BREAKING NEWS

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr prapaskenat e rënda, i përgjigjet akuzës ‘bombë’ të Sali Berishës: Unë e paralajmërova që...

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr
x

Kultura

Behar Gjoka: Autorët e mëdhenj të letërsisë nuk duhen lënë në hije, janë harruar nga institucionet

Behar Gjoka: Autorët e mëdhenj të letërsisë nuk duhen

Autorë të njohur të letërsisë shqiptare janë lënë në harresë nga institucionet. Autorë me një kontribut të madh në letërsinë shqipe, nuk janë në vëmendje të institucioneve, ku për krijimtarinë e tyre mungojnë aktivitete, konferencat shkencore, etj. Studiuesi i njohur Behar Gjoka shprehet se prej vitesh janë lënë në hije figura të njohura të letërsisë shqipe, në një kohë kur duhej të zhvillohen aktivitete e botime për krijimtarinë e tyre. Drejtues i qendrës së studimeve letrare “Pjetër Budi”, studiuesi Behar Gjoka, tregon se në aktivitetin e kësaj qendre janë zhvilluar disa konferenca kushtuar autorëve, që janë lënë në harresë. Në vijim ai tregon se do të jetë konferencë kushtuar veprës së shkrimtarit Petro Marko, që do të mbledhë studiues të ndryshëm. “Konferenca zhvillohet në vijim të aktivitetit me qendrën e studimeve letrare, për autorë që janë në hije ose si të harruar. Është një lloj kujdesi, që ata të rivlerësohen. Këta autorë janë të harruar nga të gjithë institucionet, që janë për këtë punë qoftë Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, etj. Në këtë konferencë marrin pjesë mbi 40 autorë, që do të flasin për veprën e Petro Markos”, pohon studiuesi i njohur Behar Gjoka. Një rivlerësim i figurave të letërsisë, që janë harruar në vendin tonë është me shumë rëndësi për studiuesin Behar Gjoka, i cili shton se përmes këtyre aktiviteteve ka rikthim te lexuesi me krijimtarinë e tyre letrare. “Figura e letërsisë nuk duhet të jenë më në hije, por rivlerësimi i figurave të harruar dhe rikthim midis lexuesit për krijimtarinë e tyre letrare”, shprehet studiuesi Gjoka. Në aktivitetin e qendrës së studimeve letrare “Pjetër Budi” deri tani janë zhvilluar aktivitete të ndryshme për disa nga autorët më të njohur në vend. Studiuesi Behar Gjoka tregon se për autorë të veçantë janë pesë konferenca. “Deri tani janë zhvilluara aktivitete për autorët si Kasem Trebeshina. Pjetër Budi, Martin Camaj, Frederik Reshpja dhe për të mos harruar dhe veprimtari të tjera provuese, si takimi për Agim Gjakovën “Letërsia dhe vendlindja”, etj. Janë rreth tetë aktivitete të kësaj natyre, por pesë prej tyre janë në fokus me autorë të lënë jashtë vëmendje nga institucionet tona si Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave”, vijon studiuesi Gjoka.

Petro Marko dhe krijimtaria

Konferenca “Petro Marko-Urë lidhëse e brezit të shkrimtarëve të viteve ’30 dhe letërsia bashkëkohore” do të zhvillohet më 14 dhjetor, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Krijimi i parë nga Petro Marko daton shumë herët, qysh në vitin 1930, data 9 dhjetor, pra kur ende ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, boton poezinë e tij të parë “ Flamurit” në gazetën “Shqipëria e re”, nr. 448, f. 4, të Kostancës (Rumani), me pseudonimin Vlonjati. Dhe pas këtij viti deri sa mbyll sytë, ai shkruan pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, që nga poezia e deri tek dramaturgjia. Numërohen mbi 50 organe shtypi ku ndihet pena e tij. Me qindra poezi, tregime, fragmente romanesh, shkrime publicistike, përkthime nga autorë të ndryshëm, veçanërisht ata hispanikë zënë vend në këto organe. Shquajnë shqipërimet nga Rafael Alberto dhe Federiko Garsia Lorka, si një shërbim plot dashuri e talent, krahas 7 autorëve të tjerë, kryesisht poetë. Në konferencë marrin pjesë akademik Mark Tirta, prof. dr. Anton Nik Berisha, prof. dr. Anila Mullahu, prof. dr. Idriz Metani, prof. dr. Josif Papagjoni, prof. dr. Sali Bashota, prof. dr. Bardhosh Gaçe, shkrimtari Agim Gjakova, etj. Qendra shqiptare e studimeve letrare “Pjetër Budi” është krijuar me qëllimin për të kontribuuar në njohjen dhe studimin e letërsisë shqipe të të gjitha periudhave e të të gjitha trevave shqipfolëse, me pikësynim rivlerësimin e letërsisë së hershme shqipe, si dhe evidentimin e të gjithë vlerave të letërsisë së sotme shqipe. Qendra zhvillon veprimtarinë e saj në fushën e hulumtimit shkencor të ligjërimit letrar, duke përgatitur dhe përhapur rezultatet e punës së saj në sferat intelektuale, arsimore, mediatike dhe kulturore të shoqërisë, për njohjen dhe konsolidimin e nocioneve shkencore, që krijojnë premisa për mendimin kritik dhe studimor të letrave shqipe. 

Nga Julia Vrapi