BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Banesa e arkitektit dhe artistit Maks Velo, shpallet monument i kategorisë së dytë

Banesa e arkitektit dhe artistit Maks Velo, shpallet monument i kategorisë

Banesa e intelektualit dhe artistit, Maks Velo merret në mbrojtje nga shteti dhe shpallet “pasuri kulturore”. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka firmosur shpalljen “Monument Kulture”, të banesës së Maks Velos. Në njoftimin zyrtar, thuhet se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vendosi të shpallë “Monument Kulture të Kategorisë II”, banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo, në rrugën “Hoxha Tahsin”. “Në bashkëpunim edhe me pronarët e banesës, të cilët duhet të respektojnë të drejtat dhe detyrimet, që përcakton ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i hapet udhë muzealizimit të shtëpisë së Maks Velos, që garanton ruajtjen të pacenuar të trashëgimisë intelektuale dhe artistike e tij. Tanimë, janë institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, që do të kujdesen dhe do të përcaktojnë masat që duhen marrë, për vënien në mbrojtje të këtij objekti”, thuhet në njoftimin zyrtar. Maks Velo u nda nga jeta në datën 7maj 2020, në moshën 85-vjeçare. I nderuar me titullin “Mjeshtër në Arkitekturë”, Maks Velo ka projektuar disa objekte jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të vendit; është autori i një numri të madh pikturash, të ekspozuara në Shqipëri e jashtë vendit. Përmes një serie veprash letrare, memuaristike e dokumentare ai është një dëshmitar i dorës së parë, i një periudhe të errët të historisë së vendit tonë, si një i mbijetuar i burgjeve të komunizmit.  Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit, pikturë, prozë, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020.