqiptarë. “Pretendimi në titullin e kësaj antologjie, se është një antologji e poezisë shqipe, nuk e justifikon përmbajtjen”, tha Marku. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur dhe me antologjinë e botuar në Angli, ku thuhet se përfaqëson poezinë shqipe pas socializmit.

Problemi jo vetëm te përkthimet

E pranishme në aktivitetit që u zhvillua të premten, poetja Natasha Lako u shpreh se ka refuzuar të përkthehet në anglisht, pasi përkthimet ishin të dobëta. “Përkthimet janë në një nivel nën shijen e lexuesit. Duhen parë me kujdes këto botime paradoksale, ku mungon edhe një poet si Fatos Arapi”, tha Lako, duke shtuar se edhe në antologjitë e botuara në gjuhën shqipe ka probleme. Një tjetër problem, sipas poetes Natasha Lako është edhe evidentimi i proceseve të sotme letrare. “Ju e dini se sa koherente janë letërsitë e tjera për çështjen aktuale. Është një problem i madh për letërsinë e sotme, e cila nuk i di ende prirjet e saj. Duhen parë se çfarë formulohet e jepet në tekstet shkollore shqiptare, pasi ne nuk e dimë se çfarë ofrohet në antologjinë shqipe në shkollë”, tha më tej ajo. Autori Gazmend Krasniqi solli në vëmendje edhe problemet me trashëgiminë që kanë poetë të njohur shqiptarë, duke marrë rastin e Fatos Arapit. “Fatos Arapi bllokohet nga fëmijët e tij, ka probleme me trashëgiminë. Jam përpjekur të kontaktoj për antologji që kam punuar, por ka qenë e pamundur”, tha Krasniqi. Sipas tij, duhet të ketë angazhime më serioze për antologjitë në një moment kur lexuesi botëror ka një vëmendje ndaj poezisë shqipe. Ai solli në kujtesë një përpjekje për të sjellë në gjuhë të tjera poetë si Migjeni, Mjeda, apo Lasgushi, që kanë qenë të papërkthyeshëm. “Poezia bashkëkohore Shqipe, problem dhe zgjidhje”, u realizua nëpërmjet platformës zoom. Poeti laureat shqiptar, gjatë dy viteve të mandatit të tij, është duke përgatitur tri antologji të poezisë shqipe të periudhave të ndryshme, me mbështetjen e QKLL-së.