BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Bashkia e Tiranës kërkon zyrtarisht lirimin e ambienteve të Teatrit Kombëtar, artistët: Të vendosur për të mos lejuar shembjen

Bashkia e Tiranës kërkon zyrtarisht lirimin e ambienteve të

Bashkia e Tiranës kërkoi zyrtarisht lirimin e ambienteve të Teatrit Kombëtar, gjë e cila solli dhe përplasjen me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Vendimi i kalimit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës ju përcoll dje artistëve përmes një shkrese, gjë që solli tensione mes efektivëve të policisë dhe aktivistëve, që shprehen se nuk do të lejojnë shembjen e Teatrit Kombëtar dhe i bëjnë thirrje kryebashkiakut, që të mos provokojë. Në lidhje me situatën e krijuar pranë Teatrit Kombëtar regjisori i njohur Edmond Budina në reagimin e tij ndër të tjera tha se është një politikë kriminale. Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, regjisori Budina tha se janë aty për të mbrojtur pronën publike, e cila është dhe pjesë e trashëgimisë. “Për mendimin tim është edhe një provokim për të matur forcat tona, por edhe një arsye për të kërkuar përplasje. Këta kërkojnë përplasje civile, dhe për mua është shqetësuese që një qeveri kërkon diçka të tillë. Ne nuk jemi këtu për të marrë disa kulla apo si disa që morën dyqane, por për të mbrojtur një pronë publike që është tashmë trashëgimi europiane. Jetojmë në një shtet të paligjshëm dhe me ç’të drejtë në kohë pandemie miratohen ligje dhe sulesh se do të humbasësh mendjen përmes Teatrit Kombëtar, mendoj se është një politikë kríminale”, pohon regjisori i njohur Edmond Budina. Aktivisti Gentian Gaba tha se deri tani nuk ka pasur transparencë me çfarë ka ndodhur me Teatrin Kombëtar. Sipas aktivistit, kjo që po ndodh me Teatrin Kombëtar është e paimagjinueshme që ndodh gjatë kësaj kohe të pandemisë, që ka përfshirë vendin. “U prezantuan disa policë të bashkisë dhe donin që të futeshin në teatër. Prezantuan një letër me demek, që po merrnin në kontroll Teatrin Kombëtar. Një letër bakalli. Nëse keni parë videon ajo është një letër që i ngjan atyre që vendosin gjobat. Nuk ka asnjë lloj transparence. Kanë ardhur në një moment që hyn në fuqi karantina pas orës 17:00. Ky lloj qëndrimi talebanësh dhe barbarësh, ta dinë që ne me talebanët dhe barbarët nuk negociojmë. Kjo është e paimagjinueshme të ndodhë në një periudhë karantine ku qindra e mijëra njerëz janë papunë dhe këta e kanë mendjen të shkatërrojnë historinë dhe të ndërtojnë kulla. Të grabisin çdo centimetër të qytetit për të pasuruar shokët e vet. Ne nuk do ta lejojmë”, u shpreh mes të tjerave aktivisti Gentian Gaba.

 Deklarata e AMT

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përmes një deklarate shprehet se sulmi në Teatrin Kombëtar ndodhi në një kohë kur presidenti i Republikës po bën gati kërkesën për Gjykatën Kushtetues për të rrëzuar VKM e fundit, në lidhje me pronësinë e teatrit. “Një grup prej 20 personash, 5 policë bashkiakë dhe 15 civilë, bëri përpjekje për të hyrë në Teatrin Kombëtar. Synimi ishte sjellja e aktit për lirim të pronës së Bashkisë Tiranë. Në teatër ndodheshin tre aktivistë, të cilët e zmbrapsën këtë grup, ndërkohë me dhjetëra qytetarë vrapuan drejt teatrit për të siguruar një mbrojtje më të mirë. Ky sulm ndodh në një kohë kur Presidenti i Republikës po bën gati kërkesën për Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar VKM-në Nr. 377, që i kalon pronësinë e Teatrit Kombëtar Bashkisë Tiranë”, thuhet në deklaratë. Në reagimin e saj Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit-zyrtare i bën thirrje Bashkisë së Tiranës që të heqë dorë për të proceduar me aktin antikushtetues. “Ky sulm ndodh me ngut në një kohë kur qytetarët e bashkuar dhe në bashkëpunim me “Europa Nostra” kanë gjetur burimin e fondeve për restaurimin e teatrit. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bën thirrje Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë të heqë dorë urgjentisht nga çdo përpjekje për të proceduar me aktin antikushtetues të marrjes në dorëzim të pronës së Teatrit Kombëtar” shprehet AMT në deklaratën e saj. Përballë kësaj situate, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se rezistenca në mbrojtje të Teatrit Kombëtar do të vijojë. “Teatri Kombëtar është pronë e gjithë shqiptarëve, Teatri Kombëtar mbrohet nga populli dhe “Europa Nostra”. Qeveria i ka shpallur luftë qytetarëve dhe ne shprehim vendosmërinë dhe vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj lufte siç e kemi dëshmuar në 27 muaj rezistencë” pohon Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Artistë dhe aktivistë të ndryshëm janë bërë bashkë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar prej shumë kohësh, duke kundërshtuar vendimet që janë marrë deri tani nga qeveria.