BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” një shfaqje e TKOB, artistët trajnohen nga stafi i koreografit Angjelin Preljocaj

Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” një shfaqje e TKOB, artistët

Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” vepër e Shekspirit është një projekt artistik, që do të realizohet me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për këtë projekt me trupën e baletit tonë erdhi në Tiranë Natalia Naidich, asistente e kompanisë së koreografit të njohur Angjelin Preljocaj, që dhe më parë nuk ka munguar në skenën shqiptare me veprat e tij. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se vepra e baletit “Romeo dhe Zhuljeta” do të jetë në teatër për publikun, ndërsa bën me dije përmes një postimi që drejtoresha Zana Çela zhvilloi një takim me asistenten Naidich të kompanisë së Preljocajt. “Angjelin Preljocaj si gjithmonë në TKOB në momente të vështira. Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” së shpejti në teatrin tonë. Drejtoresha e Përgjithshme znj. Zana Çela së bashku me Natalia Naidich, asistenten e kompanisë Preljocaj, konfirmuan sot fillimin e punës për projektin e ardhshëm të shfaqjes së baletit “Romeo dhe Zhulieta” në TKOB. Si gjithmonë artisti-legjendë, Angjelin Preljocaj, i gjendet pranë teatrit tonë në momente të vështira. Fat i madh për trupën tonë të baletit dhe balerinët e rinj, të cilët do të trajnohen nën guidën e Preljocaj dhe stafit të tij”, shprehej ditët e fundit Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku përmes një video të publikuar në Facebook prezantohet takimi, që u bë për këtë vepër baleti. Koreografi shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj, në 2014 u rikthye në vendin e origjinës, 20 vjet pas performancës së pjesës emblematike “Dasma”, në vitin 1994. “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni” janë shfaqjet, të cilat pas 20 vitesh sollën koreografin Angjelin Preljocaj. Koreografi me famë botërore është një bashkëpunëtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, falë një marrëveshjeje të nënshkruar parë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës. Atë kohë para mediave koreografi i njohur Preljocaj u shpreh se ishte i lumtur, që ardhja e tij në Tiranë do të vijonte më pas me një bashkëpunim disa vjeçar. Angjelin Preljocaj është valltar dhe koreograf francez me origjinë shqiptare. Ai konsiderohet si sot një nga koreografët më të rëndësishëm. Ai ju bashkëngjit Baletit të Operës Nacionale në Paris në vitet '90 dhe udhëheq kompaninë e tij, që nga viti 1985.

Vepra e Shekspirit

Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” është vënë edhe vite më parë në skenën e TKOB. Në 2011 vepra me muzikë nga Sergej Prokofiev erdhi në skenën tonë nga një bashkëpunim me teatrin bullgar. Por këtë herë puna ka nisur me asistenten e kompanisë së Angjelin Preljocaj. Tragjedia “Romeo dhe Zhulieta” çmohet si një nga veprat më të mira të dramaturgut të madh anglez të shekullit XVI, Uilliam Shekspir. Besohet të ketë dalë në dritë për herë të parë nga viti 1597, megjithatë data e sigurt nuk dihet. Subjekti i kësaj vepre është dukur në letërsi përpara lindjes së Shekspirit, po shkrimtari italian Luigi de Parto, më 1530, e lokalizoi ngjarjen për herë të parë në Veronë me emrat e dy dashnorëve, Romeo dhe Zhulieta. Nga italishtja ngjarja u përkthye në frëngjisht dhe pastaj në anglisht në disa versione, tek të cilët është bazuar Shekspiri për sa i përket thelbit të saj. Vepra fillon me grindjet dhe zhurmën e shkaktuar nga një urrejtje e vjetër midis dy familjeve të parisë së Veronës, Montagëve dhe Kapuletëve. Kjo urrejtje përmbledh të gjithë pjesëtarët e familjeve që nga më i madhi deri tek shërbëtorët, të cilët zihen e vriten nëpër rrugët e qeta të Veronës.