BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Behar Gjoka: Letërsia shqipe në rrezik, autori dhe teksti nuk janë as në periferi të axhendës së politikave kulturore dhe botuese

Behar Gjoka: Letërsia shqipe në rrezik, autori dhe teksti nuk

Letërsia në rrezik dhe autori e teksti nuk janë as në periferi të politikave kulturore, në vendin tonë. Kështu shprehet studiuesi i njohur Behar Gjoka, sipas të cilit letërsia shqipe është në rrezik, edhe sepse politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për dy autorë. Reagimi i Gjokës vjen në një kohë kur dhe autorë e studiues të tjerë janë shprehur prej kohësh për politikat kulturore, që mungojnë në fushën e letërsisë nga Ministria e Kulturës. Sipas tyre, ndër vite në fushën e letërsisë politikat e ministrisë nuk janë parë në ndihmë të saj apo dhe autorëve. Me të njëjtin qëndrim është dhe studiuesi i njohur Behar Gjoka, që ka rikthyer një status të tij të shkruar që në 2016. Por dhe sot shprehet ai nuk ka ndryshim për problemet, që has autori dhe letërsia. Studiuesi Gjoka shprehet se edhe pse ajo që ka shkruar ka disa vite, është dëshpëruese, që situata nuk ka ndryshuar. “Është titulli i një libri të T. Todorov, botuar në 2007 në Francë. U përkthye edhe në shqip, madje u fut me të madhe në leksionet e shkollave të larta. Megjithatë kambanat e alarmit të studiuesit nuk mbërritën tek ne, të botuesit, politikëbërësit, studiuesit e lauruar me shumë tituj, por pa libra, që t’i qasen seriozisht fatit të hidhur. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse autori dhe teksti, nuk janë as në periferi të axhendës së politikave kulturore dhe botuese”, thotë Gjoka në pohimin e tij. Për studiuesin, e drejta e autorit është një tjetër problem dhe ai që paguan derteminon hartën e letërsisë. “E drejta e autorit ka mbetur pa autor, pra tani ai që paguan determinon hartën e letërsisë shqipe”, vijon ai. Gjoka shprehet më tej se rreziku në letërsinë shqipe qëndron dhe te fakti se shihet si mall që shitet, ku nuk mungojnë reklama të ndryshme. Por sa i takon politikave universitare ai thotë se në vëmendje janë vetëm dy emra autorësh për aktivitetet, që zhvillohen. “Letërsia shqipe është në rrezik, sepse mendohet vetëm si biznes, si mall që shitet, fal botuesve dhe reklamave televizive. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtar dhe duket sikur do ta ulë siparin e vet me këta”, thotë ai.

Letërsinë po e vrasin me të gjitha format

Përballë kësaj situate, studiuesi Gjoka mes të tjerave shprehet se letërsinë shqipe po e vrasin çdo ditë nga pak, por kjo me të gjitha format. Për Gjokën që ka risjellë në vëmendje një status të bërë që në 2016, letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës. “Është më serioze se sa duket, se sa e shohim, se sa rrekemi të bindim veten se kemi ose se nuk kemi tekste letrare. Letërsinë shqipe, po e vrasim nga pak dhe përditë, me të gjithë format, ku askush nga ata që ka shkruar në gjuhën shqipe, nuk shpëton nga përgjegjësia e mjerimit të letërsisë, si vatër ku strehohen horrat, politikanët, delirantët, matrapazët e historisë. Letërsia është atdheu i lirisë, i njerëzve të lirë. Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve”, shprehet mes të tjerave ai. Studiuesi Behar Gjoka prej vitesh me aktivitetin e tij ka qenë një nga zërat kritikë për problemet që has letërsia dhe mungesën e mbështetjes së autorëve nga politikat e institucioneve në vendin tonë. Por një letërsi e mirë për studiuesin Gjoka, i cili dhe më parë ka folur për problemet do të vijë kur të çlirohet nga mitizimi i korifenjve të realizmit socialist. “Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, që e kanë zatet për fyti fatin e letërsisë shqipe larg shërbesës dhe dobisë së famës”, shprehet Gjoka. Jo vetëm me statuse dhe reagime herë pas here, por dhe si drejtues i qendrës “Pjetër Budi”, studiuesi Behar Gjoka ka zhvilluar tryeza për letërsinë shqipe, problemet dhe zhvillimi i saj. Tryeza e fundit shkencore u zhvillua në muajin shtator këtë vit dhe bëri bashkë autorë dhe studiues të ndryshëm, që përfshiu kumtesa, pyetje dhe diskutime mbi problematikat e ndryshme të letrave shqipe.