BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Baleti “Zhizel”, solistja Ledia Sulaj: Një vepër e punuar fort teknikisht nga ana stilistike dhe nga ana interpretative

Baleti “Zhizel”, solistja Ledia Sulaj: Një vepër e punuar

Baleti “Zhizel” një nga baletet më të bukura u vendos për herë të parë në skenën shqiptare, në dhjetor të vitit 1988 nga koreografi Agron Aliaj. Teatri i Operës dhe Baletit e riktheu veprën në vitin 2018, pasi u bënë 30 vjet nga vënia në skenën shqiptare të “Zhizel”, kohë kur mjeshtri Agron Aliaj ia propozoi për here të parë këtë vepër publikut shqiptar. Edhe pse një produksion krejtësisht i ri në skenografi, kostume apo ndriçim, kjo vepër u realizua mbi atë ide koreografike, skenash dhe kostumesh që koreografi krijoi në platformën e tij krijuese. Në nder të koreografit Agron Aliaj, i cili me krijimtarinë e tij ka lënë gjurmë dhe përvojë të paharrueshme tek çdo solist i trupës së baletit të TOB, vepra u soll sërish mbrëmjen e së hënës në programin artistik online, që po vijon prej disa kohësh për shkak të situatës me pandeminë. Baleti u shfaq së fundmi në kanalin zyrtar të TOB në You Tube dhe Livestream në profilin e teatrit në Facebook. Solistja e njohur Ledia Sulaj me një aktivitet të vlerësuar në skenat tonë tregon se të interpretonte në këtë vepër ishte dhe një përgjegjësi e madhe. ““Zhizel” për mua është baleti i “zemrës”. Për më tepër kur vjen në shenjë nderimi për mjeshtrin e madh të koreografisë shqiptare Agron Aliaj është akoma më tepër përgjegjësi dhe mirënjohje”, pohon solistja Sulaj. Me interpretimin e saj në këtë vepër solistja Ledia Sulaj thotë më tej se kujton me mall punën, që u bë vite më parë për ta sjellë në skenën e TOB. “Padyshim kujtoj me mall momentet e punës për këtë vepër dhe më kujtohet që ditën e premierës kam qarë vërtetë në skenë, në momentin final të aktit të parë, sepse u përfshiva aq shumë dhe e ndjeva aq shumë brenda meje rolin sa që lotova në të vërtetë në momentin e vdekjes. Një vepër shumë e fortë, sepse është me një fund tragjik”, thotë solistja e baletit.

“Zhizel” në skenë për publikun

Baleti “Zhizel” është mjaft i njohur dhe në skenat e botës, por solistja Ledia Sulaj thotë se për ta sjellë në skenën tonë është punuar shumë. “ Mendoj se është një vepër vërtetë e punuar fort teknikisht nga ana stilistike dhe sigurisht edhe nga ana interpretative. Nuk kishte gjë më të bukur kur dëgjoja komente të tipit që: na bëre dhe ne të qajmë, të emocionohemi dhe na bëre ta dashurojmë akoma më shumë baletin. Këto komente më pëlqenin shumë për faktin se vijnë nga grupmosha të ndryshme të shoqërisë dhe mbi të gjitha më pëlqen shumë dhe e vlerësoj kur dhe fëmijët e vegjël motivohen nga unë dhe nga ky balet”, shprehet solistja Sulaj. Balet me dy akte nga Adolphe Adam, libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Baleti është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor 1841. Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Baleti “Zhizel”, i cili është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1988 kishte në rolet kryesore Mukadez Erebara, Albana Suljemani, Ludmill Cakalli, Ilir Kerni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj. Rivënia e dytë e tij ishte në vitin 1998 po me koreograf Agron Aliaj, skenografia Shaban Hysa dhe në rolet kryesore ishin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, etj.